SHBA-ja falënderon Türkiye-n për rolin në transportin e drithit ukrainas

SHBA-ja falënderon Türkiye-n për rolin në transportin e drithit ukrainas

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield falënderoi Türkiye-n (Turqinë) për përpjekjen e saj në nismën për transportin e drithit ukrainas nga Deti i Zi në tregun botëror, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Më lejoni të përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së (Antonio Guterres) dhe qeverinë turke për kontributet e tyre në përparimin e kësaj nisme”, deklaroi Greenfield në një intervistë për kanalin amerikan CNN.

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB tha se “Kjo nismë do të përparojë dhe do të mund të hedhim në treg 20 milionë tonë drithë që ndodhen në këto anije. Do të vazhdojmë të mbështesim këtë përpjekje”.

Greenfield përsëriti kritikat e saj kundër Rusisë e cila menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për drithin bombardoi portin Odesa.

Nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan më 22 korrik Türkiye, Rusia, Ukraina dhe OKB-ja nënshkruan “Dokumentin e Nismës për Dërgimin e Sigurt të Drithit dhe Produkteve Ushqimeve nga Portet e Ukrainës”.

Qendra e Përbashkët Koordinuese e formuar për dërgimin e sigurt të produkteve të grurit nga Deti i Zi, u vendos në funksion më 27 korrik në kampusin e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Istanbul.

Pas përfundimit të kontrolleve nga përfaqësuesit rus, ukrainas, turq dhe të OKB-së që janë me detyrë në Qendrën e Përbashkët Koordinuese, anija e emërtuar “Razoni” dje u largua nga Istanbuli dhe kaloi në Detin Marmara.