Shkëndija një xhiro më herët del në pushim

Shkëndija një xhiro më herët del në pushim

Duke përfituar nga fakti se në xhiron e 18-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë Shkëndija është e lirë, futbollistët “kuqezi” janë lënë të lirë nga ana e stafit teknik menjëherë pas ndeshjes së fundit të së dielës, kur në Shkup, triumfuan 3:1 përballë Makedonija Gj.P.

Me verën e zgjatur Evropiane, kuqezinjtë praktikisht kishin pauzë shumë të shkurtër në verë shkaku i startit të hershëm të eliminatoreve të UEFA Conference League.

Prandaj pauza është e mirëseardhur për ekipin, që përfiton nga orari duke fituar një javë më shumë pushim, derisa skuadrat tjera elitare në fundjavë do të zhvillojnë ndeshjet e javës së 18-të.

Shkëndija pjesën e parë të sezonit e mbylli në pozitën e tretë me 28 pikë, 8 më pak se kampionët e vjeshtës të Struga Trim Lum si dhe 3 më pak se skuadra e dytë në renditje FC Shkupi.

Vlen të theksohet se Struga Trim Lum dhe FC Shkupi mund të risin epërsinë e pikëve ndaj “kuqezinjëve”, në rast se të dielën arrijnë fitore përballë Skopjes, gjegjësisht Rabotniçkit.