Scholz dhe Macron flasin për komunikimin me Putin: Izolimi është gjëja më e keqe

Scholz dhe Macron flasin për komunikimin me Putin: Izolimi është gjëja më e keqe

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se do të ishte një gabim i rëndë të ndalosh plotësisht komunikimin me presidentin rus Vladimir Putin.

Kjo deklaratë e kancelarit gjerman vjen pas një bisede telefonike që ai zhvilloi të premten me presidentin rus, ku diskutuan pushtimin e vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.
“Kjo është arsyeja pse është gjithashtu e rëndësishme që presidenti francez dhe unë, si përfaqësues të vendeve të G7, si dy vende të NATO-s, të vazhdojmë të kërkojmë përsëri dialog”, tha Scholz në ceremoninë e ndarjes së çmimit Marion Doenhoff, i cili këtë vit iu dha Irina Scherbakowa-s, themeluese e organizatës ruse për të drejtat e njeriut Memorial.

Scholz tha se ai foli për sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe nevojën që trupat ruse të tërhiqen nga Ukraina.
“Unë do të vazhdoj kështu, pavarësisht se sa do të zgjasin bisedimet,” shtoi Scholz.

Në fjalimin e tij lavdërues përpara se t’ia dorëzonte çmimin Scherbakowa-s, Scholz vlerësoi punën e saj dhe tha se ajo po merrte çmimin për të gjithë rusët që mund të imagjinonin një “të ardhme të ndryshme, më të mirë dhe më të ndritshme për Rusinë”.

Ndërkohë edhe presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se mban komunikime të rregullta me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Gjatë një intervistë për Cbs, ai tha: “Unë mbaj gjithmonë kontakte të rregullta direkte me Putinin. Izolimi është gjëja më e keqe”, shtoi presidenti francez, duke theksuar se “e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje” për konfliktin në Ukrainë është përmes negociatave.

Macron më pas tha se vendi i tij dhe vendet e tjera perëndimore nuk po përpiqen të shkatërrojnë Rusinë. “Kjo nuk ishte kurrë perspektiva jonë në Francë,” u përgjigj Macron. “Ne gjithashtu kemi marrëdhënie shumë të ngushta kulturore dhe historike” me Moskën dhe “ne kemi respektuar gjithmonë popullin rus”, shtoi presidenti francez.