` . Së pari shqiptarët e hapur, pastaj Ballkani! - TV SHENJA

Së pari shqiptarët e hapur, pastaj Ballkani!

Ndarja e thellë në kampin etno-politik shqiptar ndaj pjesëmarrjes së Bregoviqit në Festivalin e Korçës i pasqyron në mënyrë më të mirë qasjet e kundërta ndaj projektit “Ballkani i hapur”. Në opinionin shqiptar Edi Rama do të shpallet tradhtar, Albin Kurti do të vazhdojë të jetë kombëtarist (proshqiptar), Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami do të vlerësohen si oportunistë, ndërsa Zijadin Sela dhe Afrim Gashi si nacionalistë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Bregoviqi, serb i Bosnjës, i nxori shqiptarët e Ballkanit në bregun e përçarjes!

Në festivalin e sivjetmë të birrës në Korçë të Shqipërisë merr pjesë muzikanti Goran Bregoviq. Ndaj ftesës së Komunës së Korçës pati mijëra reagime në opinionin publik shqiptar, e cila me siguri vjen si tentim kontributor për gjallërimin e idesë për Ballkan të hapur, emërtim që zëvendësoi idenë e bashkëpunimit rajonal të quajtur “minishengeni ballkanik”! Një pjesë e madhe e artistëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e gjetiu konsiderojnë se Bregoviqi ka qenë inspirator i masakrave në Kosovë dhe i miteve serbe. Si argument për këtë ofrohet kënga “Kallashnikov”!

“Ballkani i hapur” hasi në pengesën e parë, edhe atë në fushën kulturore-artistike! “Përparimtarët” e gjoja “elitës” kulturore dhe artistike në mbarë hapësirën shqiptare u shprehën gojën plot se arti nuk njeh kufij (as etnik e shtetëror), se arti është vlerë dhe estetikë, se arti duhet të vrojtohet i veçuar nga politika e plot përkufizime gojëmbla mbi artin! Arti është art, por edhe Ballkani është Ballkan. Si i tillë, siç e ka historinë, nuk mund të ketë art të papolitizuar, përkatësisht politikë që nuk e instrumentalizon artin për qëllime etno-politike. Nëse ardhja e Bregoviqit nuk do të haste në kritika dhe debat (të papërfunduar) politiko-etnik shqiptar, atëherë Ballkani nuk do të ishte siç është historikisht në thelbin e tij, ndërsa një pjesë e politikës deklarativisht dëshiron ta ndryshojë.

Ndarja e thellë në kampin etno – politik shqiptar ndaj pjesëmarrjes së Bregoviqit në festivalin e Korçës i pasqyron në mënyrë më të mirë qasjet e kundërta ndaj projektit “Ballkani i hapur”. Ky projekt aktualisht ka mbështetje vetëm në Shqipëri, kundër tij janë elita politike e Kosovës, opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kundër është edhe Mali i Zi, në qeverinë e së cilit “lojtari” kryesor është Dritan Abazoviq, shqiptar me përkatësi etnike, por që promovon koncepte kosmopolitane.

 

“Ballkani i hapur” përçau shqiptarët

 

Një pjesë e shqiptarëve e shohin Ballkanin si hapësirë e bashkëpunimit ekonomik-tregtar, kulturor, arsimor, shkencor e sportiv, ndërsa disa tjerë vazhdojnë të pretendojnë se së pari duhet të ketë bashkëpunim ndërshqiptar dhe pajtim midis popujve, që gjatë historisë kanë derdhur shumë gjak dhe kanë dhënë shumë viktima, e më pas të ketë bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje pa kufij.

Ballkani ndoshta nuk do të jetë më “fusha e minuar”, siç ishte gjatë historisë, por iluzion është të mendohet se ai përnjëherë do ta kopjojë modelin e BE-së për bashkëpunim. Ndërkohë në opinionin shqiptar Edi Rama do të shpallet tradhtar, Albin Kurti do të vazhdojë të jetë kombëtarist (proshqiptar), Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami do të vlerësohen si oportunistë, ndërsa Zijadin Sela dhe Afrim Gashi si nacionalistë shqiptarë.

Pra, modeli i ri i bashkëpunimit ekonomik nuk arriti të promovohet dhe të pranohet nga shqiptarët e të gjitha vendeve si zgjidhje e mirë për Ballkan të sigurt dhe të zhvilluar, kjo për shkak të faktit se ideja prezantohet në mënyrë propaganduese dhe populiste, duke lënë anash Kosovën.

Në këtë vijë Edi Rama, me gjithë kritikat dhe rezistencën e madhe tek një pjesë e shqiptarëve, sidomos në Kosovë, tregon guxim për jetësimin e idesë dhe nuk ka ndër mend të heq dorë nga ajo, duke dashur të tregojë se e kaluara duhet t’i lihet historisë dhe duhet të shikohet drejt ardhmërisë.

 

Pushteti PËR, opozita KUNDËR nismës

 

Përderisa është e pritur se BDI-ja dhe Lëvizja BESA, si parti qeveritare janë pro nismës për Ballkan të hapur, opozita shqiptare u shpreh kundër. Qëndrimi i opozitës është se projektet e tilla duhet të zhvillohen në kuadër të Procesit të Berlinit, si mekanizëm i lehtësuar nga BE, me të cilin garantohet pjesëmarrje e barabartë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, sipas Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës problemi është te zbatimi i projektit, pasi po rezulton si integrim asimetrik me logjikë përjashtuese, meqë gjysma e vendeve janë jashtë, përfshirë Kosovën. “Sa i përket pjesëmarrjes së Maqedonisë së Veriut, qeveria i është ngjitur valles pa plan dhe për të kamufluar dështimet e njëpasnjëshme me integrimet evropiane”, konstatoi opozita shqiptare.

Jo vetëm opozita, por edhe një pjesë e elitës intelektuale shqiptare konsideron se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk mund të flitet për Ballkan të hapur dhe derisa kjo nuk ndodh, nisma nuk ka kurrfarë kuptimi. Madje, kundërshtarët e kësaj ideje thonë se liderët e tre vendeve të Ballkanit dëshirojnë të promovojnë oferta alternative në tentim për kamuflim të mosevropeizimit të shteteve që drejtojnë.