Rusia shton trupat në Ukrainë, komisioneri i OKB viziton varret masive

Rusia shton trupat në Ukrainë, komisioneri i OKB viziton varret masive

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se nga 300 mijë trupat e thirrura në kuadër të mobilizimit të fundit në vend, 150 mijë janë vendosur tashmë në Ukrainë.

Gjatë sesionit vjetor të këshillit të të drejtave të njeriut, Putin paralajmëroi se do të mbrojë Rusinë me çdo mjet në dispozicion, në atë që e quajti “luftë për interesat kombëtare” ruse kundër Perëndimit.

Ai pranoi se sulmi në Ukrainë po zgjat përtej parashikimeve, por vlerësoi territoret e zaptuara nga Moska.
“Sigurisht, mund të jetë një proces i gjatë, por të gjithë janë në dijeni të territoreve të marra nën kontroll. Kjo është një arritje domethënëse për Rusinë”, tha Vladimir Putin, president i Rusisë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të mërkurën se të paktën 6 persona ishin vrarë dhe 5 të tjerë të lënduar nga sulmet ruse në rajonin lindor të Donjeckut.

Volker Turk, komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, vizitoi qytetin ukrainas të Izjumit, ku disa varre masive janë zbuluar pasi forcat ukrainase rimorën nën kontroll zonën në shtator.

Ai vizitoi gjithashtu godinën e shkatërruar, ku 50 civilë mbetën të vrarë si pasojë e bombardimeve të ushtrisë ruse.