SHBA përshëndet përfshirjen e Türkiye-s në eksportet e grurit nga Ukraina

SHBA përshëndet përfshirjen e Türkiye-s në eksportet e grurit nga Ukraina

SHBA ka përshëndetur përpjekjet e Türkiye-s për eksportin e grurit nga Ukraina që është bllokuar brenda vendit mes luftës së saj me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, koordinatori për komunikimet strategjike i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA po punon me aleatët dhe partnerët në përpjekje për të eksportuar grurin nga vendi i goditur nga lufta.

“Türkiye po flet me Rusinë për këtë. Ne sigurisht mirëpresim përfshirjen dhe përpjekjen e Türkiye-s për të ndërmjetësuar një lloj marrëveshjeje ku gruri mund të transferohet përmes detit”, u tha Kirby gazetarëve.

Ai tha se “sigurisht” do të ndihmonte nëse Rusia heq bllokadën e porteve të Ukrainës. Moska tha se do të heq bllokadën nëse qeveritë perëndimore heqin sanksionet ndaj Rusisë.

Zyrtarët ushtarakë rusë dhe turq u takuan dje në Moskë për të diskutuar daljen e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet ukrainase.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se palët po ashtu diskutuan qasjet për të siguruar lundrim të sigurt në Detin e Zi.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, së fundmi diskutoi këtë çështje me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, për t’i hapur rrugën lëvizjes së anijeve që transportojnë grurë nga zona e luftës.

Përveç kësaj, Ankaraja po punon për të ndihmuar masat e ndërtimit të besimit midis Rusisë dhe Ukrainës.