SHBA: Fillon punën Kongresi i ri

SHBA: Fillon punën Kongresi i ri

Të enjten pritet të betohen përfaqësuesit e Kongresit të ri amerikan.

Pas dy vjetësh kontrolli nga republikanët të Shtëpisë së Bardhë, Senatin dhe Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët gëzojnë shumicën e kësaj të fundit.

Kjo si rezultat i zgjedhjeve për Kongresin të mbajtura në muajin nëntor gjatë të cilave demokratët bënë përparime të mëdha duke marrë në fund të procesit 235 vende në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 vendesh. Republikanët siguruan dy vende më shumë në Senat dhe aktualisht gëzojnë një shumicë prej 53 vendesh në raport me demokratët që kanë 47.

Ligjvënësja Nancy Pelosi pritet të votohet për postin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, një post të cilin ajo e ka mbajtur nga viti 2007 deri në vitin 2011. Ajo është e gruaja e vetme që ka mbajtur postin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa demokratë kanë shprehur dëshirën për një drejtim të ri dhe zonja Pelosi ka rënë dakord të shërbejë jo më shumë se katër vjet si kryetare në këmbim të mbështetjes për këtë mandat.

Kongresi i ri është është më i larmishmi për nga përbërja në historinë e vendit.

Ai përfshin ligjvënësen Alexandria Ocasio-Cortez nga Nju Jorkut, gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në historinë e Kongresit. Po kështu Rashida Tlaib e Miçiganit dhe Ilhan Omar e Minesotës, janë dy gratë e para të besimit mysliman të zgjedhura për një vend në Kongres. Deb Haaland e New Mexico-s dhe Sharice Davids nga Kansasi janë dy gratë e para që përfaqësojnë në Kongres popullsinë indigjene të Amerikës. Gjithashtu Kongresi i ri ka edhe 10 ligjvënës që janë deklaruar hapur se i takojnë komunitetit LGBTQ.

Në total gratë mbajnë 102 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 25 vende në Senat.

Kongresi i ri përballet me sfidën e menjëhershme të trajtimit të çështjes së mbylljes së pjesshme të qeverisë. Deri tani ka pak gjasa që udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata republikanë të Senatit, të bien dakort për një plan shpenzimesh që do të rihapte një të katërtën e shërbimeve qeveritare që aktualisht janë të mbyllura.