SHBA dhe Kina mbajnë hapur linjat e komunikimit, por tensionet vazhdojnë

SHBA dhe Kina mbajnë hapur linjat e komunikimit, por tensionet vazhdojnë

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ranë dakord të mbajnë linja të hapura komunikimi pas bisedimeve të tyre të para të drejtpërdrejta që kur zoti Biden u bë president i Shteteve të Bashkuara. Takimi u zhvillua në kuadër të mbledhjes së grupit të G-20 në Bali në muajin nëntor . Por pas disa vitesh tensioni mbi disa çështje, përfshirë tregtinë dhe Tajvanin, shumë presin që fërkimet të vazhdojnë.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping shprehën gatishmërinë për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve në bisedimet e tyre të para ballë për ballë që kur zoti Biden u bë president, duke u zotuar se vendet e tyre do të rifillojnë bisedimet për përparësitë kryesore globale.

Për të vazhduar bisedimet, Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë Kinën në fillim të vitit 2023.

“Për sa i përket Kinës, mendoj se një nga rezultatet e rëndësishme të bisedës që Presidenti Biden pati me Presidentin Xi ishte një pikëpamje e përbashkët se ne duhet të mbajmë të hapura – dhe në të vërtetë, të forcojmë – linjat e komunikimit midis vendeve tona. Kjo është e nevojshme nëse duam të menaxhojmë me përgjegjësi marrëdhënien për të trajtuar konkurrencën që kemi në mënyrë që ajo të mos kalojë në konflikt”, tha sekretari Blinken.

Pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan në gusht, Kina pezulloi bisedimet për klimën dhe ato ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Kina gjithashtu intensifikoi dislokimin e saj ushtarak kundër vendit demokratik të vetëqeverisur, që Pekini pretendon si territorin e tij.

Të dy vendet rifilluan bisedimet për klimën në Egjipt, ku i dërguari i posaçëm i SHBA John Kerry dhe përfaqësuesit kinezë vlerësuan rifillimin e komunikimit.

“Është shumë i sinqertë, miqësor, pozitiv dhe shumë konstruktive – kështu do ta komentoja konsultimin zyrtar midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha i dërguari i Kinës për klimën Xie Zhenhua.

Por analistët paralajmërojnë se çështjet kryesore që kanë nxitur konkurrencën dhe mosmarrëveshjet midis dy vendeve ende vazhdojnë, duke përfshirë tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut, Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

“Ne shohim të dyja palët të shtojnë fuqinë ushtarake, përfshi në Indo-Paqësor. SHBA-ja po ndryshon pozicionimin e saj në rajon; kinezët vazhdojnë të ndërtojnë një marinë të aftë për operacione globale, të ndërtojnë armë me rreze të gjatë dhe armë bërthamore – të treja këto për parandalim të sulmeve të mundshme. Kështu që unë mendoj se konkurrenca është e pashmangshme”, thotë Seth Jones me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në Kamboxhia, zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga SHBA dhe Kina diskutuan mbi nevojën për të përmirësuar komunikimet për krizën, ndërsa SHBA vazhdon të ngrejë shqetësime për atë që Uashingtoni thotë se është një sjellje “gjithnjë e më e rrezikshme” nga ushtria kineze në rajon. /VOA/