Sergey Lavrov: Presidenti Erdogan ka të drejtë

Sergey Lavrov: Presidenti Erdogan ka të drejtë

Duke marrë pjesë në takimin e Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai, mbajtur në qytetin bregdetar rus të Soçit, Sergey Lavrov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me mesazhin e Erdoganit se “bota është më e madhe se pesë”, të cilin ai e nënvizoi edhe një tjetër herë gjatë vizitës së tij në Angolë.

“Oratoria e Presidentit Erdogan është e njohur. Ai flet lirshëm për çështje të ndryshme. Unë jam dakord me të. Unë pajtohem me të se pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk kanë të drejtë të përcaktojnë fatin e botës”, tha ai.

Gjatë vizitës së tij në Angolë, Presidenti Erdogan ishte shprehur me këto fjalë: “Ne po luftojmë kundër padrejtësive në sistemin global duke thënë se bota është më e madhe se pesë. Ne argumentojmë se fati i njerëzimit nuk mund dhe nuk duhet të lihet në mëshirën e një grushti vendesh fituese të Luftës II Botërore. Si Turqi, ne refuzojmë qasjet orientaliste perëndimocentriste ndaj kontinentit afrikan. Ne i përqafojmë popujt e kontinentit afrikan pa diskriminim.”

Mes të tjerash, shefi i diplomacisë ruse tha se vendet në zhvillim gjithashtu duan të marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Sigurisht, vendet në zhvillim gjithashtu këmbëngulin me të drejtë në rritjen e përfaqësimit të tyre në këtë organ të OKB-së. Tani, të paktën 6 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë perëndimorë. Prandaj, natyrisht, s’ka nevojë që Perëndimi të shtojë karriget e tij në këtë trup. Karriget duhet të shtohen për vendet në zhvillim të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine”, saktësoi Lavrov.