` . SHBA do t'i kthejë migrantët në Meksikë me avion - TV SHENJA

SHBA do t’i kthejë migrantët në Meksikë me avion

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) tha se duke filluar nga fundi i janarit planifikon të realizojë dy fluturime në javë me të cilat do të kthehen migrantët meksikanë në brendësi të vendit, transmeton AA.

Zbatimi filloi muajin e kaluar me fluturime të destinuara nga Tuscon, Arizona në qytetin juglindor të Meksikës Guadalajara për të parandaluar emigracionin e paligjshëm, njoftoi të martën Fox News.

Ky është një ndryshim i madh në krahasim me praktikën e lirimit të migrantëve në kufi, me një ide për ta bërë më të vështirë përpjekjen e tyre për t’u kthyer.

Sipas raportimit, DHS tha se synon të kthejë 250 migrantë me dy fluturime në javë. Zyrtarët thonë se migrantët që kthehen janë të gjithë shtetas meksikanë nga rajonet meksikane që nuk janë në kufi me SHBA-të, të cilët kohët e fundit kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA.

“Ky është një shembull tjetër i administratës Trump që punon me Qeverinë e Meksikës për të adresuar krizën e vazhdueshme të sigurisë kufitare”, tha për Fox News Heather Swift, zëdhënësi i DHS-së.

“Meksika ka qenë një partner i shkëlqyeshëm në ndalimin e migrimit të paligjshëm para se të arrijnë në kufirin tonë dhe në zbatimin e Protokollit të Mbrojtjes së Migrantëve i cili na ka lejuar të sigurojmë të dhënat nga gjykatat për më shumë se 55 mijë persona”, shtoi ajo.

Protokolli i Mbrojtjes së Migrantëve parashikon që migrantët nga të gjitha vendet nga jugu i kufirit të kthehen në Meksikë dhe të presin seancat dëgjimore për migracionin.

Që nga ardhja e tij në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump ndoqi një qasje të rreptë ndaj imigracionit, si atë të ligjshëm ashtu edhe të paligjshëm.

Ndërkohë, migrantët nga vendet e Amerikës Qendrore përpiqen çdo vit të kalojnë shkretëtirat dhe lumenjtë e rrezikshëm në rrugëtimin e tyre për në SHBA, në një përpjekje për të shpëtuar nga dhuna dhe varfëria në vendet e tyre të lindjes.

Administrata e presidentit Trump gjithashtu mori miratimin e gjykatës federale të apelit në Luiziana, e cila vendosi që qeveria të mund të përdorë 3.6 miliardë dollarë të fondeve ushtarake për të ndërtuar barriera kufitare përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Pas vendimit të gjykatës, Pentagoni njoftoi se është gati të sigurojë mbështetje shtesë financiare për murin e diskutueshëm kufitar.

Muri kufitar ishte një nga premtimet më të spikatura të fushatës së presidentit Trump, një zotim i cili duhej të ndihmojë në mbajtjen e emigrantëve pa dokumente jashtë vendit, por që tre vitet e fundit ka shënuar përparim të vogël.

Si pjesë e politikës së tij kundër emigracionit, Washingtoni gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje të vendit të tretë të sigurt me Guatemalën, El Salvadorin dhe Hondurasin.

Marrëveshja e vendit të tretë të sigurt detyron migrantët e Amerikës Qendrore të kërkojnë azil në vendin e nënshkruar dhe të përpunohen në atë vend përpara se të mund të kërkojnë azil në SHBA, edhe pse sipas ligjeve amerikane migrantëve u lejohet të kërkojnë azil brenda në SHBA ose në portet zyrtare të hyrjes.

Edhe pse Meksika refuzoi një marrëveshje të tillë, ajo arriti një tjetër marrëveshje në qershor me administratën amerikane pas një tarife që detyroi vendin të zvogëlojë fluksin e migracionit.