Sezon i ri, Bayern i vjetër! Kampionët “luajnë tenis” në Frankfurt

Sezon i ri, Bayern i vjetër! Kampionët “luajnë tenis” në Frankfurt

Bayern Munchen nuk ka rivalë në Bundesligë. Kampionët dhe rekordmenët e futbollit gjerman iu dhanë një sinjal të qartë kundërshtarëve me nisjen perfekte të sezonit 2022/2023.

Skuadra e Julian Nagelsmann fitoi me rezultat tenistik në fushën e Eintracht Frankfurt. Dueli hapës i sezonit të ri në Gjermani përfundoi 1-6 për Bayernin, që dominoi dhe meritoi suksesin e thellë.

Skuadrës mike i mjaftoi gjysmë ore lojë për të shënuar tre herë me Joshua Kimmich, Benjamin Pavard dhe Sadio Mane, i cili gjeti golin e parë në Bundesliga.

Tmerri për Eintrachtit në pjesën e parë nuk kishte mbaruar, pasi Jamal Musiala dhe Serge Gnabry realizuan pas asisteve të Thomas Muller, duke e dërguar rezultatin 0-5!

Goli i nderit për ekipin vendas erdhi pas një gafe të Manuel Neuer (64’), që u shfrytëzua nga francezi Randal Kolo Muani, ndërkohë që shtata minuta përpara fundit, Musiala gjeti golin e dytë personal dhe të gjashtin për ekipin bavarez.