` . Sektori privat peng i agjendave politike - TV SHENJA

Sektori privat peng i agjendave politike

Kur jemi tek sektori privat, gjendjen e prodhuesve, konkretisht të eksportuesve na e dëshmon disbalanci i lartë tregtar ndërmjet eksportit dhe importit, nga ku shihet edhe kapaciteti prodhues i një vendi.

Shkruan: Albulena MAVRAJ, Prishtinë

Sektori privat, respektivisht punëtorët e këtij sektori, prodhuesit vendorë, si dhe eksportuesit, tash e dy dekada vazhdojnë të sfidohen nga politikat disfavorizuese dhe disbalancuese karshi sektorit publik. E tëra kjo, në saje të kronologjisë historike, me të cilën u përball vendi, si lufta, shkatërrimi komplet i sistemit ekonomik nga pushtuesit serb, statusi i pazgjedhur i Kosovës, si dhe tranzicioni, bën që deri në shpallje të shtetësisë së Kosovës ky sektor të ishte kryekëput nën petkun e agjendave politike, qoftë në suaza të politikave vendore, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare.

Mirëpo, fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar njëzet vjet nga përfundimi i luftës dhe gati trembëdhjetë vite nga pavarësia e Kosovës, sektori privat vazhdon të jetë në gjendje aspak të mirë dhe, rrjedhimisht, të jetë i ndikuar qoftë nga agjenda politike, qoftë nga politikat disfavorizuese të disa politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët udhëheqin tash e sa vite. E themi këtë pasi inatet politike, mospërfillja ideologjike e partive politike mbi bazën e së cilës edhe janë krijuar, si dhe apetitet për pushtet, ishin të fokusuara më shumë në “privilegjin” e sektorit shtetëror, rrjedhimisht në përkthim të këtij privilegji në vota elektorale, gjë që bëri që sektori privat të përdoret vetëm si burim kryesor i të hyrave në arkën e shtetit dhe punonjësit e këtij sektori të kenë hendek të madh në paga, pra të përballen me mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve, siç i garanton Ligji i punës për të gjithë të punësuarit në Kosovë.

Këtë e dëshmon më së miri disbalanca e lartë tregtare, norma e lartë e papunësisë dhe varfërisë, diferenca ndërmjet pagës mesatare midis dy sektorëve, mospërfillja e ligjit të punës për punëtorët e sektorit privat, si dhe diskriminimi i bankave komerciale kur vjen puna tek dhënia e kredive, përkatësisht diferenca në norma të interesit në kredi. Asnjëra qeveri, që deri në këto njëzetenjë vite çlirim e ka qeverisur vendin, nuk e kishte prioritet sektorin privat e as objektiv qeveritar, edhe pse ishte ai ishte kryefjala e secilës parti politike në fushatat parazgjedhore. Mirëpo, kryefjalët e fushatave parazgjedhore, fatkeqësisht, ishin në kundërshtim me realitetin dhe mosgatishmërinë e veprimit, andaj si derivat të tyre sot këtë sektor e kemi të katandisur, madje në saje edhe të situatës pandemike, të gjendur buzë të falimentimit. Ndërkaq, përtej kësaj, kjo situatë ka bërë që të rinjtë mos të duan të punojnë në këtë sektor, madje edhe mos ta shohin si vend ku mund ta zhvillojnë karrierën dhe t’i arrijnë ambiciet e tyre, qoftë në aspektin inovativ ose atë të prodhimit.

Ndonëse planet e hartuara parazgjedhore të secilës parti janë gjithsecili më i qëndisur se tjetri sa i përket aspektit numerik dhe shifrave galoponte, praktikat pas çdo marrëveshjeje të koalicioneve qeverisëses flasin për plane të bukurshkruara me shifrat megalomane dhe premtuese. Mania e tërë kësaj qëndron në atë se pas çdo marrëveshje koalicioni, respektivisht formim të qeverisë, zor se do mund të gjendet ndonjë ekzemplar i plan-programeve nëpër zyrat e partive dhe shtabet zgjedhore, e mos të flasim sa i përket aspektit të zbatimit të tyre. Prandaj, mospërfillja së pari e vet hartimit dhe premtimeve të tyre elektorale na është gërshetuar sot me vështirësi financiare tek të punësuarit e këtij sektori sado të shkolluar ose të kualifikuar të jenë, me mosmarrje të pagës konform punës që e bëjnë, me mungesë të kontratave të rregullta, madje ata shpesh privohen edhe nga pagesa për Trustin Pensional, gjegjësisht kursimin për një pension më të dinjitetshëm të pleqërisë. Këto janë vetëm disa nga faktet dhe shifrat të cilat na i hodhi së fundi në shesh pandemia e shkaktuar nga Covid-19.

Kur jemi tek publikimi i shifrave në saje të situatës pandemike, gjendjen e rënduar të sektorit privat më së miri na e dëshmon periudha nga tremujori i dytë i këtij viti e deri më tani. Kujtojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 19-të, asokohe të drejtuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në saje të pandemisë Covid-19 kishte harruar Pakon Emergjente Fiskale, me ç‘rast ishte paraparë që të ndaheshin mbi 170 milionë euro si pako stimuluese për tejkalimin e krizës ekonomike. Në kuadër të këtij 170-milionëshi, pos tjerash, ishte paraparë edhe mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë euro për muajin prill dhe paj, masë kjo deri 41,000,000.00 €. Në atë mbledhje, po ashtu në kuadër të miratimit të Pakos Emergjente Fiskale, ishte miratuar edhe subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për muajin prill dhe maj, masë kjo në vlerë prej dymbëdhjetë milionë eurosh. Po ashtu ishte miratuar edhe mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin prill dhe maj në vlerë deri 8,000,000.00 €. Në këtë rast, kur erdhi puna tek implementimi i kësaj pakoje, u zbulua fytyra e vërtetë e politikëbërjes në Kosovë, pasi mu në situatën më të rëndë të gjithë botës, kur çdo politikëbërës botëror bënte apel për “dorë të zgjatur të shtetit”, në Kosovë bie qeveria dhe barrën më të rëndë të kësaj aventure politike e bartin bizneset e sektorit privat dhe punonjësit e këtij sektori. Nuk është fjala këtu vetëm për aventura politike dhe etje për pushtet, por fillimisht ishte shkas pikërisht shuma prej 170 eurosh që bëri që për Pakon Emergjente Fiskale të aplikonin mbi 150 mijë punëtorë pa kontrata pune.

Shifra prej 150 mijë punëtorësh pa kontrata pune e zbuloi më së miri atë që prej 20 vitesh s’ishte treguar, pra gjendjen e rënduar të biznesit kosovar, që derivon më pastaj dhe me gjendjen e rënduar dhe privimin nga e drejta e të pasurit kontratë punë, pushime dy ditë në javë, pushime mjekësore, si dhe benefite ose të drejtat themelore të punëtorëve, që i parasheh Ligji Nr. 03/L-212 i Punës.

E Pakoja Emergjente Fiskale, pos ndihmesës prej 170 eurosh, e zbuloi më së miri edhe shifrën e të punësuarve pa kontrata pune, pra informalitetin në sektorin e punës, që – sipas disa të dhënave të Bashkimit Evropian – është baras me 40 për qind të ekonomisë ose Produktit të Brendshëm Bruto Vjetor. Ndërkaq përveç punëtorëve të cilët punonin “në të zezë”, hiç më mirë statistikisht nuk qëndrojnë as ata që kanë kontratë të përkohshme, pasi sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 30.7 për qind është numri i të punësuarve në tregun e Kosovës. Nga kjo shifër 54 për qind thuhet se posedojnë kontratë të përhershme, kurse 46 për qind kontratë të përkohshme.

Madje, shifër tjetër e cila na dëshmon për gjendjen e renduar të të bërit biznes në Kosovë edhe privimin nga e drejta për të pasur një pension më të dinjitetshëm është edhe Ligji në Kuadër të Rimëkëmbjes Ekonomike, përkatësisht e drejta për të tërhequr 10-përqindëshin e mjeteve të grumbulluara në Trustin Pensional të Kosovës. Edhe në këtë ligj na u dëshmua që jo të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe i gëzojnë të drejtat elementar që u takojnë më ligj, pasi që gjysma e kontribut-paguesve ose mbi 312 mijë persona, në Trustin e Kursimeve Pensionale kanë më pak se një mijë euro të kursyera. Rreth 27 për qind e kontributpaguesve ose afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro. Kurse, 10 për qind e kontribut-paguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro. Ndërkaq, vetëm7 për qind e kontributpaguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime.

Kur jemi tek sektori privat, gjendjen e prodhuesve, konkretisht të eksportuesve, na e dëshmon disbalanci i lartë tregtar ndërmjet eksportit dhe importit, nga ku shihet dhe kapaciteti prodhues i një vendi. Sipas Agjencisë së Statistikave te Kosovës, të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë flasin për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6 për qind) në muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë eurosh, kjo krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë eurosh në vitin 2019. Po sipas këtij institucioni eksporti e mbulon importin me 16.9 për qind.

Të gjithë këto shifra të sipërcekura, e që fatkeqësisht s’janë në anën e ekonomisë së zhvilluar, përfundimisht mund të themi se emëruesin e përbashkët e kanë keqqeverisjen ose, më mirë të themi, shpërfilljen e sektorit privat nga spektri ekonomik. Krejt këto dëshmojnë se edhe në situatën pandemike, kur e gjithë bota ka ndezur çdo lokomotivë për të mos u rrezikuar nga kolapsi financiar, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilëve në asnjë moment s’u ka munguar asnjë cent në pagat e tyre dhe në asnjë ditë s’u është vonuar paga, vazhdojnë të lozin me fatin e qytetarëve, duke mos i votuar ligjet e rimëkëmbjes, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në mirëqenien ekonomike të sektorit privat.

Pas gjithë kësaj mund të konkludoj se me këtë nivel të mendësisë qeverisë dhe vepruese dhe, mbi të gjitha, më këtë klimë biznesore, ekonomia jonë, respektivisht zhvillimi i sektorit privat, vazhdon të mbetet edhe një kohë më të gjatë nën petkun politik ose, më mirë të themi, nën “mëshirën e kohës”.