Shqipëria në rrugën e diktaturës

Shqipëria në rrugën e diktaturës

Në fillim, Berisha nisi një tur takimesh me anëtarë të PD-së në gjithë vendin, me qëllim për të rigjallëruar mbështetjen te anëtarësia. Në publik e prezantoi lëvizjen e tij si një përpjekje për ta shpëtuar PD-në, për ta hapur atë, për ta bërë më demokratike, për ta përmirësuar procesin e karrierës brenda saj përmes formës së zgjedhjes me anë të primareve (forma amerikane e zgjedhjeve brenda partisë), por gjatë rrugës shumë gjëra i harroi dhe doli te qëllimi i vërtetë i tij – marrjen e drejtimit të PD-së.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Shqipëria po rrëshqet ngadalë drejt formës më të keqe të pushtetit, qeverisjes së një partie. Në letër Shqipëria është pluralizëm dhe demokraci, por në realitet po qeveriset nga një parti prej një dekade dhe gjasat janë që pushteti i saj të mbetet i pacenuar dhe për një dekadë tjetër a më shumë. Në realitet, procesi i marrjes së pushtetit ka qenë gjithmonë i dyshimtë, pasi gjithmonë është vënë në dyshim nga opozita, por tani gjërat duken edhe më keq: opozita është futur në një cikël vetëvrasës të ngadaltë, prej të cilit do t’i duhen dekada që ta marrë veten, në mos kurrë.

Partia Demokratike (PD), partia më e madhe opozitare, e vetmja që mund ta sfidojë seriozisht Partinë Socialiste (PS) në një betejë elektorale, është zhytur në luftë të brendshme. Ne e kemi trajtuar dhe një herë tjetër çështjen e opozitës në Shqipëri, në Shenjën e dhjetorit, por që atëherë ka pasur zhvillime të tjera, të cilat po e zhytin demokracinë shqiptare në një të ardhme të zymtë.

Prej gjashtë muaj, në Shqipëri ekzistojnë faktikisht dy PD, një e drejtuar nga Lulzim Basha, deri në dorëheqjen e tij (21 mars 2022), dhe pas tij nga Ekelejd Alibeaj, dhe tjetra, një entitet jojuridik, e drejtuar nga Sali Berisha, ish-president, ish-kryeministër, disa herë ish-kryetar i PD-së.

Historia e ndarjes së PD-së nisi me ndërhyrjen e SHBA-së. Më 19 maj 2021, Ministria e Jashtme e SHBA (Departamenti i Shtetit) e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij të padëshiruar për të vizituar SHBA-në, duke e akuzuar se ka ushtruar korrupsion gjatë qeverisjes së tij. Më 30 korrik, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, pas një takimi me kryetarin e PD, Lulzim Basha, kërkoi distancimin e PD nga Sali Berisha, pra, largimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së. Në ligjëratë të drejtë, ambasadorja u shpreh: “Do të ishte një ironi historike, por edhe tragjike, nëse partia [Partia Demokratike] do të duhej të hante bar për hatër të një deputeti të saj.” Bari ishte një referencë për izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në fillim të viteve 1960. Qëndresa e regjimit komunist u mëshirua në parullën “bar do të hamë dhe parimet nuk i shkelim”.

Më 9 shtator 2021, vullneti i ambasadores amerikane në Tiranë u realizua – kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shpalli përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

 

Berisha nisi luftën, kundër partisë së tij

 

Në fillim, Berisha nisi një tur takimesh me anëtarë të PD në gjithë vendin, me qëllim për të rigjallëruar mbështetjen te anëtarësia. Në publik e prezantoi lëvizjen e tij si një përpjekje për të shpëtuar PD-në, për ta hapur atë, për ta bërë më demokratike, për të përmirësuar procesin e karrierës brenda saj përmes formës së zgjedhjes me anë të primareve (forma amerikane e zgjedhjeve brenda partisë), por gjatë rrugës shumë gjëra i harroi dhe doli te qëllimi i vërtetë i tij: marrjen e drejtimit të PD.

Mbështetur te anëtarët e PD-së që i afroi rreth vetes me retorikën e tij për hapjen e partisë, duke nxjerrë delegatë prej tyre, më 11 dhjetor Berisha organizoi një mbledhje të gjerë, të cilën e quajti Kuvendi Kombëtar i PD, dhe, bazuar në pretendimet e tyre, ky kuvend shkarkoi kryetarin e partisë Lulzim Basha, miratoi një statut të ri dhe vendime të tjera. Kuvendi Kombëtar është një forum partiak i PD-së, i parashikuar në statusin e saj, në të cilin përshkruhet dhe mënyra e mbledhjes së tij. Berisha dhe njerëzit e tij nuk e morën në konsideratë këtë fakt, duke e shfaqur veten ashtu siç janë në të vërtetë – një lëvizje regresive, e cila nuk e dëmton vetëm PD-në, por e vë në rrezik demokracinë në Shqipëri.

Kuvendi i Berishës ishte një forum paralel, i paligjshëm dhe organizatorët e tij u ballafaquan shumë shpejt me realitetin.

Kur Presidenti i Republikës dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale të pjesshme më 6 mars (vetëm në disa bashki), grupi i mbështetësve të Berishës, i cili lëvizte kudo me logon dhe simbolet e tjera të PD-së zyrtare, zbritën nga realiteti imagjinar në tokë. Ata e mësuan se të ekzistosh si entitet politik duhet të jesh realitet juridik, që do të thotë të kesh përmbushur gjithë kushtet e parashikuara ligjore për ekzistencën e një entiteti politik. Pa regjistrim në gjykatë, Foltorja (kështu thirret në zhargon lëvizja e Berishës) nuk mund të regjistrohej në procesin zgjedhor, pavarësisht pretendimeve të tyre. Regjistrimi pranë Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) bëhet duke bazuar në dokumente ligjore, të dala nga gjykata, dhe jo nga deklarata propagandistike.

Për të marrë pjesë në zgjedhje, Sali Berisha u vendos, së bashku me mbështetësit e tij, në shërbim të një partie, e cila, duke qenë në koalicion me PD-në (2009-2013), e njollosi pushtetin e PD-së me aferat e saj korruptive, dhe, më 2013, doli nga koalicioni dhe iu bashkua PS-së në opozitë, dhe të dyja erdhën në pushtet, duke larguar PD-në nga pushteti e Sali Berishën nga politika (pas humbjes së zgjedhjeve Berisha dha dorëheqjen, deri kur u kthye prapë).

Në zgjedhjet lokale, të cilat nuk kishin ndonjë interes të madh, u kthyen në kauzë për Foltoren, për të sfiduar PD-në. Koalicioni, në shërbim të të cilit u vendos Foltorja pa asnjë atribut juridik, fitoi një kryetar bashkie dhe doli forcë e dytë në katër bashki të tjera, ndërsa PD-ja doli forcë e tretë. Ky rezultat u shfrytëzua për propagandë, për të rritur presionin ndaj PD-së zyrtare dhe kjo pati rezultat. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i vendosur nën presion nga jashtë dhe brenda partisë, dha dorëheqjen.

Paralelisht me këto zhvillime pati dhe një linjë tjetër: Foltorja çoi në gjykatë për regjistrim ndryshimet statutore të miratuara në një kuvend të mbledhur në shkelje të statutit ekzistues, më 11 dhjetor, dhe gjykata i pranoi, më 25 mars 2022. Berisha hyri në selinë e PD-së, si kryetar de facto i saj. Vendimi i gjykatës u ankimua nga PD-ja zyrtare dhe çështja është ende në proces, pa një vendim përfundimtar. Çfarë do që të ndodhë, dëmi është bërë. PD-ja është çarë përfundimisht.

Pasojat e këtij realiteti janë këto. PD-ja, në ditën e saj më të keqe, arrinte të merrte rreth 30% të elektoratit, kjo ka qenë baza e sigurt e saj. Në kohët më të mira, mbështetja zgjerohej duke e sjellë në pushtet, por me shumë vështirësi. Një PD e ndarë do të thotë zero mundësi për fitore, asnjëra palë nuk do të ketë fuqi konkurruese.

Ky realitet nuk ka pse të shihet si një tragjedi në një demokraci. Partitë shkojnë e vijnë ose kështu duhet të ndodhë. Por, në Shqipëri demokracia ka probleme dhe një nga problemet kryesore është monopolizimi i demokracisë nga dy partitë kryesore, njëra prej të cilave po shkërmoqet. Në Shqipëri është e vështirë, për shumë arsye, përfshirë edhe pengesat ligjore, të krijohen parti të reja dhe të kthehen në faktorë realë politikë. Bazuar në realitetin ekzistues, pushteti i PS-së duket i pacenueshëm dhe për një kohë të gjatë. Ironia është se kjo është partia që i sundoi shqiptarët për gjysmë shekulli me regjim kriminal dhe më 1991 e ndërroi veç emrin. Ndryshimi i vetëm mes dy kohëve është veç në faktin që më 1945 komunistët e morën pushtetin me dhunë të armatosur, ndërsa sot e kanë dhuratë nga politikanë të verbuar nga egoizmi.