` . Rutinë dhe slogane - TV SHENJA

Rutinë dhe slogane

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Kohë sloganesh të mërzitshme për të ardhmen e ndritur.

Kohë kur gjuha mbytet nga klishetë.

Kohë kur largpamësit i thyejnë këmbët nëpër gropa.

Kohë kur udhët na kthejnë në vendin ku jemi nisur.

Kohë kur ardhmëria e të rinjve këmbehet për interesat e pleqve të perënduar.

Kohë kur edhe presidenti (po të mos ishte president), do ta braktiste vendin.

Kohë kur shkalla e papunësisë ulet nëpërmjet eksodit.

Kohë kur luksi shijohet nga ata që s’punojnë.

Kohë kur të punësuarit s’e dinë vendin e punës.

Kohë kur dështimet dhe mjerimet fshihen pas lavdive të moçme dhe mbulohen me flamur kombëtar.

Kohë kur tregtarët e flamujve flasin për sakrifica atdhetare.

Kohë kur nëpërmjet fjalimeve për të mirën e përgjithshme fshihen dobitë personale.

Kohë kur dështimet personale paketohen si dështime të kombit.

Kohë kur minierat e arit gjenden nëpër institucionet e shtetit.

Kohë kur premtohen ndryshime për shkak të huajve dhe jo për shkak të vetvetes.

Kohë merimangash ndëshkimi dhe përmbaruesish.

Kohë kur rrugët, sheshet, shkollat, institucionet mbajnë emra heronjsh që i njeh vetëm historia e shkruar nga fituesit.

Kohë kur shumëkush flet me kompetencë të frikshme.

Kohë kur amatorizmi stimulohet në mënyrë profesionale.

Kohë kur apologjetët e regjimit të djeshëm sillen si disidentë.

Kohë kur persekutuesit shpallen të persekutuar.

Kohë kur adhurohen të fortët dhe përçmohen mendimtarët.

Kohë kur mungon mendimi kritik.

Kohë kur mediat bëhen fortafolëse partish politike.

Kohë kur velinat flasin për probleme socio-kulturore e politike.

Kohë kur ata që i ikin përgjegjësisë personale, flasin për përgjegjësi kolektive.

Kohë kur intelektualët presin pensionin që ta thonë mendimin e tyre, sepse atëherë nuk u rrezikohet vendi i punës.

Kohë kur idealizmi barazohet me marrëzinë.

Kohë kur ai që ka ndërruar disa parti flet për konsekuencë ideologjike.

Kohë kur maska është bërë fytyra jonë e vërtetë.

Kohë kur e djeshmja peshohet me kandarin e së sotmes.

Kohë kur ende kemi veteranë nga Lufta e Dytë Botërore.

Kohë kur mësohet vetëm historia e luftërave dhe jo edhe historia e kulturës.

Kohë kur shihen pellazgët dhe nuk shihen shqiptarët e Manastirit.

Kohë kur çdokush që pastron një ferrë pret që historia t’ia shënoj si kontribut për komunitetin.

Kohë kur fyhesh nëpërmjet librave shkollorë.

Kohë kur artisti i përkulet politikanit.

Kohë kur çdo lagje i ka artistët e saj.

Kohë kur secili intelektual ka disa mirënjohje për merita të veçanta.

Kohë kur bëhet humor me fatkeqësinë e tjetrit.

Kohë ku secili tenton të ndryshojë tjetrin, por jo edhe vetveten.

Kohë letargjie, indiference, mosbesimi.

Kohë kur nuk ka ekuilibër ndërmjet faktorit shpirtëror dhe material.

Kohë kur mungon ndjenja për jetën e përbashkët, e cila arrihet vetëm nëpërmjet kulturës, nëpërmjet punës me metodë, disiplinë dhe ngulmim.

Për këtë gjendje të gjithë jemi fajtorë edhe pse luajmë rolin e viktimës në teatrin e historisë, sepse duam të flakim peshën e përgjegjësisë.

Përvoja dhe dija sociologjike dëshmon se mund të dalim nga kjo gjendje vetëm nëpërmjet një strategjie të re, me një sistem të ri shoqëror e shtetëror.

Kjo strategji nuk krijohet nga ata që notojnë nëpër fondet publike, por nga ata që nuk duan të vdekërojnë nën trysninë e banalitetit të provincës së shpallur si qendër e botës.

Njerëzit me qëllime më të larta jetësore mendojnë se çfarë shoqërie do t’u lënë brezave të ardhshëm.

Kur mungon kjo strategji, atëherë ka vetëm zhurmë. Shumë zhurmë për asgjë. Shumë zhurmë për çështje kalimtare. Shumë zhurmë për bukën e përditshme. Shumë zhurmë për çështje ekzistenciale dhe jo esenciale. Shumë zhurmë për konstatimin e gjendjes, por pa ofruar zgjidhje. Mjafton që ka zgjedhje, pastaj mund të mendohet për zgjidhje!

Kjo është politikë për efekte çasti.

Në fillim është ideja, pastaj ideja hidhet në veprim. Pa ide nuk ka veprim. Pa ide ka rrugëtim politik nëpër mjegull.

Një popull pa synim është popull i humbur. Një popull i dëshpëruar shkon drejt atrofizimit, moçalizimit. Një popull që humb shpresën, ai vdekëron.

Politika nuk është lojë fati. Ajo përveçse mendim është edhe veprim. Veprimit politik i paraprin ideja e qartë politike.

Politika e përkufizuar si pajtim i njeriut me shoqërinë krijon strategji dhe nuk reduktohet në përplasje meskine për çështje të parëndësishme.

Politika që i përjashton heronjtë e mendimit është politikë “çka sjell moti”, “në daltë ku të dalë”.

Në historinë politike shqiptare ka pasur modele apo ideologji të menduara mirë, që mund të përshtaten edhe për kohën tonë. Pastaj duhet vendosmëria për ta jetësuar idenë. Kështu vepruan rilindësit, këta krijues të projektit politik, që kishte synim krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kështu vepruan mendimtarët e viteve 30-të,të cilët krijuan disa projekte autoktone shqiptare: Branko Merxhani dhe Vangjel Koça projektuan “neoshqiptarizmën”, Mithat Frashëri shpërfaqi ideologjinë e tij nëpërmjet “Dekalogut” të njohur, Anton Harapi e prezantoi Ideologjinë Shqiptare, kurse Ismet Toto e prezantoi ideologjinë e quajtur “Diktatura e Ndritur”. Sigurisht ka aty shumëçka utopike, por ka edhe shumëçka që i duhet kohës sonë.