` . SHBA dhe Greqia diskutojnë "nevojën urgjente" për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor - TV SHENJA

SHBA dhe Greqia diskutojnë “nevojën urgjente” për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka diskutuar me homologun e tij grek, Nikos Dendias, “nevojën urgjente” për të qetësuar tensionet në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departmenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Pompeo u takua me kryediplomatin grek më herët gjatë ditës në Vjenë të Austrisë gjatë turneut të tij në vazhdim në Evropë.

“Sekretari Pompeo dhe ministri i jashtëm Dendias diskutuan marrëdhëniet e forta bilaterale SHBA-Greqi dhe nevojën urgjente për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor”, tha në një deklaratë zëdhënësi i departmentit amerikan, Morgan Ortagus.

Tensionet në rajon janë rritur pas paktit të ri të diskutueshëm detar midis Greqisë dhe Egjiptit. Burimet greke të mbrojtjes dje njoftuan stërvitje të përbashkëta ushtarake në Mesdheun Lindor së bashku me Francën.

Stërvitja, e cila përfshin dy avionë luftarakë francezë Rafale, u krye në ishullin e Kretës pasi të mërkurën Franca njoftoi se do të rrisë praninë ushtarake në rajon.

Vendimi i Francës erdhi pasi presidenti i vendit, Emmanuel Macron dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, realizuan një telefonatë për të diskutuar situatën e fundit në rajon.

Dje, Franca tha se po dërgon dy avionë luftarakë Rafale dhe frigatën detare Lafayette në Mesdheun Lindor.

Turqia të hënën rifilloi kërkimet e energjisë në Mesdheun Lindor, menjëherë pas nënshkrimit të paktit detar greko-egjiptian, të cilën Turqia e quajti të paligjshme.

Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, paralajmëroi se do ta paguajë shtrenjtë kushdo që është përgjegjëse për një sulm të ardhshëm mbi një anije turke të angazhuar për kërkimet e energjisë përgjatë ndarjes kontinentale të Turqisë në rajon.