Rritet në 60% shkalla e mbushjes së rezervuarëve të gazit natyror në Evropë

Rritet në 60% shkalla e mbushjes së rezervuarëve të gazit natyror në Evropë

Shkalla e mbushjes së rezervuarëve të gazit natyror, e cila ishte 28 për qind në fund të dimrit në Evropë, është rritur në 60 për qind në fund të qershorit, raporton AA.

Evropa, e cila po përballet me problemin e furnizimit të energjensave për shkak të luftës Ukrainë-Rusi ka vendosur të diversifikojë burimet dhe të mbushë depotë e saj.

Vendet evropiane, të cilat duan të shmangin problemet me gazin natyror në muajt e dimrit të vitit të ardhshëm, tashmë kanë nisur mbushjen e depove.

Në fund të shkurtit, mbushja e rezervuarëve evropianë të gazit ishte 28 për qind, në fund të marsit 26 për qind, në fund të prillit 33 për qind, në fund të majit 47 për qind dhe në fund të qershorit 60 për qind.

Më 19 maj, institucionet e Bashkimit Evropian (BE) arritën konsensus mbi një ligj që do ta bëjë të detyrueshëm mbushjen e të paktën 80 për qind të rezervuarëve nëntokësor të gazit natyror në vendet anëtare deri në dimrin e ardhshëm.

Portugalia është i vetmi vend në BE që ka mbushur të gjitha rezervuarët e gazit natyror. Gjermania, një nga vendet e BE-së me një konsum të madh të gazit natyror, mbushi 62 për qind.

Mbushja e depove në Poloni është 97 për qind ndërsa në Britani të Madhe 94 për qind.