` . SHBA-ja dhe Kina pajtohen për "fazën e parë" të marrëveshjes tregtare - TV-SHENJA

SHBA-ja dhe Kina pajtohen për “fazën e parë” të marrëveshjes tregtare

SHBA-ja dhe Kina njoftuan se janë pajtuar për “fazën e parë” të një marrëveshjeje tregtare.

Ujdia do të mundësojë heqjen ose pezullimin e tarifave në vlerë prej miliarda dollarësh.

Aksionet në Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri, me shpresën se do të ketë një zbutje të vazhdueshme të tensioneve tregtare, midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Tarifat e reja amerikane për importet kineze, do të hynin në fuqi të dielën. Por, kjo masë është anuluar tani për tani.

“Ne do t’i fillojmë negociatat për marrëveshjen në fazën e dytë menjëherë, në vend se të presim deri pas zgjedhjeve të vitit 2020”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.

“Kjo është një marrëveshje e mahnitshme për të gjithë”, shtoi Trump.

Nëse tarifat e reja, do të kishin hyrë në fuqi, atëherë mallrat e prodhuara nga Kina, siç janë: telefonat, rrobat dhe lodrat, do të ishin bërë më të shtrenjta për amerikanët, para festës së Krishtlindjes.

Kjo është një marrëveshje në parim, që do të thotë se nëse Kina nuk e zbaton ndonjë pjesë të marrëveshjes, administrata amerikane ka mundësinë të ri-zbatojë tarifat.

Zyrtarët kinezë thanë se “marrëveshja do të sigurojë mbrojtje më të madhe për kompanitë e huaja në Kinë, si dhe kompanitë kineze në SHBA”.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë janë përfshirë në një konflikt tregtar për më shumë se një vit, duke goditur njëra-tjetrën me tarifa të mallrave në vlerë qindra miliarda dollarë.