Shkëndija të dielën në Strugë kundër Sileksit nis sezonin e ri

Shkëndija të dielën në Strugë kundër Sileksit nis sezonin e ri

Shkëndija e Tetovës duhet të lë prapa emocionet e verës së suksesshme europiane dhe eliminimit të pafat me penalti nga AIK-u i Suedisë, pasi të dielën u kthehet detyrave në skenën vendore. Kuqezinjtë tetovarë në Strugë do të ndeshen si ”vendas” me Sileksin e Kratovës ne duelin e xhiros së dytë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Tetovarët luajnë në Strugë shkaku i pezullimit të fushës së tyre me dy ndeshje, për ngjarjet e ndodhura sezonin e shkuar në duelin me Shkupin, ndërsa nisin sezonin e ri direkt në xhiron e dytë, pasi dueli i xhiros së parë me Skopjen është shtyrë për datën 17 gusht, me kërkesë të Shkëndijës që kishte angazhime në UEFA Conference League.

Dueli Shkëndija-Sileksi luhet në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në orën 17:00, ndërsa në të njejtën kohë zhvillohen edhe takimet Bregallnica-Struga Trim Lum, Pobeda-Tikveshi, Rabotniçki-Akademia Pandevin, ndërsa Skopje këtë xhiro është e lirë.

Shkupi në duelin e parë të xhiros së dytë mundi 2:1 Makedonija Gj.P.