SHBA-ja me pako të re armësh prej 820 milionë dollarësh për Ukrainën

SHBA-ja me pako të re armësh prej 820 milionë dollarësh për Ukrainën

Pentagoni njoftoi të premten se do të dërgojë në Ukrainë armë dhe municione shtesë, në vlerë prej 820 milionë dollarësh.

Pakoja e katërmbëdhjetë e armëve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për lëshuesit e raketave precize “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë municione artilerie të kalibrit 155 mm, si dhe katër radarë shtesë kundër artilerisë.

Sistemet e mbrojtjes kundërajrore, të njohura si NASAMS, janë sisteme të raketave tokë-ajër me rreze të shkurtë dhe të mesme veprimi.

Lëshuesit me telekomandë supozohet të ndihmojnë forcat ukrainase të mbrohen kundër raketave lundruese.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet për t’i përmbushur kërkesat e saj në fushën e betejës”, tha sekretari për shtypin i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së, Todd Breasseale.

Me pakon e re të armëve, e cila mbështetet në furnizimet ushtarake amerikane, vlera e totalit të alokimeve për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.