Rritet në 71 numri i ushtarëve të Azerbajxhanit të rënë dëshmorë në provokimet e Armenisë

Rritet në 71 numri i ushtarëve të Azerbajxhanit të rënë dëshmorë në provokimet e Armenisë

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se është rritur në 71 numri i ushtarëve të Azerbajxhanit që kanë rënë dëshmorë në konfliktet e shkaktuara si pasojë e provokimit të Armenisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria përditësoi në faqen e saj të internetit listën me emrat e dëshmorëve. Sipas kësaj, në listë paraqiten emrat e 71 ushtarëve të rënë dëshmorë në konfliktet që filluan më 12 shtator në kufirin mes dy vendeve si pasojë e provokimeve të Armenisë.

Në deklaratën e saj të mëparshme Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit kishte njoftuar se dëshmorë kishin rënë 50 ushtarë.

Konfliktet në kufirin Azerbajxhan-Armeni

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se në natën e 12 shtatorit dhe mëngjesin e 13 shtatorit, ushtria armene nga kufiri i saj me Azerbajxhanin kishte kryer provokime në përmasa të gjera në drejtim të Dashkasan, Kalbajar, Lachin dhe Zangilan.

Disa pozicione dhe strehimore të ushtrisë së Azerbajxhanit në kufi, u sulmuan me armë të kalibrit të ndryshëm, përfshirë edhe predha mortajash. Ushtria e Azerbajxhanit u kundërpërgjigj për të ndalur pikat e zjarrit të Forcave të Armatosura Armene si dhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, duke iu shkaktuar humbje të rënda njësive armene.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan ka deklaruar se në konflikte janë vrarë 105 ushtarë armenë ndërkohë që edhe Azerbajxhani njoftoi se është i gatshëm të dorëzojë trupat e rreth 100 ushtarëve armenë që humbën jetën në konfliktin që filloi me provokimet e Armenisë.