SHBA publikon udhëzues lidhur me zbatimin e çmimit tavan ndaj naftës ruse

SHBA publikon udhëzues lidhur me zbatimin e çmimit tavan ndaj naftës ruse

Departamenti i Thesarit të SHBA-së publikoi udhëzuesin lidhur me planin për zbatimin e çmimit tavan ndaj naftës ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në udhëzuesin ku paraqiten hapat që duhet të ndërmerren nga sektori privat për t‘iu përmbajtur zbatimit të çmimit tavan dhe udhëzimin lidhur me përcaktimin e kontrabandës, thuhet se ata që blejnë naftën ruse me një çmim mbi tavanin dhe ata të cilët sigurojnë dokumente të gabuara (false) mund të jenë subjekt i hetimit për shkak të shkeljes së sanksioneve.

Në udhëzues vihet në dukje se siguruesit e shërbimeve detare nuk do të mbahen përgjegjës për informacionet e gabuara të çmimeve që sigurohen nga blerësit dhe shitësit e naftës bruto ruse.

Qeveritë që marrin pjesë në zbatimin e çmimit tavan do të ndajnë informacione që do të ndihmojnë zbatimin e praktikës, thuhet në udhëzuesin në të cilin njoftohet se siguruesit e shërbimeve detare duhet të ruajnë për 5 vite regjistrat lidhur me dërgesat e naftës ruse.

Në udhëzues vihet në dukje se zbatimi i çmimit tavan do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor për naftën bruto ruse dhe më 5 shkurt 2023 për produktet e rafinuara.

Nënsekretari Departamenti amerikan të Thesarit për politikat e ekonomisë, Ben Harris gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet në Institutin Brookings tha se do të zgjasë edhe disa javë zhvillimi plotësisht i planit për të përfshirë edhe përcaktimin e çmimit tavan.

Ministrat e Financave të vendeve G7 të përbërë nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia pas një takimi të mbajtur javën e kaluar në Gjermani njoftuan miratimin e planit për zbatimin e çmimit tavan për naftën ruse.

Në deklaratën e përbashkët të ministrave të Financave të G7, u bë e ditur se kufiri i çmimit do të përcaktohet më vonë “duke u bazuar në një sërë të dhënash teknike”.

Zëvendës kryeministri i Rusisë, Alexander Novak ka deklaruar se nuk do t’i shesin naftë dhe produkte të naftës kompanive dhe vendeve që mbështesin zbatimin e çmimit tavan ndaj naftës ruse.