Shkon në 12 numri i viktimave pas aksidentit të autobusit në Kroaci, reagon kryeministri polak dhe kroat

Shkon në 12 numri i viktimave pas aksidentit të autobusit në Kroaci, reagon kryeministri polak dhe kroat

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki ka reaguar pas aksidentit të tmerrshëm ku mbetën të vdekur të paktën 12 persona dhe shumë u lënduan.

Ai ka ngushëlluar familjet e viktimave ndërsa ka biseduar me homologun kroat për mundësinë e intervenimeve më të shpejta shëndetësore.

“Sot në mëngjes, në aksidentin tragjik të një autobusi polak në Varazdin të Kroacisë, 11 persona humbën jetën dhe 34 u plagosën dhe u shtruan në spital. Ata ishin pelegrinët që po shkonin në Medjugorje. Dua të shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave. Sot në mëngjes bisedova për detajet e aksidentit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i cili më siguroi se shërbimet shëndetësore kroate ofrojnë mbështetje të plotë. Udhëzova shërbimet tona konsullore që të organizojnë mbështetje për familjet e viktimave të aksidentit”, shkroi Morawiecki në Twitter.

Ndërkohë, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka shkruar në Twitter se po u ofrohet ndihma e duhur të të lënduarve ndërsa u ka përcjell ngushëllimet e shtetit kroat viktimave të aksidentit.

“Në emër të qeverisë u shpreha ngushëllimet e mia familjeve të të vdekurve, duke raportuar se të gjitha shërbimet janë të angazhuara dhe se të lënduarit po ndihmohen”, ka shkruar Plenkoviq.

Ndryshe, mediat kroate kanë raportuar se 18 prej pelegrinëve polakë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. /Telegrafi/