` . Sedlloski dhe Ismaili flasin para ndeshjes me Santa Klarën - TV SHENJA

Sedlloski dhe Ismaili flasin para ndeshjes me Santa Klarën

Shkupi nesër pret Santa Klarën në ndeshjen e parë të xhiros së dytë eliminatore në Ligën e Konferencës. Një ditë para kësaj sfide nga tabori i skuadrës nga Çairi kanë folur, trajneri Goce Sedlloski dhe kapiteni i ekipit Fatih Ismaili.

“Duhet të durojmë, të tregohemi të zgjuar dhe ta luajmë një lojë të mirë, që ti gëzojmë tifozët tanë me një fitore.Para nesh kemi një kundërshtar mjaft të fortë, luajnë futboll të shpejtë, agresiv dhe sulmues, por sigurisht që edhe ne kemi shumë për të treguar në ndeshjen e nesërme. Ne e kemi analizuar ekipin kundërshtar Santa Clara. Ata kanë lojtarë të shkëlqyeshëm në ekip, por rezultati do të varet nga loja jonë”, thotë trajneri, Goce Sedlloski.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Luajmë kundër një ekipi mjaft të mirë siç është Santa Clara. Po e them edhe një herë, që edhe ne jemi mjaft të përgatitur dhe besojmë që nesër duke e dhënë maksimumin, të dalim me rezultat pozitiv dhe ti gëzojmë tifozët tanë”, thotë kapiteni Ismaili.

Ndeshja Shkupi – Santa Klara luhet nesër në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur nga ora 20:00.