Shaqiri mohon se u kursye për ndeshjen me Serbinë, e sheh nder të përmendet krah Messit e Ronaldos

Shaqiri mohon se u kursye për ndeshjen me Serbinë, e sheh nder të përmendet krah Messit e Ronaldos

Xherdan Shaqiri me golin e shënuar kundër Serbisë në fitoren 3:2 të Zvicrës, ishte futur në listën e rekordeve. Ai kishte arritur një gjë që e arritën vetëm Cristiano Ronaldo e Lionel Messi, të shënojë gola në tre kampionate botërore.

“Të jesh në një listë me emra të tillë është shumë e veçantë. Ata janë më të mirët në botë”, ka thënë Shaqiri raporton “Blick”.

Shaqiri ishte mjaft i kërkuar nga gazetarët në stërvitje të dielën. Gati 50 gazetarë erdhën t’i bënin pyetje atij.
Shumica e pyetjeve sillen rreth lojës me Serbinë. Ishte e veçantë kjo ndeshje edhe për Shaqirin.

“Por e dija nga viti 2018 se çfarë më priste”, thotë Shaqiri.

Si në Botërorin 2018 në Rusi, Shaqiri shënoi edhe në Katar kundër Serbisë.
Në vend të shqiponjës dykrenore, ai në ndeshjen e së premtes brohoriti duke bërë më gisht tregues te emri tij, ndërsa para se të shënonte ishte fishkëllyer në çdo prekje të topit.

“Kishte shumë emocione të përfshira, por isha i përqendruar në performancën time”, thotë Shaqiri.

Shaqiri mungoi në ndeshjen kundër Brazilit, të cilën e humbi Zvicra me 1:0. Por, kundër Serbisë ishte vendimtar. Pos golit nisi aksionet nga ku u shënuan dy gola tjerë.

Ai mohon se ishte kursyer për ndeshjen ndaj Serbisë.

“Është marrëzi kjo”, thotë Shaqiri.

Shaqiri ishte zemëruar kur seleksionuesi i Zvicrës, Murat Yakin, e zëvendësoi atë pas 60 minutave lojë.

“Nuk isha i kënaqur, i thashë edhe trajnerit, por e pranova vendimin e tij. Doja të shënoja edhe një gol e të fitonim grupin”, thotë Shaqiri.

Shaqiri nuk bën një dramë për këtë. Ai po ashtu i sheh të tepërta kritikat për punën e tij në mbrojtje.

“Detyra ime kryesore është sulmi. Nëse nuk shënoj apo asistoj, atëherë as mediat nuk janë të lumtura”, thotë Shaqiri.

Shaqiri është pyetur edhe për Granit Xhakën dhe për festën e tij pas ndeshjes me fanellën e Ardon Jasharit.

“Nuk besoj se ai donte t’i dërgonte një përshëndetje shtesë dikujt”, thotë Shaqiri.

Shaqiri kishte shënuar “hat-trick” në Botërorin 2014 në ndeshjen kundër Hondurasit. Në vitin 2016 ai realizoi supergol në 1/8 e finales kundër Polonisë. E në Botërorin 2018 në Rusi, ndihmoi kualifikimin e Zvicrës në 1/8 e finales duke shënuar golin e fitores ndaj Serbisë.

Drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, kujton një ngjarje në Evropianin U-21 të vitit 2011, kur Zvicra arriti në finale.

“Ai u ankua tek unë sepse nuk po gjuanim shumë në portë dhe po bëjmë shumë taktikë në stërvitje. Unë u desh të shtoja gjuajtjet në fund të stërvitjeve”, tregon Tami.

Shaqiri karakterizohet për pasion në fushë edhe sot.

Ai është optimist se Zvicra mund ta kalojë Portugalinë në 1/8 e finales të Botërorit në Katar.

“Ne kemi dëshmuar se mund t’u shkaktojmë shumë probleme”, thotë Shaqiri.

Gjithçka është e mundur në një Botëror, në një lojë, e kjo u dëshmua edhe në lojën e Argjentinës me Australinë. Australia gati sa nuk barazoi në fund.

“Nëse të gjithë shikojmë përtej kufijve tanë, atëherë mund të arrijmë diçka të madhe”, thotë Shaqiri.