Rritet numri i gazetarëve të vrarë, 40 për qind më shumë këtë vit sesa në 2021

Rritet numri i gazetarëve të vrarë, 40 për qind më shumë këtë vit sesa në 2021

Numri i gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë në krye të detyrës në vitin 2022 u rrit me më shumë se 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar, tregoi një raport i ri i publikuar të premten.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) thotë se 67 profesionistë të medias janë vrarë gjatë punës, nga 47 një vit më parë, shkruan dw.

“Rritja e numrit të vrasjeve të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias është një shkak serioz për shqetësim dhe një tjetër thirrje zgjimi për qeveritë në mbarë botën që të marrin masa për të mbrojtur gazetarinë, një nga shtyllat kryesore të demokracisë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger.

Lufta në Ukrainë, trazirat civile në Haiti, si dhe aktivitetet e organizatave kriminale në Meksikë kontribuuan më së shumti në rritjen e vrasjeve, theksoi organizata me bazë në Bruksel, e cila përfaqëson rreth 600 mijë gazetarë nga 146 vende.

Vendi më vdekjeprurës për personelin e medias ishte Ukraina, me 12 vdekje të raportuara, ndërsa Amerika Veriore dhe Jugore ishte rajoni më vdekjeprurës, me 29 vdekje.

Raporti, i publikuar në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, tregon gjithashtu një rritje të represionit politik dhe regjistron të paktën 375 gazetarë të burgosur për kryerjen e punës së tyre, që është 10 më shumë se vitin e kaluar. Shumica e tyre janë në Kinë, Mianmar, Turqi, Iran dhe Bjellorusi. /Telegrafi/