Sëmundje e lehtë që shkakton kokëdhimbje të madhe

Sëmundje e lehtë që shkakton kokëdhimbje të madhe

Kur e ke parasysh se sa shtet i mjerë është nga pikëpamja ekonomike, ndërsa nga pikëpamja ushtarake nuk del të jetë aq e fortë sa është menduar, shtrohet pyetja: prej nga vjen gjithë ai ndikim i Rusisë në Europë dhe madje në politikën globale?

Rilind Dauti, Shkup

E tërë ekonomia e Rusisë, me 145 milionë banorë dhe sipërfaqe prej plot 17 milionë km2, nuk vlen as sa ekonomia e tre shteteve të vogla të Beneluksit. I tërë Bruto Prodhimi Vendor i Rusisë nuk vlen as sa ekonomia e shtetit amerikan të Nju Jorkut, që vet është tek i treti pas Kalifornisë dhe Teksasit. Rroga mesatare në Rusi sillet rreth 500 euro ndërsa minimalja përbëhet nga 200 euro. Shpërndarja e pasurisë është shumë e pabarabartë, me oligarkë të paktë që e kanë përvetësuar pronën shoqërore dhe zotërojnë pasuri që vlen sa një pjesë e madhe e ekonomisë së përgjithshme.

Në rangimet për fuqinë ushtarake Rusia rëndom renditet në top-3, por dështimet e shumta në luftën në Ukrainë e shembën edhe këtë mit mbi Rusinë. Dhjetëra mijë ushtarë të vrarë për pak muaj luftime, pajisje të dërguara në front, por të shkatërruara as pa u futur në përdorim, sulme ukrainase thellë në territoret zyrtarisht të kontrolluara nga rusët… të gjitha këto dështime të rusëve ta çojnë mallin e dështimeve të JNA-së më 1991/92, që po ashtu mendohej se është fuqi e madhe. Sikur mos të ishin bombat atomike të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik (që ndoshta i ka kapur lagështia prandaj as ato nuk funksionojnë si duhet dhe kërcënimet me to mund të jenë blof), ushtritë e huaja pa shumë vështirësi dhe me pak pasoja do të mund të marshonin në territorin e stërmadh të Rusisë.

Kështu që, kur e ke parasysh se sa shtet i mjerë është nga pikëpamja ekonomike, ndërsa nga pikëpamja ushtarake nuk del të jetë aq e fortë sa është menduar, shtrohet pyetja: prej nga vjen gjithë ai ndikim i Rusisë në Europë dhe, madje, në politikën globale?

 

Avantazhet gjeostrategjike

 

Përgjigja e parë e thjeshtë është natyra. Në territorin gjigand të saj Rusia ka sasi të madhe të naftës dhe gazit natyror, për të cilën është e etur pjesa tjetër e Europës, që si nga një tersllëk i madh ka sasi të limituara tek-tuk, ndërsa as për së afërmi nuk i mjaftojnë burimet në Detin e Veriut që i eksploaton Norvegjia, Skocia dhe Nederlanda. Kjo situatë ka bërë që Europa të jetë ekstremisht e varur nga nafta dhe gazi me bollëk që me çmim të ulët e blen nga Rusia. Dhe, kur je i varur nga diçka, “dileri” ka avantazh ndaj teje me rritjen e çmimit ose me ndërprerjen totale të furnizimit. Ose do t’i bësh ndonjë lëshim që ta kërkon ai ose s’ka “mall” për ty. Përpjekjet për furnizime me karburante fosile nga shtetet e tjera nuk janë të lehta. Nëse dëshiron të furnizohesh nga Lindja e Mesme, do të duhet të transportosh ngadalë me anije sasi krahasimisht më të vogla dhe që kushton krahasimisht më shtrenjtë. Nëse dëshiron të furnizohesh nga Kaukazi Jugor, nevojitet të shposh gypa me mijëra kilometra që kalojnë nëpërmjet barrierave të shumta natyrore si malet e larta dhe shkëmbore, gjë që kushton tepër shtrenjtë. Ekziston mundësia teorike që Europa të blejë gaz edhe nga rezervat e majme të Turkmenistanit, por ashtu si me gazin nga Kaukazi Jugor, Rusia po ashtu nuk lejon ky gaz të kalojë përmes rrjetit të zhvilluar mirë të gazsjellësve në territorin e saj.

Për hir të luftimit të ndryshimeve klimatike, Europa ka vendosur që gradualisht t’i heqë nga përdorimi karburantet fosile. Problemi është se derisa të ndodhë diçka e tillë, do të nevojiten dekada të tëra, dekada këto që Moska do t’i shfrytëzojë në maksimum. Ndërkaq, pikërisht ndryshimet klimatike do të jenë burim i një avantazhi të ri gjeostrategjik të Rusisë. Për shkak të rritjes globale të temperaturës, Oqeani i Ngrirë i Veriut, që i prek brigjet e Rusisë, gjatë muajve të verës gjithmonë do të jetë i shkrirë dhe nëpër të pa problem do të mund të kalojnë anijet, ndërsa kjo përbën rrugë më të shkurtër për transport të mallrave nga Kina për Europë.

Një burim tjetër i ndikimit të madh të Rusisë përbën sistemi i saj politik i kombinuar me mentalitetin e popullit rus. Popullit rus i pëlqen të kenë udhëheqës që përçojnë imazh të të fortit dhe iu besojnë kur në arenën ndërkombëtare këta udhëheqës u hyjnë aventurave që sjellin pasoja për Rusinë dhe rusët, siç janë sanksionet ekonomike. Pikërisht pas sulmit ndaj Ukrainës dhe sanksioneve nga Perëndimi, Vlladimir Putinit iu ngrit rejtingu te rusët. Ndërkaq, qytetarët e paktë që nuk pajtohen me pushtetin nuk i dëgjon askush ose i heshtin me dhunë, sepse Rusia nuk shquhet si demokraci e avancuar me liri të shprehjes dhe opozitë, që shërben si alternativë e denjë e pushtetit aktual.

 

Sentimenti pro-rus

 

Kur jemi te alternativat, në shumë shtete të Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme, Rusia sot e kësaj dite shihet si alternativë e Perëndimit. Në këto shtete simpatitë për Rusinë vijnë thjeshtë për inati të Perëndimit, që për të qenë realë, ka histori të gjatë të përzierjes së dëmshme në këto rajone që kanë shkaktuar shumë vuajtje te popujt e këtyre rajoneve.

Te Rusia i kanë vendosur shpresat edhe shumë njerëz në Ballkan. Këtu mbi të gjitha është fjala për serbët. Rusia shkon në vijë me interesat e tyre me atë që e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB, shpërndan propagandë kundër UÇK-së, që e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, duke thënë “UÇK-ja nuk është aq e pastër sa pretendojnë shqiptarët”, e mbështet destruktivitetin e serbomëdhenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe mediat ruse i mëshojnë tupanit të propagandës për gjoja rrezikimin e serbëve në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë që në të dyja shtetet kanë status maksimalisht të lartë. Gjithsesi, këtu kemi të bëjmë me shpresa të tepruara te Moska. Ajo më 1992 nuk i vendosi veto anëtarësimit në OKB të Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës që serbët nuk i njihnin në ato kufij, ndërsa përgjatë tërë viteve 1990-të Rusia lejoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të miratohen plot sanksione kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Edhe sot, përkundër mosnjohjes së Kosovës, Putini vazhdimisht e përmend rastin e saj si pretekst (të pasaktë dhe të pasinqertë) për bëmat e veta në Ukrainë, duke i lënë serbët të hutuar se në një moment të caktuar do t’i flijojë ata për interesat ruse. Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, Kremlini i shfrytëzon serbët si mjet destabilizimi, por në rast se i hyjnë ndonjë aventure të nxitur nga Rusia, serbët në BeH do të digjen vet.

Serbët dhe rusët kanë “miqësi tradicionale”, që daton nga koha e proceseve dezintegruese të Perandorisë Osmane, kur interesat ruse dhe ato serbe kanë qenë një (edhe pse më vonë jo çdoherë ka pasur përkrahje konkrete nga Rusia për serbët), kështu që mund të kuptohet ndikimi rus mbi serbët. Por, viteve të fundit vërehet një rusofili vazhdimisht më të madhe edhe tek një grup tjetër në Ballkan: tek një pjesë e madhe e popullit maqedonas. Ata kanë arsye legjitime për të qenë të pakënaqur nga Perëndimi, siç është rasti i kontestit për emrin me Greqinë, që Perëndimi e lejoi të ushtrojë veto, duke e shkelur marrëveshjen e nënshkruar prej saj, dhe arsye jolegjitime për të qenë të pakënaqur nga Perëndimi, siç është perceptimi që Perëndimi i mbështet “shqiptarët e mallkuar” në përpjekjet e tyre për ta “rrënuar” shtetin maqedonas. Kështu, të gjitha këto frika, pakënaqësi dhe frustrime nga Perëndimi, një pjesë e madhe e maqedonasve i zbusin me shpresa të rrejshme te Rusia bazuar në fenë e përbashkët ortodokse dhe të kaluarën e përbashkët sllave. Në partinë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, te anëtarësia e thjeshtë dhe mediat pro kësaj partie ka mjaft kohë që ekziston një sentiment i fortë prorus, edhe pse krerët e partisë vazhdojnë me zotimin për politikë properëndimore. Megjithatë, ekziston një parti që edhe krerët e saj janë haptazi anti-SHBA, anti-NATO, anti-BE dhe prorusë. Pak pas invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, kreu i Levicës, Dimitar Apasiev, u takua me ambasadorin e Federatës Ruse, ndërsa pas takimit, në njoftimin e lëshuar nga Levica, përdorej formulimi propagandistik i Kremlinit “operacioni special” në vend se “agresioni”, që ndodh realisht. Ekziston edhe partia “Edinstvena Makedonija” (emër pandan i partisë së Putinit “Jedinaja Rosija”), por kjo parti ka mbështetje të shpërfillshme. Megjithatë, Levica e lartpërmendur ka ngritje të madhe të mbështetjes te elektorati maqedonas.

Nga popullsi rusofile dalin politikanë rusofilë, por jo vetëm politikanë. Ka dyshime të bazuara që gjatë operacioneve të NATO-s në shtetet baltike një oficer malazez ia ka përçuar Rusisë sekretet e NATO-s, ndërsa nga dyshimet e afërsisë me Rusinë, NATO nuk ua jep certifikatën e sigurisë disa oficerëve maqedonas.

Ashtu si te serbët, edhe te rasti i maqedonasve kemi të bëjmë me pritje naive nga mbështetja ruse. Nuk mbajnë bazat e mbështetjes së pritur nga Rusia, sepse feja e përbashkët ortodokse nuk i pengoi Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, që të luftojnë mes vete. Ndërkaq, e kaluara e përbashkët sllave nuk i pengoi nga luftimi serbët me kroatët, serbët me bullgarët, polakët me rusët, e shumë raste tjera, ndërsa së fundi madje kemi luftë midis rusëve dhe ukrainasve që janë maksimalisht të ngjashëm nga të gjitha aspektet!

 

Po shqiptarët?

 

Lufta në Ukrainë hapi debat publik edhe te shqiptarët, gjë që çoi në paraqitjen e pyetjes, në shikim të parë, e pamundur: a ka ndikim rus te shqiptarët?

Nëse flasim për shqiptarë që e çmojnë letërsinë ruse, përgjigja është po, ka shumë shqiptarë që me të drejtë e çmojnë letërsinë ruse. Ka muzikantë shqiptarë që i luajnë kompozimet e kompozitorëve rusë. Autori i këtij shkrimi i pëlqen filmat fantastiko-shkencorë sovjetikë dhe është merakli i orëve ruse. Baleti rus ka lënë gjurmë të pashlyeshme në baletin shqiptar.

Por, pyetja që bëhet kur flitet për ndikimin rus është për atë politik dhe, në këtë rast, përgjigja e thjeshtë është “JO, nuk ka ndikim rus te shqiptarët”. Megjithatë, në debat e sipër ndonjë shqiptar mund ta thotë ndonjë të vërtetë të hidhur që në shikim të parë e bën të duket si pro-rus. Për shembull, dikush mund ta parashtrojë pyetjen “Nëse SHBA-ja e mbron të drejtën sovrane të Ukrainës për t’iu bashkëngjitur NATO-s, përskaj kundërshtimit nga Rusia fqinje, a thua SHB-jaA do ta lejonte të drejtën sovrane të Meksikos fqinje për t’iu bashkëngjitur Paktit të Varshavës?”. Dhe, një pyetje e tillë e logjikshme mund t’i merret si argument që është në anën e Rusisë. Ose, kur vjen puna te solidarizimi me Ukrainën, dikush mund ta parashtrojë pyetjen: “Përse shqiptarët t’i japin kaq zor për t’u solidarizuar me Ukrainën përderisa ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjatë konfliktit të 2001-shit i mbështeti maqedonasit, madje pilotët ukrainas direkt i bombarduan shqiptarët që luftonin për të drejtat e tyre?”. Dhe, një pyetje e tillë mund t’i merret si argument që është në anën e Rusisë. Por, pyetjet e tilla, që mund t’i bëjë ndonjë shqiptar, janë legjitime dhe të logjikshme, e jo përsëritje e propagandës ruse, siç ndodhë me mediat serbe dhe maqedonase.

Në fakt, pikërisht shqiptarët janë mburoja kundër ndikimit rus në Ballkan. Madje, vet ata i vuajnë pasojat nga ky ndikim, që për arsye të panjohura Perëndimi i ka lënë të papërmirësuara. Siç dihet, tkurrja e Shqipërisë më 1878 dhe 1881 në favor të Serbisë dhe Malit të Zi ndodhi si rezultat i mbështetjes ruse për këto shtete. Edhe copëtimi i 1913-tës i Shqipërisë në dobi të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, po ashtu u bë nën ndikimin rus. (Pa dyshim se mbrapa hienave ballkanike qëndronin edhe shtete tjera, si Franca, por mbështetës kryesor në copëtimin e Shqipërisë dhe shpartallimin e faktorit shqiptar këto shtete e kishin Perandorinë Ruse.)

 

Pasojat e tashme të të këqijave nga e kaluara

 

Dhe, kjo na sjellë te burimi i fundit (por jo më pak i rëndësishëm) i ndikimit rus që do të përmendet në këtë shkrim: trashëgimia e padrejtësive dhe çështjeve nga e kaluara ku fajtore ishte vet Moska. Rusia lulëzon në rajone ku ka jostabilitet dhe kriza që më pas vet ajo të përfshihet në “zgjidhjen” e tyre. Shembulli tipik për këtë janë mosmarrëveshjet territoriale në ish republikat sovjetike. Arsyeja e këtyre konflikteve janë kufijtë e këtyre republikave, që janë shembull tipik i taktikës “përçaj dhe sundo”, me qëllim që popujt e atyre republikave të luftojnë kundër njëri-tjetrit në vend se kundër Moskës, që ishte mbizotëruese e padrejtë e të gjitha palëve. Dhe, pasojat e përgjakshme të këtyre kufijve, të vizatuar me dashakeqësi nga Moska, vërehen te këto shtete edhe sot kur kanë kaluar mbi 3 dekada nga pavarësimi i tyre.

Edhe në Ballkan sot e kësaj dite vërehen pasojat e ndikimit të dëmshëm të Moskës që Perëndimi i ka lënë të papërmirësuara. Në vend se njëherë e mirë t’i përmirësojë padrejtësitë nga e kaluara dhe ta bëjnë një shtet të fortë të shqiptarëve, siç deshi ta bëjë Austro-Hungaria, dhe ky shtet shqiptar të shërbente si mburojë e fuqishme ndaj ndikimit rus dhe ndikimeve të tjera të dëmshme në Ballkan, Perëndimi sot e kësaj dite e merr me të mirë Serbinë, Malin e Zi, dhe Maqedoninë e Veriut, që si subjekt politik u paraqit pikërisht për shkak të dëshirës së Moskës për qasje në Detin Egje. Projekti i Stalinit vdiq më 1948, ndërsa më 1953 vdiq dhe vet ai, por krijesa politike e menduar prej tij mbijetoi, bashkë me dëbimin, torturimin, margjinalizimin, getoizimin,… e qindra mijë shqiptarëve dhe me diskriminimin që vazhdon sot e kësaj dite.

Nëse ka ndonjë ilaç permanent kundër kokëdhimbjeve të shkaktuara nga Rusia, është rishikimi i padrejtësive dhe palogjikshmërive nga e kaluara, që do të çonin në stabilitet të vërtetë dhe mundësojnë vetëm zgjidhjet e mbështetura në drejtësi, në vend se të mbrohet integriteti territorial i zgjidhjeve të padrejta nga raporti i forcave që moti u ka kaluar koha. Dhe, pikërisht nga raporti i forcave që nuk ekziston më është edhe statusi i trashëguar nga Bashkimi Sovjetik si anëtare e përhershme dhe me të drejtë vetoje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilin status Rusia e sotme pamundëson që të realizohen disa të mira, si anëtarësimi i Kosovës në OKB (ndërsa askush s’i ka vendosur veto anëtarësimit të një shteti fiktiv me gjakderdhje ekstreme të brendshme si Sudani i Jugut). Nëse nuk mund të rregullohen disa gjëra, që duhet të kalojnë nëpër Këshillin e Sigurimit, ku një Rusi e dobët e ka të drejtën e vetos, atëherë le të rregullohen disa gjëra që nuk ka nevojë të kalojnë përmes saj. Fjala bie, nëse pranimi i një anëtari të ri të OKB-së duhet të kalojë nëpër KS të OKB, kjo nuk nevojitet për zgjerimin e një anëtari aktual, si p.sh. zgjerimi i Republikës së Shqipërisë në pjesët e Shqipërisë, që për momentin janë nën kontrollin e shteteve dhe/ose shoqërive antishqiptare, antiperëndimore dhe proruse, e që këtë shtrirje të padrejtë sot e kësaj dite e gëzojnë pikërisht si rezultat i projekteve të dikurshme imperialiste ruse.