Severodonetsk ka rënë plotësisht në duart e forcave ruse, thotë Ukraina

Severodonetsk ka rënë plotësisht në duart e forcave ruse, thotë Ukraina

Forcat ruse tani kanë marrë kontrollin e qytetit të shkatërruar të Severodonetsk në Ukrainën lindore, tha kryebashkiaku i tij.

“Rusët kanë pushtuar plotësisht Severodonetsk-un, ushtria jonë është tërhequr në pozicione më të përgatitura”, tha Oleksandr Stryuk, transmeton Telegrafi.

Ky qytet u shndërrua kryesisht në gërmadha pasi me javë të tëra ndodhën granatime të rënda ruse.

Shumë civilë janë strehuar në fabrikën e madhe kimike Azot, por Stryuk tha se e vetmja rrugëdalje tani ishte përmes territorit të kontrolluar nga Rusia.

Rebelët pro-rusë, aleatë me ushtrinë ruse, thonë se janë zhvendosur në pjesë të Lysychansk, qyteti përballë Severodonetsk përtej lumit Siversky Donets. Por zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar këtë.

Severodonetsk, dikur shtëpia e rreth 100 mijë njerëzve, ka parë luftime të ashpra në rrugë dhe shumica e banorëve të tij janë larguar.

Marrja e qytetit do të thotë se Rusia tani kontrollon pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donetskut fqinj – dy rajonet që formojnë Donbasin industrial. /Telegrafi/