Rusia: Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën do ta “çojë vetëm në shkatërrimin e saj”

Rusia: Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën do ta “çojë vetëm në shkatërrimin e saj”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se synimet e SHBA-së për të “forcuar pozitën e Kievit” do të çojnë vetëm në “shkatërrimin e Ukrainës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“SHBA-ja po e furnizon me armë për të shkatërruar vendin për të cilin ata janë kujdesur (Ukrainën) për shumë vite. Kjo është një kontradiktë kaq jetike. Ata duket se duan të forcohen dhe forcohen, por gjithçka çon në rezultat të kundërt. Pozicioni i Washingtonit, që mbështetet në fryrjen e konfliktit, çon në shkatërrimin e Ukrainës”, tha Zakharova për ‘Radio Sputnik’.

Ajo theksoi se shumë njerëz në Ukrainë tashmë e kuptojnë këtë dhe shtoi se “SHBA-ja nuk ka planifikuar asnjë paqe, prosperitet apo demokraci në territorin e Ukrainës”.

Sipas saj, “ata synojnë ta përdorin konfliktin si trampolinë, si terren trajnimi dhe si mjet”.

Deklarata e saj vjen në përgjigje të komenteve të zv.sekretares së shtetit amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila dje tha se Washingtoni synon t’i ofrojë Ukrainës një pozicion “maksimalisht të fortë” deri në kohën kur të fillojnë bisedimet e paqes me Rusinë.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin e Ukrainës dhe t’i ofrojmë mbështetje për t’i ndihmuar ata të mbrojnë veten dhe territorin e tyre kundër pushtimit të paligjshëm të Rusisë. Ne do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të duhet”, tha Donfried.

Ajo theksoi se referendumet janë “marifete propagandistike në përpjekje për të maskuar përpjekjet e kota për rrëmbimin e tokës në Ukrainë”. Ajo shtoi se rezultatet ishin të “orkestruara” dhe se nuk pasqyrojnë vullnetin e njerëzve në Ukrainë.

Ajo përsëriti se SHBA-ja nuk do ta njohë kurrë aneksimin e ndonjë territori të Ukrainës nga Rusia.

Të premten, SHBA-ja njoftoi një ndihmë shtesë prej 725 milionë dollarësh për të siguruar nevojat e mbrojtjes së Ukrainës. Njoftimi erdhi disa ditë pasi Rusia kreu sulme ajrore në të gjithë Ukrainën, përfshirë në kryeqytetin Kiev.

Rajonet e pushtuara të Ukrainës nga Rusia, respektivisht rajonet Donetsk dhe Luhansk, si dhe pjesët e rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson të kontrolluara nga Rusia, mbajtën referendume për bashkimin me Rusinë më 23-27 shtator.

Moska pretendoi se rreth 98 për qind e votuesve zgjodhën t’i bashkohen Rusisë, por rezultatet u kundërshtuan dhe u refuzuan nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.

Votimet janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, me vendet evropiane dhe SHBA-ja që i quajtën ato “të rreme” dhe një shkelje të ligjit ndërkombëtar.