Rusia sanksionon bashkëshorten dhe vajzën e Bidenit

Rusia sanksionon bashkëshorten dhe vajzën e Bidenit

Rusia sot vendosi në listën e zezë 25 shtetas të tjerë amerikanë, përfshirë Jill dhe Ashley Biden, bashkëshorten dhe vajzën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, raporton AA.

Masat kufizuese janë vendosur në përgjigje të sanksioneve të vazhdueshme të SHBA-së kundër figurave politike dhe publike ruse, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Pjesa tjetër e personave të ndaluar janë pjesë e të ashtuquajturit grupi Yermak-McFaul, një grup ndërkombëtar i udhëhequr nga Andriy Yermak, shefi i zyrës presidenciale të Ukrainës dhe Michael McFaul, ish-ambasador i SHBA-së në Rusi, i cili merret me rekomandime për kufizimet anti-ruse.

Aktualisht, lista e shtetasve amerikanë të ndaluar për të hyrë në Rusi përfshin 1.048 emra.

Në një deklaratë të veçantë, ministria njoftoi se ka thirrur të Ngarkuarin me Punë të Suedisë, Johannes Danielsson, të cilit i ka thënë se aktivitetet e Institutit Suedez dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) në Rusi janë “të padëshirueshme” dhe duhet të ndërpriten menjëherë.

“Aktualisht, projektet e zbatuara në territorin e Federatës Ruse nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Instituti Suedez nuk përmbushin qëllimet e deklaruara për të nxitur zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh humanitar dhe mjedisor por fokusohen në dëshira për të destabilizuar shoqërinë ruse.

“Financimi i projekteve të tilla, pavarësisht përkujtimit të përsëritur nga pala ruse për nevojën që t’i bëjë ato transparente, nuk ishin transparent”, tha ministria.

Më tej thuhet se që nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, Suedia deklaroi hapur se financimi i organizatave do të orientohet drejt mbështetjes së “organizatave joqeveritare ruse, demokratike, të të drejtave të njeriut, mjedisit dhe mediave të pavarura”.