` . Rusia merr fitoren e parë, Finlanda “ndëshkohet” nga VAR-i - TV SHENJA

Rusia merr fitoren e parë, Finlanda “ndëshkohet” nga VAR-i

Rusia merr pikët e para në Grupin B, duke harruar disfatën në sfidën debutuese në Euro 2020 kundër Belgjikës. Skuadra e Cherchesov mposhti 1-0 Finlandën në “Gazprom Arena” të Shën Petersburgut falë golit të futbollistit të Atalantës, Miranchuk, në kohën shtesë të fraksionit të parë. Një sukses i vuajtur për rusët, që ishin me fat në minutën e 5-të falë ndërhyrjes së sistemit VAR, që anuloi golin e realizuar me kokë nga Joel Pohjanpalo, i kapur për çështje centimetrash në pozicion jashtë loje.

Rusia, e cila ishte më dominuese në lojë, arriti ta zhbllokonte sfidën në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, falë cilësive individuale të Miranchuk, i cili realizoi një gol të bukur mes mbrojtësve kundërshtarë brenda zonës.

Gjatë pjesë dytë loja u zhvillua e hapur me raste të shumta, sidomos në portën e Finlandës, por rezultati nuk ndryshoi, me Rusinë që duhet t’i mjaftojë një barazim në takimin e fundit me Danimarkën për të avancuar më tej.