Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të ngrenë skuadra të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të ngrenë skuadra të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të ngrenë skuadra të përbashkëta hetimore që do të punojnë në luftën kundër krimit të organizuar ndërshtetëror. Kjo është një nga dy marrëveshjet e nënshkruara në Shkup mes ministrave të Brendshëm të të dy vendeve.

“Në marrëveshjen e bashkëpunimit policor, përcaktohen kushtet dhe mënyrat e ndërtimit të strukturave të përbashkëta hetimore, të tipit “task force”, për luftën kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson shkëmbimin e shpejtë të informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve operacionale. Kjo marrëveshje do të jetë një instrument i rëndësishëm në duart e dy agjencive tona policore për luftën e krimit të organizuar, i cili, siç u shpreh Ministri Çuçi nuk ka as kombësi as shtetësi”, thotë Ministria e Brendshme në një njoftim për mediat.
Sipas Ministrisë, marrëveshja tjetër ka të bëjë me procedurat lehtësuese të lëvizjes në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë Thanë, e cila është porta kryesore e lëvizjes në të dy anët e kufirit të përbashkët.

Çuçi tha që infrastruktura tashmë është pothuajse e gatshme dhe ky regjim i kontrollit me një ndalesë në të dy anët e kufirit, shumë shpejt do të bëhet realitet. Ministri u shpreh që në këtë pikë kufitare synohet të arritje niveli i bashkëpunimin që kemi tashmë me Republikën e Kosovës, qoftë në numër të shtetasve që do të lëvizin, ashtu edhe të mallrave etj.
Çuçi gjithashtu tha se, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, do të realizohet edhe nisma për hapjen e pikave 24-orëshe për lëvizjen e banorëve të të dyja anëve të kufirit.