SEJJID HASHIMI NË STUDENIÇAN

SEJJID HASHIMI NË STUDENIÇAN

Shkruan: Ismail Bardhi

Një ditë Zoti zbriti mbi tokë (hasha) për të hedhur një sy e për të parë se ç’kishin bërë njerëzit me veprën e Tij. Ai po kalonte kështu nga njëri vend tek tjetri, pa arritur ta njihte më tokën dhe njerëzit që banonin mbi të: këta e kishin bërë botën rrëmujë. Po sa e madhe qe habia e Tij, po edhe gëzimi i Tij, kur arriti në Shqipëri: – Më në fund, ja vendi dhe populli i parë që po e njoh përsëri! Ata kanë mbetur ashtu siç i krijova Unë, edhe pse disa duke i treguar respekt profetëve i kanë përvetësuar ata në bazë kombëtare dhe hidhen në dimër në ujë të ftohtë, kurse pashë të tjerë që nga “dashuria” e madhe e kanë “burgosur” dhe e kanë harruar pejgamberin e tyre dhe atë duke u bazuar mbi “thëniet” e tij, dhe në emër të bidatit i zhveshën muslimanët nga dashuria për të – i lanë pa mevlud.

Këtë “histori”, apo sajesë popullore jemi të lirë ta kuptojmë ashtu siç na paraqitet në çast, por në të njëjtën kohë ajo ka një domethënie të veçantë, sepse këtu është në pyetje origjinaliteti që me ose pa vetëdije mbulohet me petkun e apokrifitetit, duke filluar që nga Fjala e Zotit e deri te praktikimi i saj nga ata, pa u futur në atë anën tjetër se si njeriu mbetet i burgosur brenda tmerrit të mendjes në të kuptuarit dhe praktikimin e asaj Fjale. Qëllimi i kësaj nuk është çështja se ku janë shqiptarët sot, sipas historisë së mësipërme që dëshmon diçka shumë të lartë, edhe pse me të vërtetë vërehet dështimi dhe tmerri, që nga vonesa në gjithçka e deri te konkretizimi i ekzistimit të tyre për një ardhmëri që do ta shpëtonte shpirtin dhe mendjen tonë, ndonëse ne me dinakëri heshtim ndaj këtij tmerri, duke i bërë padrejtësi vetes dhe brezave dhe kohës që vjen. Sepse, duke u bazuar në thënien “heretike” të mësipërme, sot Zoti për ne do të thoshte: nuk ju ka ngelur gjë, pos zhurmës.

Këto ditë “feste”, që dikush e festoi më herët e dikush më pas, festë me peshë, e rëndësishme për një besim, që shënon lindjen e një Pejgamberi të madh të cilin edhe muslimanët janë të detyruar t’i besojnë dhe ta respektojnë, besimtari ballafaqohet me sfidat e ndryshme që paraqiten në kontekstin e dogmatikës: si ka mundësi dikush ta konsiderojë atë “bir” të Zotit këtë pejgamber të madh, i cili për veten thotë: “Unë jam rob i Allahut. Ai ma ka dhënë librin dhe më ka bërë profet” (Merjem, 30). Kjo për mësimet fetare dhe filozofinë e Fjalës së Zotit është rrëqethëse, saqë edhe besimtarin e sinqertë të krishterët e bën të thotë: Ne e dimë se Zoti nuk ka djalë, por tradita na bën që kështu ta përcjellim. Nuk e kam për qëllim të flas se sa shpëtimtare është kjo, por ta prezantoj fotografinë e besimtarëve, sidomos atij momentit kur në acarin e dimrit hidhen në ujë për ta kapur kryqin në emër të “dashurisë”. Simbolika e kësaj është diçka tjetër, konkretizimi i asaj simbolike krijon shumë pyetje dhe heshtje. Ky respekt ndaj një Pejgamberi të Zotit, edhe për ne muslimanët është me rëndësi, dhe pikërisht për këtë arsye edhe ne duhet t’iu dëshirojmë lumturi dhe shpëtim fetar besimtarëve të feve qiellore.

Ky respekt profetik ma përkujtoi në këtë fund/fillim-viti një dukuri që paska qenë traditë te ne, e që mjerisht është harruar: se muslimanët e këtyre viseve edhe në mënyrë fizike janë përpjekur të krijojnë lidhje me hashimitët, pra fisin e Pejgamberit Muhammed Mustafa a.s., që te ne ka qenë i njohur si “Sejjid Hashimi”. Muslimanët tanë natyrisht që nuk janë hedhur në ujë të ftohtë, por janë organizuar që edhe fizikisht/materialisht të krijojnë lidhje, duke përjetuar përgjegjësinë e tyre ndaj Pejgamberit a.s. dhe sylales, apo fisit së tij. Kjo deri para disa kohësh ka qenë edhe temë bisede të gjallë në familjet tona, sidomos aty nga fundi i Perandorisë Osmane, kur ka qenë traditë që kohë pas kohe të vijë dikush nga familja e Pejgamberit a.s. dhe të qëndrojë një kohë të gjatë në viset tona, konkretisht nga ajo që unë kam dëgjuar në fshatin Studeniçan të Shkupit. Vendasit atë e kanë pritur me plot dashuri dhe respekt, sepse e kanë përjetuar atë thirrjen e brendshme që e urdhëron Shpallja si imperativ: “… ta doni Pejgamberin…”, dashuri pa të cilën humb edhe dashuria për Perëndinë. Këtu kemi të bëjmë me kontaktin e drejtpërdrejtë të Shpalljes në formën universale: ta dashurosh, ta nuhasësh aromën e sylales së Pejgamberit a.s., “të zhytesh në ujë të ftohtë”, ta përjetosh detyrimin ndaj tij edhe në mënyrën materiale, edhe pse Pejgamberit tonë i ka qenë e ndaluar të marrë zekat dhe lëmoshë. Por, ndryshe ka qenë rasti me dhuratën, dhe ajo ka qenë më tepër dhuratë për ata që japin, sesa për atë që merr. Këtë dhuratë të këtij lloji muslimanët tanë e kanë përjetuar duke e mirëpritur sylalen e tij. Sot për fat të keq, ka nga ata që thirren në fisin e Pejgamberit a.s., por që nuk kanë të bëjnë asgjë me pejgamberllëkun e tij.

Vizita e sylales së Pejgamberit a.s. në Studeniçan ka qenë festë e gjallë, që e ka gjallëruar shtëpinë, fshatin dhe rrethinën. Rreth saj kanë qenë të angazhuar i madh e i vogël, sidomos dashuria e motrave dhe nënave tona ka qenë aq e thellë, saqë fare nuk kanë ndjerë lodhje në pritjen dhe përgatitjen e ushqimeve për mysafirin i cili ka përcjellë erën e të Dërguarit tonë a.s.. Për një gjë të tillë kanë bërë gara: kush, te kush dhe si; shumë shtëpi kanë mbetur të pikëlluara nga pamundësia e pjesëmarrjes në këtë pritje, dhe nuk duhet harruar se gruaja muslimane e këtij vendi ka shkuar aq larg saqë ka përgatitur lëngun me “shijen” e Pejgamberit a.s., sherbet trëndafili. Kjo është praktikuar edhe gjatë Mevludit, kur është lexuar pjesa për lindjen e tij dhe kur të gjithë në këmbë duke i përcjellë selamin e kanë përfunduar me pirjen e atij sherbeti dhe duke kënduar të gjithë njëzëri:

Mirë se erdhe!

Mirë se erdhe o biri më i madh

i popullit dhe atdheut arab!

Mirë se erdhe o i vjetri fisnik,

o hashimit, o kurejshit.

Që të dobëtit në këmbë do t’i ngrejë,

dhe nga robëria popuj të shumtë t’i shpëtojë.

Mirë se erdhe, o edukator,

o mbrojtës dhe liberator.

Për dashurinë tënde njerëzit shoqërohen,

që njerëzimit bashkë t’i shërbejnë.

Gjithçka të dashuron Ty, o e natyrës krenari,

plak dhe i ri, i madh e fëmi’.

Kur Israfili t’i fryjë surit të tij,

Shpirtrat tanë do të mbështeten te Ti.

Ti mundimet do t’ia zbusësh të pafatit,

Ti duart do t’ia shtrish mëkatarit.

Që ta plotësoj këtë portretizim të kësaj historie, këtë do ta bëj në mënyrë paksa më konkrete, sepse kjo ka qenë histori e gjallë, njerëz të gjallë kanë ardhur dhe njerëz të gjallë i kanë mirëpritur dhe përcjellë, diçka që është harruar tashmë. Tekefundit, harresa tek ne është bërë traditë, për fat të keq dhe ne dita-ditës jemi duke harruar historicitetin e ngjarjeve të martirizimit të muslimanëve. Siç thashë më sipër, nga respekti për një pasardhës të Pejgamberit a.s., që ka ardhur në fshat, natyrisht se të gjithë kanë qenë të kapluar nga hareja, lumturia e Pejgamberit tonë a.s., dhe siç është traditë, fshati dhe paria e fshatit të organizuar mirë me pritje të veçanta, në emër të Zotit dhe dashurisë ndaj Pejgamberit a.s., këtë musafirin nga Medineja e kanë pritur në forma të ndryshme. Një nga këto tradita të cilën edhe ne e kemi mbërritur, ishte një kafjall në brigjet e lumit Vardar. Por, musafiri i nderuar në atë rast ka pasur përvojë të hidhur me hithrën, të cilën për herë të parë e ka hasur këtu tek ne, duke thënë: “Allah, Allah, këtu as bari nuk qenka bar…”

Koha e përkujtimit të pejgamberëve i bën njerëzit që edhe vetvetiu të mos i besojnë vetes, por ç’të bësh që dashuria dhe respekti janë të tillë: ata ta marrin mendjen, ata disi edhe të mbajnë të gjallë, ndaj për fat të keq “racionaliteti” ynë shqiptar musliman përputhet edhe me historinë nga fillimi i këtij shkrimi. Ç’të shohësh sot? Njerëz me diploma në emër të teologjisë dhe fesë thonë se kjo kinse nuk përputhet me origjinalitetin e saj, duke shkuar aq larg saqë si mësim fillestar e marrin fjalën “bidat”, risi dhe harrojnë kotësinë e bidatit dhe varfërinë e shpirtit. A thua vallë kjo mendësi ka bërë që ne ta humbasim atë kontaktin e duhur, “të kërcejmë” në ujë për hir të Pejgamberit a.s., ose të “ngjitemi” në qiell për hir të tij? Vagabondët e teologjisë me siguri kanë menduar se ka mundësi që me fluturake të “arrihet” deri tek ai, duke harruar shkretimin ose lënien bosh të hapësirës pa dashuri. Mënyrat metafizike janë të hapura dhe ato i kapërcejnë dimensionet racionale; duhet që njëherë e përgjithmonë ta kuptojmë se pa e dashur Pejgamberin a.s., ne nuk mund ta përjetojmë kënaqësinë e besimit. Kur’ani thotë se nëse nuk i beson Pejgamberit a.s., nuk je besimtar; pse të mos e përkthejmë këtë si: po nëse nuk e dashuron Pejgamberin a.s., nuk je i dashur i tij. Kjo kërkon hapësirë metafizike të gjallë për ne, ndërsa detyra e kulturës së besimit dhe teologjisë muslimane është e thirrur që këtë hapësirë ta mbajë të gjallë dhe të krijojë mundësi për komunikim të përhershëm me të dashurin e Gjithësisë, Pejgamberin a.s.

Hapësira e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s. ka qenë shpallje e heshtur para se të fillojë shpallja e gjallë, e detyrueshme, e kontrolluar nga Zoti. Edhe politeistët kanë kontaktuar dhe e kanë dëshmuar dashurinë ndaj Pejgamberit a.s., jo vetëm si djalë i ri, por edhe si resul i përhershëm; fjala më e madhe e tyre ka qenë se ai është një mrekulli, mrekullia e tij ka bërë që edhe me lindjen e tij të rrënohen pallate të mbretërve dhe të ndriçohet qielli me nur dhe shpirti i besimtarëve të fluturojë nga gëzimi, tamam të mahnitur nga një njeri që do të ishte vula e profecisë, vula e pejgamberisë. Ne në këtë kohë në vend që ta zhvillojmë këtë metafizikë, çfarë bëmë, ose çfarë jemi duke bërë? Mendojmë se duke shkruar, botuar shkrime do ta kuptojmë diçka të tillë. Pyetja është se a qëndron kjo? Mendjen jemi duke e mbushur shumë, por zemrën e kemi lënë të zbrazët, në zemër edhe ajo që ishte pakëz, për fat të keq nga vetë ne u shua me thëniet dhe mësimet e varfra të mendjes nga djem që mëtojnë se e kuptojnë mësimin e fesë, të cilët për fat të keq nuk bëjnë asgjë, përpos asaj se disa e kuptuan shumë shpejtë se çfarë janë duke bërë; e kuptuan se dashuria e Pejgamberit a.s. nuk është në përkufizimet tona racionale, por është në hapësirën e gjerë të metafizikës së Zotit dhe Shpalljes që e ka bërë kusht, farz të rriteni, të ngriheni, të vdisni brenda dashurisë së Pejgamberit a.s., duke “fluturuar”, duke qarë e duke vdekur, sepse kjo dashuri juve do t’ju bëjë të gjallë.

Teologjia jonë muslimane është e lodhur dhe e burgosur me një dënim të veçantë, sepse edhe atë që është duke e bërë, ka mundësi të jetë brenda kornizave të “mençura”, por jo edhe të kuptimta shpirtërisht. Kjo ka bërë që sot muslimanët të harxhojnë kohë, pasuri, arsye, por të harrojnë varfërinë e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s.. Teologjisë muslimane i zihet fryma kur përmendet emri i Pejgamberit a.s.. Te ky personalitet ka qenë i përmbajtur i tërë mësimi ekzistues dhe joekzistues. Ne muslimanët e kemi pasur traditë ta shprehim dashurinë për Pejgamberin a.s., edhe në kohën e komunizmit, kur kishte disa kufizime, edhe pse për fat të keq disa “budallenjve” tanë iu konvenonte ky kufizim, po ashtu edhe disa “partizanëve” që mëtonin të fluturonin jo me mend por me shpirt aty ku nuk ka shpirt dhe e fyenin këtë traditën tonë, por që ishte një traditë shumë e mirë. Muaji i mevludit, muaji i lindjes së Pejgamberit a.s., është muaj i ringjalljes së dashurisë dhe besimit; muaji i plotësimit të Kur’anit dhe kontaktit me Pejgamberin a.s. Mevlud’hani ynë i njohur Tahir efendiu shumë bukur e ka shprehur këtë në “Mevludin” e tij, sidomos në pjesën ku përshkruhet lindja e Pejgamberit a.s.. Faktikisht kjo ishte pjesa më kryesore e mevludit, të cilën e “racionalizuam” dhe e heshtëm, ndaj mevludet tona sot kur mbahen, bëhen duke u shtrirë, zhgërryer nëpër xhami apo shtëpi, dhe pa e kuptuar qëllimin e tij. Asgjë nuk është e kotë, prandaj janë edhe ato shaka ku përdoren emrat: Merjem/Maria, Mujo (Muhammed), Fata (Fatime), Haso (Hasan), Huso (Husein), Hashim (fisi i Pejgamberit a.s.), për të gjithë këta janë përpjekur të krijojnë një nënkuptim që në vete ngërthen nënçmim, edhe nga ata që “kërcejnë” në ujë të ftohtë.

Është një thënie e urtë se atë që ia bën vetvetes nuk ta bën askush; faktikisht edhe ata të cilët e bënë këtë që bënë, krijuan një atmosferë të tillë; edhe ata që heshtën – nuk kanë shumë dallim në dënim dhe nënçmim, por pyetja është se a thua ne nuk duhet ta mendojmë lirinë tonë e cila ka mundësi ta zbukurojë mësimin fetar, jo vetëm ta racionalizojë, por t’i mundësojë shpirtit, i cili do t’i bëjë pyetje vetvetes për arsyen, për mendjen dhe për kulturën, të cilat sot janë duke u djegur tamam siç thotë Naimi, si qiriri. Sot, thuajse kemi gjithçka, kemi prishur gjithçka me ndërtime dhe pa ndërtime, me rregullime dhe pa rregullime, me prezantime dhe pa prezantime, me libra e pa libra, me një fjalë fare nuk jemi duke menduar se çfarë njeriu jemi duke krijuar, ku është duke na çuar njeriu i çastit, njeriu i sotëm, si vetveten, ashtu edhe neve dhe kohën. Nëse edhe dashurinë ndaj Pejgamberit a.s. ia heshtim kësaj kohe, atëherë paraqitet “heshtja e madhe”.