` . Rusia ngre shqetësime për provën e fundit raketore të SHBA-së - TV-SHENJA

Rusia ngre shqetësime për provën e fundit raketore të SHBA-së

Rusia ngriti alarmin sot në lidhje me testimin raketor të SHBA-së e cila do të ishte e ndaluar në bazë të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), raporton AA.

Zëdhënësi i Presidencës Ruse, Dmitry Peskov, tha se testi i djeshëm raketor dëshmon se fajtor për shkëputjen e traktatit është Washingtoni.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se SHBA prej kohësh po përgatitej të shkelë dispozitat e traktatit të INF. Ky (test raketor) është një konfirmim me elokuencë se traktati është thyer me të vërtetë me iniciativën e SHBA-së” tha Peskov para gazetarëve në Moskë.

SHBA u tërhoq zyrtarisht nga Traktati i INF në gusht. Më vonë, në të njëjtin muaj, SHBA testoi një raketë të ndaluar më parë sipas traktatit.

Traktati u nënshkrua në vitin 1987 nga lideri i atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti amerikan, Ronald Reagan, duke zvogëluar shanset për një luftë bërthamore në Evropë.

Sipas traktatit, të dyja palët shkatërruan tërë arsenalin e raketave me rreze të mesme dhe me rreze të shkurtër në një hapësirë ​​prej katër vjetësh.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë frikë nga një garë e re e armatimit në mungesë të këtij traktati historik.