SHBA, politikanja muslimane Omar betohet në Kongres mbi Kur’an

SHBA, politikanja muslimane Omar betohet në Kongres mbi Kur’an

Politikanja muslimane me origjinë nga Somalia, Ilhan Omar, e cila në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ka hyrë në Dhomën e Përfaqësuesve nga rajoni Minnesota, bëri betimin mbi Kur’anin e mbetur nga gjyshi i saj të cilin e mban me vete që kur ka ardhur në SHBA në vitin 1995 si refugjate, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e saj në Twitter, Omar ka postuar një fotografi lidhur me ceremoninë e betimit. “Si një fëmijë, kam kryer rolin si përkthyese e gjyshit tim në takimet partiake dhe ishte ai që nxiti interesin tim të parë në politikë. Unë dëshiroj që ai të mund të ishte këtu për të dëshmuar këtë moment historik, por këtu ka qenë i pranishëm shpirti i tij sepse unë vendosa dorën në Kur’anin e tij në ceremoninë e betimit”, tha ajo.

E ardhur në SHBA në vitin 1995 si refugjate bashkë me familjen e saj, Omar dje disa orë para betimit në Kongres bëri disa postime që tërhoqën vëmendjen në lidhje me të kaluarën e saj.
Omar, e cila është politikanja e parë muslimane në historinë politike të SHBA-ve që hyn me mbulesë në Kongres, nga llogaria e saj në Twitter postoi fotografi me babain e saj në aeroportin Washington DC ku kishte shkruar: “23 vite më parë unë dhe babai im nga kampi i refugjatëve në Kenia zbritëm në aeroportin e Washington DC. Ndërsa sot kemi zbritur në këtë aeroport për t’u betuar në Kongres si somalezja-amerikane e parë”.