SHBA do të shesë 10 milionë fuçi të naftës bruto nga rezervat strategjike

SHBA do të shesë 10 milionë fuçi të naftës bruto nga rezervat strategjike

SHBA-ja ka njoftuar se do të shesë deri në 10 milionë fuçi naftë bruto nga Rezerva Strategjike e Naftës (SPR) për të ndihmuar në uljen e kostove të energjisë për familjet amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamenti i Energjisë tha se shitja ishte pjesë e premtimit të presidentit amerikan Joe Biden për të lëshuar një total prej 180 milionë fuçish nga SPR për të mbështetur tregun përballë ndërprerjeve të furnizimit të shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë.

Ky hap vjen pasi Biden u kërkoi vazhdimisht prodhuesve të OPEC+ të rrisin prodhimin kolektiv të grupit për të siguruar furnizim shtesë në treg me çmime më të ulëta të naftës bruto.

Megjithatë, grupi nuk i përmbushi kërkesat e tij, kështu që rezervat u aktivizuan në SHBA, Kinë, Indi, Japoni, Korenë e Jugut dhe Britaninë e Madhe.

Dorëzimi i transhës së re të naftës bruto nga SPR do të bëhet në nëntor.

Departamenti njoftoi se me shitjen e serisë së fundit do të shiten rreth 165 milionë fuçi naftë nga gjithsej 180 milionë fuçi. Shitja do të bëhet jo më vonë se data 7 tetor.

SHBA-ja ka SPR-në më të madhe në botë me më shumë se 600 milionë fuçi të ruajtura në shpella të mëdha kripe nëntokësore në katër lokacione të vendosura në bregun e Gjirit Meksikan.