` . Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për “Open Balkan” që t’i heqin kufijtë! - TV SHENJA

Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për “Open Balkan” që t’i heqin kufijtë!

Përse heqja e kontrolleve kufitare në mes shqiptarëve të këtyre shteteve të mbetet peng i vullnetit ose paranojës së shteteve tjera përreth? Çka e pengon Republikën e Shqipërisë dhe Kosovën që t’i heqin kontrollet kufitare edhe nëse shtetet tjera përreth nuk duan ta bëjnë me ta një gjë të tillë?

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor aktualisht bashkëpunimi më intensiv bëhet ndërmjet  Serbisë dhe Republika Sërpskas në B&H, si dhe në mes Republikës së Shqipërisë me Kosovën. Serbia dhe entiteti R. Srpska e kanë të nënshkruar “Marrëveshje për Lidhje Speciale” të nënshkruar më 2006, ndërsa shteti shqiptar dhe Kosova prej 2008-tës e gjer më tani i kanë mbajtur gjashtë mbledhje të përbashkëta qeveritare dhe kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi (edhe pse shumë prej tyre nuk janë zbatuar, por kjo është temë tjetër).

Ndërkaq sa i përket subjekteve tjera, niveli i bashkëpunimit ndërshtetëror në Ballkanin Perëndimor është shumë i ulët. Që të ndryshojë ky realitet i brishtë, më gusht 2014, nën patronatin e kancelares gjermane Angela Merkel, u inaugurua iniciativa “Procesi i Berlinit” me qëllimin kryesor për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, edhe 7 vite nga fillimi i tij, as Procesi i Berlinit, pas së cilit qëndrojnë udhëheqësit më të fuqishëm të Evropës, nuk solli ndonjë përmirësim të ndjeshëm në marrëdhëniet në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pa dashur të jem cinik, arritja e vetme që mund ta ndjejnë qytetarët nga gjithë ato samite, konferenca dhe darka zyrtare në mes përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, është heqja e roamingut që ndodhi më 1 korrik të këtij viti.

Një zhvillim tjetër mjaft i mirë, por që ende nuk është operacionalizuar, është Plani Aksional për Tregun e Përbashkët Rajonal (Common Regional Market – CRM), që u nënshkrua gjatë Samitit të Sofjes më nëntor 2020. Tregu i Përbashkët Rajonal mbështetet në katër liritë: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Ndërkaq, disa nga mënyrat se si do të zbatohen këto liri janë përmes njohjes së ndërsjellë të diplomave dhe disa kualifikimeve profesionale, kalim të kufirit vetëm me letërnjoftim (që tashmë zbatohet në mes disa shteteve), pika të përbashkëta kufitare (one stop shop, që po ashtu tashmë zbatohen në disa raste), por ajo që është kyçe për neve – CRM-ja nuk e parasheh edhe heqjen e plotë të kontrolleve kufitare.

Tek po të njëjtat katër liri, si Tregu i Përbashkët Rajonal, mbështetet edhe plani “Open Balkan” i treshes Vuçiq-Rama-Zaev. Por, përderisa ekziston plani identik CRM, pas të cilit qëndron Bashkimi Evropian, çka iu desh Vuçiqit, Ramës dhe Zaevit që njëanshëm dhe pa bekimin e BE-së ta inaugurojnë planin “Open Balkan”, në të cilin refuzojnë të marrin pjesë gjysma e shteteve të Ballkanit Perëndimor?! Dallimi i vetëm rrënjësor ndërmjet të CRM-së dhe “Open Balkan” është heqja e kontrolleve kufitare. Por, nëse këtu paska qenë brenga, atëherë pse ka pasur nevojë të inaugurohet një plan me pika të tjera, që tashmë parashihen në CRM?! Për më tepër, duke e shpjeguar pozitën e Malit të Zi për refuzim të pjesëmarrjes në “Open Balkan”, kryenegociatorja për anëtarësim në BE, Zorka Kordiq, shprehet se Tregu i Përbashkët Rajonal është edhe më gjithëpërfshirës se “Open Balkan” për shkak se e përfshin edhe infrastrukturën digjitale, inovacionin, si dhe një politikë të vetme investimi sipas standardeve të BE-së.

Refuzimi i Malit të Zi për të hyrë në “Open Balkan” na sjellë edhe te një absurd tjetër: përderisa edhe qeveria pro-serbe e Malit të Zi nuk do të jetë pjesë e Open Balkanit, atëherë çka kërkon shteti shqiptar në një projekt ku palë kryesore është Serbia?!

Siç u tha, e vetmja gjë ku “Open Balkan” shkon përtej CRM-së, të sponsorizuar nga BE-ja, është heqja e tërësishme e kontrolleve kufitare ndërmjet shteteve. Por, përderisa Kosova e bëri shumë të qartë refuzimin për “mini-shengen, ku bën pjesë edhe Serbia, atëherë si nuk u ndal Edi Rama e të numëroje deri në dhjetë para se ta nënshkruajë heqjen e kontrolleve kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, përderisa ende nuk ka nënshkruar heqje të kontrolleve kufitare me Kosovën?!

Në janar të 2018-s, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, u shpreh se biznesmenët janë ata që nuk i lejojnë t’i heqin kontrollet kufitare me Kosovën: “Pas nesh qëndrojnë bizneset dhe bizneset na thonë ‘prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua koncesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, nuk më duhet mua politika, se më intereson më mirë të hyjë malli nga ky drejtim se sa nga ai drejtim’.”

Nëse qeveria në Tiranë nuk e paska hequr kufirin me Kosovën që t’u shkojë për qejfi biznesmenëve që nuk duan konkurrencë nga Kosova, atëherë me sa mend në kokë qeveria shqiptare nënshkroi heqje të kontrolleve kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërsa plani fillestar për lëvizje të lirë e përfshinte edhe Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën?!

Të gjithë ata që kanë udhëtuar nëpër Evropë kanë qenë dëshmitarë të lëvizjes së lirë të njerëzve ndërmjet shteteve dhe e dinë se sa mirë është që të udhëtosh pa pritur për kontrolle kufitare. Ky fakt, madje, ua ka mundësuar shumë njerëzve që edhe të jetojnë në një shtet të caktuar, por çdo ditë të udhëtojnë për punë në një shtet tjetër. Kështu që, kur të vësh në peshore gjithçka, heqja e kontrolleve kufitare në esencë është gjë e mirë, prandaj dhe këtë duhet ta bëjnë edhe shtetet e Ballkanit në mes vete.

Përderisa ankohemi nga pritjet e gjata në kufi dhe tallemi me sagën e gjatë të moshapjes së një pikëkalimi kufitar të ri, atëherë përse, thjesht, mos t’i heqim kontrollet kufitare tërësisht?! Dhe, si rezultat i kësaj, edhe ne në Ballkan ta ndjejmë kënaqësinë e udhëtimit ndërshtetëror pa pasur punë me policë kufitarë, që pa asnjë faj të shohin shtrembër dhe duan të të zënë duke kaluar me ndonjë gjësend që e ke blerë ashtu që të paguash doganë.

Shumica e njerëzve janë të durueshëm për këtë deri kur të integrohemi në Bashkimin Evropian. Por, përse të presim deri në integrimin në BE (që ndoshta nuk do të ndodhë asnjëherë) përderisa kontrollet kufitare mund të hiqen edhe para integrimit në BE dhe për këtë tashmë ekzistojnë precedente në Evropë? Për shembull, shtetet e Beneluksit i kanë hequr kontrollet kufitare që prej vitit 1960, ndërsa shtetet nordike (Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Finlanda) e kanë bërë të njëjtën qysh më 1958, pra shumë më herët se Marrëveshja e Shengenit, që u nënshkrua më 1985 dhe hyri në fuqi më 1995.

Megjithatë, problemi me 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor është se secili ka arsye të kuptueshme ose inate joracionale pse mos t’i heqë kontrollet kufitare me njërin ose tjetrin shtet. Kosova nuk do të heqë dorë nga pikë-kontrollet kufitare me Serbinë, gjë për të cilin e pat dhënë jetën polici Enver Zymberi, kurse Mali i Zi nuk do t’i heqë kontrollet kufitare me Serbinë, të cilat i ka vendosur që nga koha kur ishin bashkë në Republikën Federale të Jugosllavisë, ndërsa, bashkë me Maqedoninë e Veriut, nuk duan t’i heqin kufijtë vetëm me R. e Shqipërisë dhe Kosovën për shkak të mbizotërimit numerik të shqiptarëve (për të njëjtën arsye më 2012 Mali i Zi dhe Maqedonia ishin kundër idesë për “Beneluks Ballkanik” me 4 anëtarë, ide kjo që madje e mori mbështetjen edhe nga Bashkimi Evropian).

Dhe, kjo na sjell te Republika e Shqipërisë dhe Kosova. Përse heqja e kontrolleve kufitare në mes shqiptarëve të këtyre shteteve të mbetet peng i vullnetit ose paranojës së shteteve të tjera përreth? Çka e pengon Republikën e Shqipërisë dhe Kosovën që t’i heqin kontrollet kufitare edhe nëse shtetet tjera përreth nuk duan ta bëjnë me ta një gjë të tillë?

Mbi këtë Edi Rama është shprehur se çdoherë që është përmendur mundësia e heqjes së kontrolleve kufitare në mes R. së Shqipërisë me Kosovën “kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej”, madje edhe ka pyetur se si ia marrka mendja Albin Kurtit ta heqë kufirin R. e Shqipërisë-Kosovë “nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi, apo [Albini] do të hapë luftë?”

Deklarata të tilla janë mungesë guximi dhe krenarie, sepse edhe për shumë tema tjera që janë marrë veshë R. e Shqipërisë dhe Kosova (si p.sh. përfaqësitë e përbashkëta diplomatike), Serbia është ankuar për “Shqipërinë e Madhe”, por sot ato janë realitet i përditshëm që më nuk janë temë e lajmeve. Diçka e tillë do të ndodhte edhe sikur të nënshkruhej marrëveshje për heqje të kontrolleve kufitare. Kjo do të përflitej maksimum një javë, pastaj do të harrohej sepse në lajme do të dilnin tema tjera.

Por, nëse aq shumë qenka i brengosur Edi Rama për reagimet negative nga heqja e kontrolleve kufitare vetëm me Kosovën, është pikërisht mini-shengeni ose Open Balkani mundësi e mirë që të shfrytëzohet si kundërargument ndaj ankuesve të mundshëm për “Shqipërinë e Madhe”. Përderisa Serbia dhe shteti serbofil Maqedonia e Veriut në parim janë pajtuar për heqje të kontrolleve kufitare ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, atëherë me marrëveshje të veçantë Republika e Shqipërisë mund t’i heqë kontrollet kufitare me Kosovën! Në këtë mënyrë të gjithë dalin të kënaqur: edhe shqiptarët që e kanë ëndërr të kahmotshme lëvizjen e lirë nga Prishtina në Tiranë, edhe politikanët si Edi Rama që e kanë dertin e reagimeve të mundshme negative nga shtetet tjera.

Por, e gjithë kjo sagë me mini-shengenin dhe Open Balkanin shërbeu si mësim me rëndësi për diçka. Na mësoi se sa mendjenxehtë dhe hiperbolizues janë shumë analistë shqiptarë që te këto ide panë rrezik joekzistent për “Jugosllavi të Re”, madje edhe “Serbi të Madhe”, dhe u brengosën për mundësinë e pushtimit të tregut nga prodhimet serbe, thua ti se deri tash shqiptarët shumë pak kanë ngrënë prodhime serbe!

Ndërkaq, përçarja Rama-Kurti mbi këtë temë e shpërfaqi sërish nevojën e një kuvendi koordinativ me përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu që shqiptarët e ndarë padrejtësisht në disa shtete të kenë qëndrim të unifikuar për çështjet më me peshë; qoftë kjo “Mbrothësia” e Arben Xhaferit, ringjallja e “Pleqësisë” shqiptare të 1912-tës, por tani si dhomë e lartë e parlamentit të Republikës së Shqipërisë, ose çfarëdo forme tjetër të mundshme për konsultim mbarëshqiptar me qëllim të evitimit të përçarjes së kombit.