SHBA-ja premton 6 miliardë dollarë për Fondin Global për Shëndetësi

SHBA-ja premton 6 miliardë dollarë për Fondin Global për Shëndetësi

Gjatë sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), presidenti amerikan, Joe Biden, premtoi se do të dhurojë gjashtë miliardë dollarë për Fondin Global për Shëndetësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden në New York mbajti një fjalim të quajtur “Konferenca e shtatë e Fondit global”, ku vend pritës ishin SHBA.

Duke theksuar se vendi i tij është krenar që është një nga themeluesit e Fondit Global për Shëndetësi, Biden tha se me pjesëmarrjen e vendeve të tjera donatore në 20 vitet e fundit, ata kanë shpëtuar 50 milionë jetë në vendet që kanë nevojë për ndihmë dhe kanë ulur ndjeshëm shkallën e vdekjeve nga SIDA, tuberkulozi dhe malaria.

“Nuk ka asnjë vështirësi në punën me partnerët për të siguruar që të gjitha komunitetet të jenë të shëndetshme dhe të fuqishme”, tha ai.

Ai shtoi se SHBA-ja do të dhurojë 6 miliardë dollarë tjera për fondin global, duke theksuar se shuma totale e donacioneve të mbledhura në program do të arrijë në 14 miliardë dollarë.

“Ky është një investim që do të shpëtojë 20 milionë jetë tjera gjatë katër viteve të ardhshme, do të zvogëlojë vdekshmërinë nga sëmundjet me 64 për qind dhe do të mbështesë përparimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor që kanë merita të veçanta për punën e tyre”, tha Biden.

Fondi Global për Shëndetësi është një organizatë partneriteti e shekullit të 21-të e themeluar për të përshpejtuar fundin e SIDA-s, tuberkulozit dhe malaries si epidemi.