Shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë kulturore gjatë luftës në Kosovë

Shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë kulturore gjatë luftës në Kosovë

Lufta e fundit në Kosovë (1998-qershor,1999), veç vrasjeve, dhunimeve, dëbimeve të dhunshme, burgosjeve, helmimeve, plaçkitjes së pasurisë, etj., u shoqërua edhe me shkatërrime masive të ndërtimeve të trashëgimisë kulturore me vlera historike, kulturore, artistike, fetare e sociale të Kosovës. Kjo fushatë shkatërruese ishte e planifikuar dhe ekzekutuar nga institucionet shtetërore serbe dhe kishte për synim spastrimin kulturor e etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Shkruan: Orges DRANÇOLLI, Prishtinë

Kultura materiale, si e prekshme ashtu dhe shpirtërore, paraqet krijimtarinë, traditën dhe vazhdimësinë kulturore e artistike të një civilizimi, populli ose komuniteti të caktuar. Thënë ndryshe, ajo është ADN-ja e çdo populli ose komuniteti, nga ku gjurmohet dhe paraqitet e kaluara e tij. Po ashtu nga krijimtaria e të kaluarës inspirohet e tashmja dhe e ardhmja. Kësisoj sigurohet e kaluara, vazhdimësia dhe ruajtja e krijimtarisë kulturo-materiale. Andaj rëndësia e trashëgimisë kulturore nuk mund të kuantifikohet e as të krahasohet me asnjëvalutë. Kultura materiale është e çmuar, prandaj si e tillë është e domosdoshme të kultivohet, studiohet, mbrohet, revitalizohet dhe të promovohet, meqë paraqet identitetin dhe kujtesën kolektive të një populli.

 

Lufta ndaj trashëgimisë

 

Historia e njerëzimit njeh shumë raste kur kultura materiale e së kaluarës bëhet cak i plaçkitjes, sulmeve, shkatërrimit dhe asgjësimit të qëllimshëm. Ndër rastet më të hershme dhe të njohura të historisë është shkatërrimi i qytetit të Kartagjenës nga ushtria romake në vitin 146 para erës sonë. Rast tjetër është shkatërrimi i Romës nga Vizigotët (410 pas erës sonë). Vitet e shekujt pasues do të njohin edhe shumë ngjarje të tilla. Por, do të jetë shekulli XX, me theks të veçantë Lufta e Dytë Botërore, kur ky tip i dhunës do të përshkallëzohet. Si pasojë e shkatërrimeve dhe plaçkitjeve masive gjatë luftës, në vitin 1954 u nënshkrua Konventa e Hagës. Qëllimi i kësaj konvente ishte mbrojtja e trashëgimisë kulturore në raste lufte.

Përkundër kësaj konvente, shkatërrimi i trashëgimisë jo vetëm që nuk u ndal, por mori trajta të reja dhe filloj të gjejë zbatim edhe më të madh në luftërat dhe konfliktet e kohës bashkëkohore. Luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ajo në Kosovë,në fundin e shekullit XX, ishin dëshmitare të një shkatërrimi masiv të kulturës materiale. Palët ndërluftuese në Bosnje e Hercegovinë, ushtria serbe në veçanti, ushtroi dhunë sistematike të qëllimshme ndaj objekteve kulturore që kryesisht i takonin periudhës osmane.

Së fundi shkatërrim masiv të objekteve të kulturës materiale pati dhe në luftërat në Lindjen e Mesme, përkatësisht siç ishte rasti i shkatërrimit te qytetit antik të Palmirës nga organizata terroriste ISIS(2015). Ky rast, i kohës bashkëkohore edhe njëherë dëshmoi se sa të rrezikshme janë ideologjitë regresive, ku historia, kultura, arti dhe trashëgimia e palës tjetër nuk respektohet dhe nuk pranohet. Dhe, pikërisht ky averzion ndaj trashëgimisë, kulturës dhe besimit të të tjerëve bëhet shkak për shkatërrimin e saj.

 

Shkatërrimi i ndërtimeve të trashëgimisë kulturore gjatë luftës në Kosovë

 

Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 pati pasoja shkatërruese për kulturën materiale. Krahas krimeve në njerëz, forcat shtetërore serbe ushtruan dhunë sistematike dhe të qëllimshme ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore. Plaçkitja, goditja me predha artilerie të kalibrave të ndryshëm, vënia e zjarrit me bombola gazi, muret e dëmtuara me grafite vandalizuese, të shoqëruara me simbole nacionaliste serbe, ishin disa nga metodat që u përdorën për realizimin e shkatërrimeve të tyre. Peizazhi i lënë pas luftës në fshatrat dhe qytetet e Kosovës u ngjasonte skenarëve të filmave post-apokaliptik.

Objektet arkitektonike që u shkatërruan ishin të karaktereve dhe të tipave të ndryshme të ndërtimit. Kjo trashëgimi, kryesisht, i takonte periudhës së sundimit osman në Kosovë, përkatësisht bëhet fjalë për ndërtime të realizuara nga shek. XV, deri në fund të shekullit XX. Te theksojmë se nga ky thesar i pasur u plaçkitën, dëmtuan, demoluan, dogjën ose u shkatërruan tërësisht 218 objekte fetare islame (xhami, mesxhide, teqe, tyrbe, gur varre); 3 çarshi (Vushtrri, Pejë, Gjakovë) me gjithsej 858 dyqane, hamame, medrese, biblioteka me tërë arkivin e tyre; ura, mullinj, etj. Po ashtu u shkatërruan dhe u dëmtuan në masë të madhe mbi 700 kulla, objekte të banimit me karakter mbrojtës, tipike për arkitekturën tradicionale shqiptare. Nuk duhet harruar as arkitekturën banesore qytetare, që pësoi fat të njëjtë.

Njëherazi duhet veçuar edhe komplekset e personaliteteve dhe ngjarjeve historike, si p.sh.: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i Isa Boletinit, Kompleksi i Mullirit të Haxhi Zekës, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, Kompleksi i Zenel Beut, “Oda e Junikut”, etj. Duhet të përmendim se, krahas shkatërrimeve të ndërtimeve arkitektonike të trashëgimisë kulturo-materiale, pos plaçkitjes u dogjën me mijëra objekte të lëvizshme të rëndësisë dhe vlerave etnografike, si: qilima, jastëkë, arkat e nusërisë, veshjet tradicionale, punimet dekorative në objekte, mjetet e punës që ruheshin si eksponate në kuadër të objekteve përkatëse etj.

Shembujt e mësipërm dëshmojnë se dhuna dhe agresioni ndaj trashëgimisë së ndërtuar ishin të qëllimshme. Shkatërrimet ishin joproporcionale me luftimet e bëra në Kosovë. Këto shkatërrime u realizuan edhe në fshatra dhe qytete ku nuk kishte luftime. Objektet e shkatërruara nuk ishin caqe ushtarake dhe nuk paraqisnin rrezikshmëri për agresorin. Por, “mëkati” i tyre ishte rëndësia dhe vlerat që ato përmbanin. E ato janë vlera historike, kulturore, artistike e fetare për popullin dhe identitetin shqiptar. Rrjedhimisht, këto shkatërrime nuk mund të ndahen nga fushata e përgjithshme e plaçkitjeve, vrasjeve, dhunimeve, helmimeve, burgosjeve dhe dëbimeve të dhunshme, që u realizuan nga aparatura shtetërore serbe, si plan-veprim përbërës i strategjisë institucionale të tyre për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Duhet theksuar se një numër i konsiderueshëm i objekteve, komplekseve të shkatërruara, ishin nën mbrojtje të shtetit dhe të shpallura si monumente kulturo-historike. Përkundër kësaj, si dhe përkundër faktit që ish federata jugosllave ishte nënshkruese e Konventës së Hagës (1954), prapëseprapë politika shtetërore serbe i realizoi synimet shkatërruese ndaj monumenteve kulturo-historike. Për më shumë, regjimi serb i Beogradit, me anë të propagandës së rrejshme, synoi që këto shkatërrime t’ia adresonte NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, shkuan aq larg, saqë këtyre dy të fundit ia përshkruan shkatërrimin e manastireve mesjetare të stilit bizantin në Kosovë. Në këtë rast duhet theksuar dhe krenuar me vetëdijen e lartë të treguar ndaj trashëgimisë kulturore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në luftën e saj nuk dëmtoi dhe shkatërroi asnjë kishë ortodokse në territorin e Kosovës, përfshirë edhe kishat ortodokse që u ndërtuan pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912, për të cilat mund të themi se ishin serbe, meqë u ndërtuan për kolonët serb dhe për serbizimin e Kosovës. Ndërkaq, ato të realizuara gjatë mesjetës i përkasin banorëve që i shfrytëzuan ato, ndërsa ata ishin kryesisht banorë autoktonë dardanë-arbër-shqiptarë dhe banorë të tjerë të ardhur në rrethana të ndryshme historike.

Për t’ia dhënë goditjen e fundit trashëgimisë kulturore dhe për t’i humbur gjurmët e ekzistencës së saj, institucionet serbe, përkatësisht Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, me vendimin nr. 140 të datës 09.06.1999, urdhëroi bartjen e tërë dokumentacionit të ish Entit Krahinor të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Prishtinë për në qytetin e Krushevcit të Serbisë.

Sot, 23 vite pas luftës, trashëgimia e shkatërruar ende nuk e ka marrë veten e saj. Fatkeqësisht, një numër i madh i trashëgimisë kulturore i ka humbur tërësisht gjurmët fillestare. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i inventarizojnë dhe të krijojnë dokumentacionin përkatës për objektet e shkatërruara të kulturës materiale. Kjo duhet të bëhet me qëllim që sa më shpejt të intervenohet aty ku mundet, me qëllim të restaurimit, rikthimit në gjendje fillestare dhe revitalizimit të ndërtimeve me vlera historike, kulturore e artistike të trashëguara nga mjeshtër dhe krijues shqiptarë.

Gjakovë, Xhamia e Hadumit.

 

Prizren, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

Pejë, Kulla e Haxhi Zekës (Lidhja Shqiptare e Pejës).

 

Pejë, Çarshia e Pejës.

 

Kopje e dokumentit që urdhëron bartjen e dokumentacionit të Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë.