Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për sulmin ku u vranë disa të burgosur ukrainas

Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për sulmin ku u vranë disa të burgosur ukrainas

Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për një sulm me raketa që vrau disa të burgosur ukrainas të luftës në pjesën e pushtuar të rajonit të Donetsk.

Ukraina thotë se burgu ishte vënë në cak nga Rusia në një përpjekje për të shkatërruar provat e torturës dhe vrasjeve, transmeton Telegrafi.

Nga ana e saj, Rusia tha se kampi i burgut në Olenivka u godit nga raketa precize ukrainase.

Pamjet e paverifikuara ruse të pasojave tregojnë një lëmsh shtretërish të rrënuar dhe trupa të djegur keq.

Një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky tha se skena dukej si zjarrvënie dhe se një sulm me raketa do të kishte shpërndarë trupat.

Mes të arrestuarve thuhet se përfshihen anëtarë të batalionit Azov, të cilët ishin mbrojtësit e fundit të Mariupolit dhe të cilët Rusia ka kërkuar t’i përshkruajë si neo-nazistë dhe kriminelë lufte.

Prokurori i ri i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin tha se kishte hapur një hetim për krimet e luftës për shpërthimin. Zyra e tij shtoi se besonte se rreth 40 njerëz u vranë në sulm dhe 130 u plagosën.

Daniil Bezsonov, një zëdhënës për Republikën Popullore separatiste të Donetskut të mbështetur nga Rusia, tha se sulmi kishte qenë një “goditje e drejtpërdrejtë në një kazermë që mbante të burgosur” dhe numri i të vrarëve mund të rritet.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmi ishte kryer me artileri Himars të prodhuar nga SHBA dhe akuzoi Ukrainën për një provokim “të kryer qëllimisht”. Ministria prodhoi fragmente të atyre që tha se ishin raketa të lëshuara nga sistemi Himars.