Rusia: Bisedat për mundësinë e një lufte bërthamore janë të papranueshme

Rusia: Bisedat për mundësinë e një lufte bërthamore janë të papranueshme

Rusia i konsideron të papranueshme bisedat rreth mundësisë së një lufte bërthamore, deklaroi të enjten kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse, Valentina Matviyenko, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është e papranueshme madje të flitet për mundësinë e një lufte bërthamore. Çdo person i shëndoshë, veçanërisht një politikan dhe burrë shteti, e kupton se një luftë bërthamore, Zoti na ruajt, nëse do të ndodhte, nënkupton përgjithësisht fundin e qytetërimit njerëzor”, tha Matviyenko në një konferencë për media në Moskë e pyetur nëse konfrontimi aktual ruso-perëndimor në lidhje me luftën në Ukrainë mund të evoluojë në një konflikt bërthamor.

“Ajo as që mund të diskutohet. Kjo është e pamundur të imagjinohet edhe në makthin më të tmerrshëm”, tha Matviyenko.

“Rusia i sheh armët bërthamore si një mjet kontrolli. Doktrina e saj ushtarake lejon përdorimin vetëm për qëllime mbrojtëse të këtij lloji të armës, si përgjigje ndaj një sulmi”, tha ajo.

Lidhur me komentet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i cili shpalli dëshirën e tij për ta bërë Ukrainën fuqi bërthamore, Matviyenko tha: “Kjo është si t’i japësh granatë një të çmenduri”.

Ajo e kritikoi idenë e transferimit të aseteve të ngrira të Rusisë në Perëndim në Ukrainë si vjedhje e sponsorizuar nga shteti.

“Ky është një lloj banditizmi shtetëror. Kur shkelen të gjitha rregullat ndërkombëtare, kur vendosen sanksione absolutisht të paligjshme, ngrihen dhe plaçkiten pasuritë e një shteti sovran mbi baza etnike, pronat e qytetarëve rusë likuidohen dhe merren pa gjyq, ndërsa nuk bëhen hetime dhe pretendime specifike”, tha ajo, “banditizmi shtetëror është se ata e konsiderojnë të mundur ndërhyrjen në punët e shteteve sovrane – Jugosllavisë, Sirisë, Afganistanit, Irakut, Libisë e tjerë”.

Të gjitha veprimet e paligjshme ndërmerren për të ruajtur hegjemoninë e SHBA-së, tha ajo.

Matviyenko refuzoi të flasë për fatin e territorit të Ukrainës që ka kaluar nën kontrollin e Rusisë, duke theksuar se banorët e këtyre territoreve do të vendosin se çfarë të bëjnë.

“Nëse banorët e Donetskut dhe Luganskut, territoreve dhe rajoneve të tjera të Ukrainës e konsiderojnë të nevojshme mbajtjen e një referendumi (për bashkim me Federatën Ruse), për të shprehur vullnetin e tyre, ne, në kuadrin e detyrave, kompetencave tona kushtetuese, sigurisht që do të shqyrtojmë këtë çështje”, tha ajo.

– Johnson diskreditoi veten si politikan

“Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e turpëroi veten si politikan, por vazhdon të mbajë pozitën”, tha Matviyenko në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me krizën politike në Britani.

“Ai është diskredituar në sytë e qytetarëve të tij si kryeministër, si politikan. Për mendimin tim, meriton një vlerësim adekuat”, tha Matviyenko.

“Në nivelin aktual të mosbesimit nga ana e qytetarëve të Britanisë, Johnson duhet të japë dorëheqjen si kryeministër i vendit, edhe pse ai qëndron (në pozicionin e tij) deri në fund”, tha ajo.

Sipas saj, Johnson ndoqi një politikë armiqësore ndaj Rusisë dhe këtë e bënte pa marrë parasysh opinionet e qytetarëve të Britanisë.

“Si rezultat i një politike të tillë të pamenduar dhe shpërfilljes së interesave tona kombëtare, ne shohim deri ku ka ardhur situata në shumë vende evropiane. Sipas të dhënave të fundit, 70 për qind e qytetarëve të Britanisë nuk e mbështesin politikën e kryeministrit Johnson”, ajo tha.

Johnson pranoi të jepte dorëheqjen të enjten pasi u vu nën presion të madh, kur më shumë se 50 politikanë dhanë dorëheqjen nga qeveria e tij në 48 orët e fundit.

Ai dha dorëheqje si lider i konservatorëve, por nuk është e qartë nëse ai do të vazhdojë të mbetet kryeministër derisa partia të zgjedh një udhëheqës të ri.