Sedat Berisha futbollist i lirë pas ndarjes me Besën

Sedat Berisha futbollist i lirë pas ndarjes me Besën

Mbrojtësi shkupjan Sedat Berisha është agjent i lirë, pasi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me KF Besa nga Dobërdolli. Pas një sezoni ku ishte ndër shtyllat kryesore të ekipit në sigurimin e mbijetesës së Besës në kategorinë e dytë, Berisha ka vlerësuar se ka për të dhënë akoma kontribut në nivele më serioze se aty ku ishte. Futbollisti dhe drejtuesit e klubit kanë shtrirë dorën e mirënjohjes së ndërsjelltë, duke vendosur rrugët të vazhdojnë në kahje të ndryshme. Kështu 32 vjeçari me dokumentacion të lirë mbetet të shqyrtojë mundësitë për vazhdimin e karrierës dhe bashkë me ekipet vendore opsion mbeten edhe Kosova e Shqipëria.

Sedat Berisha është futbollist me karrierë të pasur, ka luajtur në Maqedoni të Veriut me Shkupin në disa raste, përfshi edhe kohën kur luanin me emrin Slloga Jugomagnat, me Shkëndijën doli kampion në vitin 2011 dhe luajti për 5 sezone me kuqezinjtë tetovarë, ndërsa në vend u paraqit edhe me Milanon e Kumanovës, Metalurgun dhe Struga Trim&Lum. Në Shqipëri ka luajtur me Vllazninë e Tiranën, në Kosovë me Dritën e Trepça 89’, një sezon kaloi në Kuvajt te Al-Jahra, ndërsa një kohë ishte edhe te Bursaspori në Turqi.