Rritet numri i vendeve ku Rusia ka ndaluar dërgesat e gazit në Evropë

Rritet numri i vendeve ku Rusia ka ndaluar dërgesat e gazit në Evropë

Teksa Evropa po e fut Rusinë në një situatë të vështirë ekonomike me sanksionet e saj gjithëpërfshirëse për shkak të luftës në Ukrainë, po ashtu kundërhapat e ndërmarra nga Kremlini thellojnë krizën energjetike në vendet perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Së fundmi, Gazprom njoftoi se ka ndaluar dërgesat e gazit natyror në Itali, me të cilën para luftës kishte shumë bashkëpunim në sektorin e energjisë.

Kompania italiane ENI njoftoi se dërgesat për muajin tetor janë ndalur dhe në ditët në vijim do të bëhet e qartë nëse do të rifillojë qarkullimi i gazit apo jo.

Gazprom njoftoi se bisedimet teknike me kompaninë ENI për vazhdimin e dërgesave janë duke vazhduar, ndërsa në një deklaratë tjetër të bërë të njëjtën ditë nga kompania, thuhet se dërgesat drejt Moldavisë janë ulur me afro 30 për qind.

Duke akuzuar Moldavinë për shkelje të detyrimeve të saj në kontratat e gazit natyror, Gazprom paralajmëroi se nëse kjo situatë vazhdon, mund të ndalojë plotësisht dërgesat e gazit natyror në Moldavi.

Dërgesat ishin ndalur më parë në Poloni dhe Bullgari

Sipas sistemit të ri të pagesave me rubla të shpallur më 23 mars nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vendet që blejnë gazin rus duhet të hapin llogari në Gazprombank dhe të kryejnë pagesat në këtë bankë dhe fondet në fjalë duhet të konvertohen në rubla sipas Bursës së Moskës.

Gazprom, i cili është furnizuesi kryesor i gazit natyror në Evropë, që nga viti 2021 ndaloi dërgesat e gazit në Poloni dhe Bullgari në fund të prillit me arsyetimin se ato nuk i kryenin pagesat e tyre në rubla.

Ndërsa varësia e Polonisë nga gazi rus ishte 40 për qind vitin e kaluar, vendi mbështetet në tubacionet nga Norvegjia dhe furnizimet me gaz natyror të lëngshëm (LNG), kryesisht nga SHBA-ja, për të shmangur këtë varësi.

Bullgaria, e cila ka një varësi 90 për qind nga gazi rus, vitin e kaluar importoi 3,3 miliardë metra kub gaz natyror nga Rusia. Disa zyrtarë në Bullgari argumentojnë se negociatat me Rusinë janë të nevojshme për të rifilluar dërgesat e gazit natyror.

Pas këtyre dy vendeve, Gazprom ndaloi dërgesat edhe për disa kompani energjetike që furnizojnë Finlandën, Holandën, Danimarkën, Letoninë dhe Gjermaninë me arsyetimin se nuk respektojnë sistemin e pagesave.

Rriten problemet e tubacioneve

Dërgesat përmes “Nord Stream 1” (Rrjedha Veriore 1), një nga linjat e rëndësishme ku Rusia dërgon gaz natyror në Evropë, u ndaluan më 31 gusht.

“Nord Stream 1” njihet si një nga linjat e rëndësishme që transporton gazin rus në Evropë, si dhe tubacioni “Yamal-Europe” dhe tubacionet në Ukrainë. Për shkak të rrjedhjeve në “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2” javën e kaluar, Rusia akuzon disa vende perëndimore, veçanërisht SHBA-në, për sabotim të linjave.

Tubacioni i gazit natyror “Nord Stream 2” (Rrjedha Veriore 2), të cilin Gazprom e ndërtoi duke planifikuar të ridrejtojë pjesën më të madhe të gazit natyror që dërgon në Evropë përmes Ukrainës, nuk filloi të punonte për shkak të sanksioneve para se të vihej në punë.

“Yamal-Europe”, një tjetër tubacion që luan një rol kritik në dërgesat e gazit natyror të Gazprom në Evropë, nuk përdoret më.

Tubacioni “Yamal-Europe”, tubacionet në Ukrainë dhe gazsjellësi “Nord Stream” njihen si një nga linjat e rëndësishme që transportojnë gazin rus në Evropë.

Gazprom njoftoi se nuk do të përdorë më pjesën e Polonisë të gazsjellësit “Yamal-Evropë” pas zhvillimeve.

Dërgesat përmes Ukrainës janë ulur përgjysmë

Përfaqësuesi i Gazprom, Sergei Kupriyanov, në një deklaratë më 10 maj tha se Ukraina kishte informuar se do të ndalonte blerjen e gazit rus nga pika e shpërndarjes së gazit natyror të quajtur Sohranovka.

Rusia dërgonte 30 për qind të gazit që dërgonte në Evropë nëpërmjet Sohranovka, e cila ndodhet në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe ka një kapacitet ditor prej rreth 30 milionë metra kub.

Me mbylljen e pikës hyrëse në fjalë, sasia e gazit natyror të dërguar nga Gazprom në Evropë përmes Ukrainës u ul me 54 për qind krahasuar me 10 majin dhe ra në 41 milionë metër kub.