` . Sendëzimi juridik i konceptit të qytetarit të Bashkimit Evropian - TV SHENJA

Sendëzimi juridik i konceptit të qytetarit të Bashkimit Evropian

Të gjithë qytetarët që disponojnë shtetësinë e ndonjërit shtet anëtar të Bashkimit Evropian, njëkohësisht janë edhe qytetarë të këtij unioni. Kjo domethënë se, sikundër janë shtetas të shtetit të tyre, ku gëzojnë të drejta dhe bartin përgjegjësi, njashtu kanë të drejta dhe përgjegjësi shtesë në cilësinë e qytetarit të BE-së. 

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren                                                          

Struktura organizative dhe terreni normativ i Bashkimit Evropian (BE) ka përjetuar faza të ndryshme transformimi. Megjithëse është e diskutueshme trajta federale ose konfederale e këtij unioni, kjo për shkak të veçorive të diferencuara nga formacionet e tjera në botë me elemente shtetësie, tipar specifik për BE-në paraqet edhe identiteti i synuar i përbashkët për popujt e shteteve anëtare të BE-së, nga e kaluara e deri më sot, nën siglën “qytetar i Bashkimit Evropian”.

Këtu më poshtë do t’i shtjellojmë momentet kryesore të historikut të BE-së, të cilat ndikuan në formësimin e konceptit të qytetarisë së kësaj organizate të madhe.

Gjurmët e para: Traktati i Parisit

Si organizim në kuadër të Planit Schuman, në vitin 1951 u nënshkrua Traktati i Parisit ndërmjet shteteve palë: Franca, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Gjermania Perëndimore dhe Italia. Ky plan e kishte marrë emrin nga ideatori i tij, Robert Schuman, që atëbotë e kishte funksionin e ministrit të Jashtëm të Francës. Në prapavijën e këtij plani qëndronte ideja e përfundimit të përplasjeve shekullore midis Francës dhe Gjermanisë, që do të rezultonte me sendërtimin e klimës paqësore në kontinentin e vjetër. Madje, data 9 maj, e shënuar si Dita e Evropës (në Republikën e Kosovës është festë zyrtare), rrjedh nga e njëjta ditë e vitit 1950-të, kur politikani Schuman – në bashkëpunim me ish Sekretarin e Lidhjes së Kombeve, Jean Monnet (Zhan Moné) – e kishin propozuar planin në fjalë. Njëherësh, ky traktat do të hynte në histori si marrëveshja e parë në rrënjët e trungut konstituiv të Bashkimit Evropian që e njohim sot.

Por, traseja e jetësimit të këtij qëllimi do të kalonte nëpërmjet krijimit të një institucioni, i cili do ta mbikëqyrte dhe do të mundësonte prodhimin e përbashkët të thëngjillit dhe të çelikut, si dhe do të përpiqej ta zgjeronte rrjetin e bashkëpunimit. Në këtë mënyrë po i vihej themeli një organizate supra-kombëtare, e cila po shkëpuste pjesë të sovranitetit të shteteve. Ky organizëm i ri do të emërtohej Komuniteti Evropian për Thëngjill dhe Çelik. Roli i tij konsistonte në lëvizjen e lirë të punëtorëve të sektorit të thëngjillit dhe çelikut brenda Komunitetit. Kështu, individët shikoheshin nga prizmi ekonomik dhe kufijtë e brendshëm ishin hapur pjesërisht.

Ndonëse në fillesat e veta supozohej si union me karakter të integrimit ekonomik, me kalimin e kohës dhe, veçmas, me zhvillimin e proceseve politike, “individi” nisi të mos konsiderohej më si një aktor ekonomik, por të çmohet në margjinat e nocionit të shtetësisë/qytetarisë (citizenship). Kjo e shpërfaq realitetin se integrimi socio-politik që e pasoi atë ekonomik, paraqet një indikator në zhvillimin e nocionit të qytetarit të BE-së.

Avancimi i bashkëpunimit: Traktati i Romës

Funksionimi i suksesshëm i Komunitetit Evropian për Thëngjill dhe Çelik ishte shtysë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare. Kësisoj, lindi ideja për të unifikuar doganat në kuadër të një bashkësie të re, me qëllim që të flakeshin pengesat tregtare. Më pas edhe krijimi i një tregu të përbashkët ishte objektiv i radhës. Në këtë mënyrë, në vitin 1957 në Romë u nënshkrua një traktat i ri, i cili i vuri themelet e Komunitetit (Bashkësisë) Ekonomik Evropian.

Marrëveshja e Romës mundësoi qarkullimin të lirë të të gjithë punonjësve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet shteteve anëtare. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, përpos që do ta ndihmonte fuqizimin ekonomik të vendeve përkatëse, gjithashtu do të ishte në shërbim të përafrimit dhe unitetit të popujve përkatës.

Në kronologjinë e nismave të veprimeve për të përmbushur konceptin e qytetarit të BE-së, pikë kruciale pasqyron Traktati i Maastricht-it, aq sa duket me vend që tematika të trajtohet mbi bazën kohore të periudhës para dhe pas këtij traktati.

Iniciativat para Traktatit të Maastricht-it

Shumë vite para miratimit të Traktatit të Maastricht-it, më 1975, kryeministri belg, Leo Tindemans, e kishte hartuar një raport, në të cilin, interalia, kishte vënë theksin në pamjaftueshmërinë e transparencës dhe të qartësisë së institucioneve dhe mekanizmave të BE-së dhe, për rrjedhim, mosveprimin e duhur “afër qytetarëve”. Në raport ishte përmendur edhe nocioni Evropa e qytetarëve, kuptimi i të cilit do të kthjellohej vite më vonë, me vendosjen e Traktatit të Maastricht-it.

Së këndejmi, për përkatësinë e shtetësisë së Bashkimit Evropian rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Marrëveshja Schengen e vitit 1985. Me anë të kësaj marrëveshje, shtetet anëtare i hoqën kufijtë brenda unionit, duke u mundësuar lëvizje të lirë qytetarëve sikur të ishin në një shtet të vetëm. S’do mend se kjo nënkuptonte përkrahje ndaj idesë së përkatësisë së përbashkët.

Në të vërtetë, qysh në vitin 1988 kishte filluar lëshimi i pasaportave me ngjyrë të njëjtë nga të gjitha shtetet anëtare dhe me anë të këtij standardizimi krijohej një simbol i përbashkët identifikues për banorët e Komunitetit Evropian.

Risia e Traktatit të Maastricht-it: qytetari i BE-së

Traktati i Maastricht-it kishte sjellë ndryshime të dukshme në organizmin e Unionit. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, ky ishte traktat themelues i Bashkimit Evropian. Ai hodhi hapin konkret të unifikimit të Evropës dhe përpjekjes për ta çarë udhë drejt një sistemi kushtetues evropian.

Në këtë traktat u përvijua qëllimi për avancimin e koordinimit midis shteteve anëtare në sferën ekonomike, atë të drejtësisë, sigurisë, politikës së jashtme të përbashkët etj. Me gjithë peshën e secilës nga këto fusha, risi e posaçme e këtij dokumenti konsiderohej njohja, për të parën herë zyrtarisht, e qytetarisë (shtetësisë) evropiane. Sipas këtij traktati, këtë status do ta gëzonte çdo individ që e ka shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian. Praktikisht, kjo parakuptonte se personi fizik duhej të ishte qytetar (shtetas) kombëtar i një vendi brenda BE-së. Por, çfarë përparësie do të sillte kjo për njerëzit?

Me Traktatin e Maastricht-it u garantuan disa të drejta të materializuara në norma juridike për të gjithë shtetasit e BE-së. Së pari, ata do ta gëzonin lirinë e plotë të qarkullimit dhe qëndrimit në vendet e Unionit. Së dyti, do të kishin të drejtë të kërkonin mbrojtje jashtë vendit në përfaqësitë diplomatike (ambasada dhe konsullata) të cilitdo shtet anëtar. Një risi cilësohej edhe e drejta e votës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në vendin ku personi është rezident, qoftë për zgjedhjet që ndërlidhen me organet e BE-së, qoftë për ato lokale (me disa kushte). Gjithashtu, qytetarët e fitonin edhe të drejtën për të ushtruar peticion në adresë të Parlamentit Evropian dhe të ushtronin ankesë pranë Mediatorit Evropian përkitazi me keqadministrimin e veprimtarisë së institucioneve të administratës së BE-së.

Këto të drejta, që i solli Traktati i Maastricht-it, kishin rol të jashtëzakonshëm për ta çuar tutje procesin e integrimit politik dhe për të shëmbëllyer një imazh të përbashkimit të popujve të shteteve anëtare. Së këndejmi, statusi i qytetarit të BE-së është mbikombëtar. Ky status është në vlerën e një qytetarie shtesë ndaj asaj të shtetit kombëtar dhe u njihet vetëm personave, shtetet e të cilëve janë anëtarë të BE-së.

Pas Maastricht-it

Përkundër këtyre zhvillimeve, koha kishte dëshmuar se Traktati i Maastricht-it duhej rishikuar. Me këtë qëllim, në vitin 1997, u nënshkrua Traktati i Amsterdamit. Në këtë traktat është ndjerë nevoja të potencohet se përkatësia e qytetarisë së Bashkimit Evropian nuk e zëvendëson përkatësinë kombëtare. Kjo e shpalosi ndjeshmërinë e shteteve anëtare ndaj identitetit të tyre kombëtar dhe rezervat që kishin ato ndaj përcaktimeve juridike që mund të bëheshin shkak për cenimin e sovranitetit kombëtar.

Ndërkaq, Samiti i Nice-s i vitit 2000 pati proklamuar Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, e cila u shpall në vitin 2007. Kjo kartë mëtonte formulimin e të drejtave themelore të qytetarëve të Unionit. Miratimi i saj forcoi legjitimitetin e BE-së si entitet dhe e avancoi garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve përkatës. Përpos kësaj, Karta paraqiste një hap të rëndësishëm në drejtim të përgatitjes së një kushtetute për Bashkimin Evropian. Padyshim, një gjë e tillë – per se – do të ishte kontribut për identitetin e përbashkët të qytetarëve të BE-së.

Titulli V i Kartës për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian, i emërtuar “Të Drejtat e Shtetasve”, rregullon një varg të drejtash të qytetarëve/shtetasve. Sipas kësaj pjese, çdo qytetar i Bashkimit Europian gëzon: të drejtën për të zgjedhur dhe për t‘u zgjedhur në zgjedhjet e Parlamentit Evropian (neni 39); të drejtën për të zgjedhur dhe për t‘u zgjedhur në zgjedhjet vendore (neni 40); të drejtën e miradministrimit (neni 41); të drejtën e qasjes në dokumentet e organeve dhe institucioneve të BE-së (neni 42); të drejtën e denoncimit të rasteve të keqadministrimit të institucioneve tek Avokati Evropian i Popullit (neni43); të drejtën e peticionit (neni 44); lirinë e lëvizjes dhe vendbanimit (neni 45), mbrojtjen diplomatike dhe konsullore nga secili shtet anëtar i BE-së (neni 46).

Viti 2007 shquhet edhe për pragun kritik të zhvillimit të së drejtës së BE-së: ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, i cili do të hynte në fuqi dy vite më pas.

Konfigurimi i fundit juridik: Traktati i Lisbonës

Traktati i Lisbonës i forcoi pikat lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe projektit të përbashkët evropian. Ky është traktati i fundit që pruri ndryshime në kuadër të BE-së.

Traktatet e mëparshme janë inkorporuar në versionin aktual të konsoliduar, të cilin e përbëjnë Traktati për Bashkimin Evropian dhe Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Lidhur me nocionin e qytetarisë së BE-së, ky i fundit, përcaktonte shprehimisht: “Përmes këtij Traktati krijohet qytetaria e Bashkimit. Çdo person që mban shtetësinë e një Shteti Anëtar është qytetar i Bashkimit. Qytetaria e Bashkimit i shtohet shtetësisë kombëtare dhe nuk e zëvendëson atë” (neni 20). Madje, në vazhdim, Traktati e radhiste të drejtën e qytetarëve që të lëvizin dhe banojnë lirisht brenda territorit të shteteve anëtare; të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian dhe në zgjedhjet vendore në shtetin anëtar ku kanë vendbanimin kryesor, sipas të njëjtave kushte që zbatohen për shtetasit e atij shteti; të drejtën që të gëzojnë mbrojtjen e autoriteteve diplomatike dhe konsullore të çdo shteti anëtar në territorin e një vendi të tretë në të cilin nuk përfaqësohet shteti anëtar, shtetas i të cilit janë; dhe të drejtën për të paraqitur kërkesa pranë Parlamentit Evropian, Avokatit Evropian të Popullit dhe institucioneve dhe organeve këshillimore të Bashkimit në secilën prej gjuhëve të Traktatit dhe të marrin përgjigje në të njëjtën gjuhë (neni 20/2). Gjithashtu, Traktati i Bashkimit Evropian deklaron se jo më pak se një milion qytetarë, të cilët janë shtetas të një numri të konsiderueshëm të shteteve anëtare, mund të marrin nismën për t’i kërkuar Komisionit Evropian, brenda kuadrit të kompetencave të tij, të paraqesë një propozim të caktuar për çështje për të cilat shtetasit mendojnë se është i nevojshëm një akt ligjor i Bashkimit, me qëllim të zbatimit të Traktateve (nenin 11/4). Në këtë mënyrë fuqizohet një instrument i demokracisë, siç është nisma (iniciativa) qytetare. Përfshirja e qytetarëve në fushëveprimin e pushtetit legjislativ nxjerr në pah ecurinë e integrimit social e politik brenda BE-së.

Sikundër që mund të vërehet, ekziston ngjashmëri në materien e të drejtave të garantuara të qytetarëve të BE-së në Kartën e të Drejtave të Bashkimit Evropian me këto që gjenden në tërësinë e Traktatit të Lisbonës, gjë që dëfton përpjekjen e unifikimit të së drejtës në BE.

Në aspektin formal juridik, Traktati i Lisbonës nuk është kushtetutë. Megjithëkëtë, ky Traktat paraqet dokumentin me cilësinë përmbajtjesore më të afërt me një kushtetutë. Është kështu, ngase Traktati i Lisbonës e ka përcaktuar strukturimin e organeve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të mekanizmave ligjorë. Krahas këtyre, duke iu referuar Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, i ka njohur kësaj të fundit edhe fuqi detyruese.

Ndikimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë 

Kjo Gjykatë në disa vendime të saj i ishte rrekur interpretimit të të drejtave të shtetasve të BE-së, duke ua njohur atyre këtë status. Koncepti mbi qytetarinë e BE-së mori një hov të radhës më 1998, me një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila shtroi pikëpamjen se shtetësia e BE-së duhet të konsiderohet një status themelor i qytetarëve të shteteve anëtare. Në vijim do të shpjegohet një rast ilustrues për ta kuptuar problematikën e trajtuar.

Referimin e drejtpërdrejtë në dispozitat e shtetësisë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë, për herë të parë e kishte bërë më 1998 në rastin Sala. Personi me këtë mbiemër, nënshtetas spanjoll, nga viti 1968 në Gjermani kishte jetuar dhe herë pas here kishte punuar atje. Ndërkohë, Sala kishte paraqitur kërkesë tek autoritetet gjermane për të shfrytëzuar shtesat e fëmijës si ndihmë sociale, të cilën e garantonte Ligji për Sigurime Sociale i Gjermanisë. Kjo kërkesë i ishte refuzuar me arsyetimin se nuk e kishte prezantuar lejen e qëndrimit. (E drejta gjermane parashikonte se për të përfituar nga kjo ndihmesë, personi ose duhej të kishte shtetësi gjermane ose të kishte leje qëndrimi.) Çështja kishte kaluar në gjyqësor dhe gjykata e shkallës së parë e kishte refuzuar padinë me të njëjtin arsyetim. Më pas, me procedurë paraprake, rasti ishte ngritur në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Duke e analizuar kushtin e lejes së qëndrimit, Gjykata kishte gjetur se qytetarët e shteteve anëtare, bazuar në traktatet themeltare të BE-së, njëkohësisht ishin qytetarë të Unionit dhe kishin të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të banimit rezident brenda BE-së. Si rezultat, Gjykata kishte vlerësuar se për sa kohë që e drejta gjermane nuk kërkon asnjë lloj vërtetimi nga shtetasit gjermanë për të përvetësuar ndihmë të tillë, detyrimi për Martinez Sala-n që të paraqesë lejen e qëndrimit përbën mospërputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian. Ky ka qenë rasti i parë i vlerësimit brenda konturave të së drejtës evropiane përkitazi me përkatësinë qytetare të BE-së.

Në interpretimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda Bashkimit Evropian (rastet: Rottman, Zambrano, Dereci, Ymeraga, etj.), me pikëpamjet e saj, Gjykata i ka dhënë trajtë kësaj të drejte të garantuar. Trendi i rasteve të tilla dhe boshllëku i detajeve të kërkuara në kuadrin ligjor të BE-së, lënë për të kuptuar se edhe në të ardhmen do t’i bie në hise kësaj gjykate të merret me çështjen e shtetësisë evropiane.

Ballkani Perëndimor dhe qytetaria e BE-së

Përkundër politikave për zgjerim, Bashkimi Evropian nuk do të dëshironte të fuste në organizmin e vet trupa të dëmshëm. Mungesa e theksuar e stabilitetit politik në vendet e Ballkanit Perëndimor – herë si rezultat i polarizimeve në spektrin politik e herë si kontest i legjitimitetit demokratik të pushtetarëve – përbën shkak për ngecjen e këtij rajoni në hapërimin e integrimit në BE. Po kështu, BE-ja nuk mund të honepsë në oborrin e saj shtete që kanë probleme kardinale mes vete. Me gjithë anëtarësimin e kamotshëm (në vitin 2004), Qiproja ende nuk ka arritur ta zgjidhë problemin me entitetin shtetëror të Republikës së Qipros Veriore Turke. Andaj, duket pak e besueshme se BE-ja do ta bëjë të njëjtin lëshim, që ta integrojë Kosovën a Serbinë pa i qartësuar problemet ndërmjet vete.

Edhe pse luftërat kanë marrë fund rreth dy decenie më parë, në hapësirat ballkanike ende nuk janë sfilitur fërkimet ndëretnike. Pretendimet territoriale dhe ndarjet administrative në baza etnike si në Bosnjë-Hercegovinë me kantonet dhe njësitë federative ose në Kosovë me themelimin e komunave të vogla për komunitetet joshumicë, janë tregues i greminës së madhe midis këtij realiteti dhe idesë së përfshirjes në identitetin e qytetarit evropian, krejt kjo për një arsye të thjeshtë: nuk mund të ketë siguri për qytetarin evropian gjersa nuk jetësohet fqinjësia e mirë midis shteteve anëtare.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Preambulën e saj ka deklaruar shprehimisht “synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike”. Sidoqoftë, duhet pohuar se ky qëllim sakaq nuk realizohet sa çel e mbyll sytë, por është një proces jashtëzakonisht i vështirë për kapacitetet që aktualisht i zotëron shteti kosovar.

Integrimi në BE kushtëzohet me një varg kriteresh të përcaktuara në legjislacionin evropian. Garantimi i frymës demokratike, shteti i së drejtës, epërsia e ligjit, të drejtat themelore të njeriut dhe, veçmas, ato të pakicave, ekonomia e tregut, përafrimi dhe përshtatja e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së etj., janë ndër kushtet sine qua non për anëtarësim në këtë union dhe për realitetin ballkanas këto janë sfida goxha serioze.

Rezyme përmbyllëse

Të gjithë qytetarët që disponojnë shtetësinë e ndonjërit shtet anëtar të Bashkimit Evropian njëkohësisht janë edhe qytetarë të këtij unioni. Kjo domethënë se, sikundër janë shtetas të shtetit të tyre, ku gëzojnë të drejta dhe bartin përgjegjësi, njashtu kanë të drejta dhe përgjegjësi shtesë në cilësinë e qytetarit të BE-së.

Sikurse u theksua më lart, BE-ja bart ca elemente shtetësie, të cilat i janë dhënë me traktatet e miratuara ndër vite, kursi i të cilave vijanoz ka ndjekur linjën e fuqizimit të Unionit me atribute të një shteti. Në instancë të fundit, për vetë qytetarët e shteteve anëtare kjo përbën çështje thelbësore.

Përveç traktateve themeltare, rol të pamohueshëm në kodifikimin e së drejtës së BE-së ka edhe veprimtaria e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Ky organ gjyqësor i BE-së, në vendimet e veta, i ka plotësuar kuptimet e normave të përgjithshme të traktateve lidhur me shtetësinë, duke i zbardhur elementet e duhura, por nuk i ka përcaktuar prerazi kufijtë e këtij nocioni. S’do mend se doza e hezitimit të Gjykatës vjen si rrjedhojë e ndjeshmërisë së shteteve anëtare ndaj sovranitetit të tyre kombëtar.

Në rastin e Bashkimit Evropian nocioni i shtetësisë/përkatësisë qytetare ka qenë dhe mbetet një objekt polemike që nga elitat politike e deri në qarqet akademike. Tipari esencial mbi të cilin ka hedhur shtat ky koncept është me bazë ekonomike. Mirëpo, nuk duhet mënjanuar faktin se Bashkimi Evropian ka një trajtë të ndryshme nga shtetet kombëtare dhe ofron një model supra-kombëtar të organizimit. Për këtë është dashur të pranojë delegim kompetencash nga shtetet anëtare dhe kjo ka ndodhur. Prandaj nuk mund të pritet që shtetësia e BE-së të jetë e njëjtë plotësisht me konceptin tradicional të shtetësisë.

Argumentimet pro et contra qytetarisë së përbashkët evropiane kanë qenë vazhdimisht të pranishme. Përparësi janë cilësuar disa premisa, nga të cilat mund të veçohen: shtetësia e BE-së i garanton disa të drejta konkrete, barazi dhe të mira të tjera secilit individ, i bashkon pjesëtarët e popujve dhe kontribuon në paqe, bën që të lihen në të kaluarën konfliktet dhe u ofron qytetarëve perspektivë të re ekonomike dhe mundësi për shkollim brenda gjithë Unionit etj. Në anën tjetër, zërat pesimistë janë fokusuar në disa këndvështrime të tjera. Sipas këtyre, shtetësia nuk mund të jetë e zhveshur nga identiteti kombëtar dhe kjo nuk është gjë që mund të krijohet përmes traktateve. Në këtë prizëm, qytetaria evropiane paraqet një nonsens, sepse vetitë dalluese midis identiteteve kombëtare janë më të thella se ngjashmëritë mes tyre. Po ashtu, sipas tyre, simbolet e BE-së janë sfiduese dhe konkurruese ndaj identitetit nacional.

Summa summarum, shtetësia (përkatësia qytetare) e BE-së paraqet një status shtesë për shtetasit e vendeve anëtare. Nisur me qëllimin e integrimit dhe interesave ekonomike, pamja e sotme e Bashkimit Evropian flet për integrim social e politik dhe në kahun e adoptimit të domenit të përbashkët juridik. Shtetësia nuk mund të përkufizohet vetëm në skemën juridike, sepse formësimi i saj e ka edhe dimensionin politik, demokratik dhe institucional.

Kujtojmë këtu se qytetari i Revolucionit Francez ishte bartës i shtetit kombëtar. Secili shtet i krijuar mbi premisat e kësaj ideje e pranonte këtë lloj koncepti të qytetarit, i cili ishte produkt i një revolucioni. Ndërkaq, praktika e deritashme rrëfen se qytetari evropian, për dallim nga kjo qasje, ka preferuar një Komunitet/Bashkim/Union Evropian në vend të – për shembull – një formacioni si Shtetet e Bashkuara të Evropës (sikurse ëndërronte Victor Hugo). Pra, këtu kemi një ndryshim paradigme në përkapjen e modelit të qytetarit/shtetasit evropian: nga ai i unitetit (modeli francez) në atë me bazë në të drejtat e qytetarit (modeli anglez).

Rrjedhat politike i nënshtrohen procesit evolues. Koha do të tregojë nëse simbolet shtetërore, siç janë flamuri dhe himni, do të jenë ose jo mjaftueshëm të pranueshme si emërues unifikimi për qytetarët evropianë sa të identifikohen me qytetarinë evropiane në kornizat e BE-së.