` . Rreziqet e shqiptarëve - TV SHENJA

Rreziqet e shqiptarëve

Përfshirja e Ballkanit në sferën e ndikimit perëndimor, përmes demokratizimit politik dhe integrimeve në BE dhe NATO, edhe pse këto procese nuk janë përmbyllur (madje demokratizimi është prapësuar), ka bllokuar shpërthimin e hapur të konflikteve etnike, por pa u dhënë një zgjidhje të qëndrueshme atyre.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Teksti i shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ndoshta është më i shkurtri syresh në botë, vetëm një fjali: “Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e emosvarme”. Në kushtet e atëhershme, kur po vihej në pikëpyetje ekzistenca e kombit shqiptar, nuk mund të thuhej më shumë dhe mjaftonte vetë shpallja e pavarësisë si e tillë. Trembëdhjetë vite më parë, Sami Frashëri në sythin “Reziket’ e Shqipërisë” të manifestit Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, paralajmëronte atë që ndodhi në Luftën Ballkanike. Ai shkruante se “kombetë q’e kane rrethuarë Shqipërinë duanë ta copëtojn’ e ta ndajnë në mest tyre”. Samiu vinte gishtin në faktin se fqinjët po punonin pareshtur gjatë “paqes” për të korrur fitoren, prandaj i porosiste shqiptarët të bëheshin gati për t’u përballur me ta kur të vinte dita e armëve: “Shqiptarëtë duhetë të jenë të zottë të ruajnë vetë më vetëhe vëndin’ e tyre e të mos varenë më Tyrqinë, e cila s’ësht’ e zonja për vetëhe të saj”.

Sot, a rrezikohet kombi shqiptar? A është paqja e tanishme e përhershme? A është i gatshëm Perëndimi për të na mbrojtur në rast agresioni e lufte?A jemi të zotë të ruajmë veten? T’i marrim me radhë këto pyetje, duke ia nisur me të parën:

 

Sot a rrezikohemi?

Vetëm njëzet e një vite na ndajnë nga përpjekja më e fundit e Serbisë për të spastruar Kosovën prej shqiptarëve. Agresioni serb, me anë të strukturave paralele brenda Kosovës dhe me bllokadë diplomatike jashtë, ka vazhduar i pandërprerë. Plani më i fundit për copëtimin e Kosovës u ndal në vitin 2020 dhe nuk ka garanci që nuk do të ringjallet në të ardhmen. Shqiptarët në Luginën e Preshevës po i nënshtrohen një spastrimi të heshtur dhe diskriminimi në forma të ndryshme. Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, në fjalimin e tij para një muaji (botuar në disa portale, njëri syresh Koha Ditore, https://www.koha.net/arberi/243167/fjalimi-i-plote-i-kamberit-ne-kuvendin-e-serbise/) e tha me shumë të drejtë se Serbia nuk ka ndryshuar aspak, sepse jo vetëm pasardhësit e drejtpërdrejtë politikë të Millosheviqit, Vuçiq e Daçiq, por as opozita nuk duan të shkëputen nga trashëgimia gjenocidale e politikës serbe. Rreziku bëhet më i madh kur shohim se kjo Serbi, që kërcënon me luftëra të reja në Ballkan dhe aleatja më e fortë e Rusisë në rajon, është e pranueshme për Perëndimin.

Gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut mund të duket më e mirë për sa kohë që në këto shtete faktori politik sllav është i përçarë dhe nën një trysni të jashtme – Mali i Zi nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut deri dje nga Greqia e tashmë nga Bullgaria. Për shkak të antagonizmit politik, partitë që kanë qeverisur kanë pasur nevojë për aleanca me partitë shqiptare dhe në këtë proces është plotësuar ndonjë kërkesë e kahershme si p.sh. Komuna e Tuzit apo statusi zyrtar i shqipes në disa komuna të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, as që mund të mendohet se të dy shtetet do t’i ikin arsyes mbi të cilën janë themeluar, fuqizimit të kombeve përkatëse sllave, madje ata kanë tentuar dhe kanë arritur edhe zgjerimin në territore shqiptare: pak vite më parë Mali i Zi mori Çakorrin nga Kosova, ndërsa në Maqedoninë e Veriut trajtimi i diferencuar në shërbimet publike dhe investimet e qeverisë qendrore nëpër komuna ka një prapavijë të qartë etnike, që favorizon maqedonasit, për t’i detyruar shqiptarët më të varfër që të emigrojnë. Në jug edhe Greqia po zgjerohet në hapësirën detare, që me të drejtën ndërkombëtare i takon Shqipërisë, dhe nuk ka pushuar asnjëherë përpjekjet për greqizimin e krahinave jugore të Shqipërisë. Rreziqet e shqiptarëve sot janë reale, edhe në kohë paqeje, mirëpo a është kjo një….

 

Paqe e përhershme?

Përfshirja e Ballkanit në sferën e ndikimit perëndimor, përmes demokratizimit politik dhe integrimeve në BE dhe NATO, edhe pse këto procese nuk janë përmbyllur (madje demokratizimi është prapësuar), ka bllokuar shpërthimin e hapur të konflikteve etnike, por pa u dhënë një zgjidhje të qëndrueshme atyre. Siç e ka vërejtur Arbër Zaimi në një artikull ku krahason konfliktet në Kaukaz me ato të Ballkanit (“Sinjale nga Kaukazi”, portali Peizazhe të fjalës, https://peizazhe.com/2020/11/03/sinjale-nga-kaukazi/), kriza e ekonomike globale ka dobësuar interesimin e Perëndimit për Ballkanin dhe janë krijuar hapësira për ndërhyrjen e fuqive të tjera të jashtme, si Rusia e Kina, por edhe rritjen e ndikimit të Turqisë, e cila, për nga vetë pozita e saj gjeografike dhe trashëgimia historike, duhet konsideruar si pjesë e Ballkanit. Shtetet rreth nesh, që ndjejnë luhatjet në gjeopolitikën globale dhe kanë “llogari të hapura” për sa u përket aspiratave të tyre gjeopolitike e historike, po rrisin buxhetin për mbrojtje – në radhë të parë Serbia, por edhe Kroacia është përpjekur të mos mbetet mbrapa. Greqia me Turqinë, dy shtete anëtare të NATO-s, kanë hyrë në një fazë të re të përplasjes për hapësirat sovrane detare në Egje dhe valët e saj po ndjehen edhe në Detin Jon. Serbia jo vetëm që e ka rritur disa herë buxhetin ushtarak, por ka blerë armatime nga shtete të ndryshme, si Rusia dhe Kina, sikurse është interesuar për blerjen e armatimeve nga SHBA, Izraeli dhe Turqia. Përballë armatosjes së Serbisë, Shqipëria dhe Kosova e kanë lënë mbrojtjen e tyre krejtësisht në duart e Perëndimit. Kosova shpreson se trupat e KFOR-it do mbeten aty për një kohë sa më të gjatë, ndërsa Shqipëria beson, deri diku me të drejtë, se çadra e NATO-s i siguron mbrojtjen nga jashtë, mirëpo në krahun tjetër nuk ka zhvilluar kapaciteteve për të ndërhyrë vetë ushtarakisht në rast të ndonjë agresioni të armatosur të Serbisë në Kosovë. Nëse kjo ndodh, Shqipëria sërish do të bëjë thirrje për ndërhyrje të NATO-s, si në vitet 1998-1999, pa pasur garanci, siç nuk kishte as atëherë, se NATO-ja do të ndërhyjë për herë të dytë. Natyrshëm lind pyetja:

 

A na mbron Perëndimi?

Zaimi në analogjinë e gjeopolitikës së Kaukazit me atë të Ballkanit ngre pyetjen se a mundet që neve, shqiptarëve, të “na gjejë fati i keq i Armenisë”, e cila e bazoi mbrojtjen e Nagorni-Karabakut dhe të sajën te partneriteti historik me Rusinë dhe humbi? Armenia humbi edhe prej faktit se Rusia nuk kishte interes të rrezikonte lidhjet ekonomike e strategjike me Azerbajxhanin dhe ta hidhte këtë të fundit krejtësisht në krahët e Perëndimit. Sigurisht që partneri ynë strategjik është Amerika dhe ne duhet të mendojmë se sa është e gatshme Amerika që në një konflikt të menjëhershëm në veri të Kosovës, që sigurisht do të shkaktohet nga Serbia, të ndërhyjë ushtarakisht me forcat e NATO-s kundër Serbisë, tashmë “demokratike”. Sa do të mundet Perëndimi të zhbëjë pas konfliktit gjendjen në terren, që Serbia do të ketë krijuar në favorin e saj, në emër të“mbrojtjes” së serbëve të Kosovës? A nuk dha Perëndimi garanci për sigurinë e Ukrainës, në shkëmbim të shkatërrimit të arsenalit të saj bërthamor. Cila është strategjia e Amerikës dhe Perëndimit për rikthimin e sovranitetit ukrainas mbi Krimenë? Vërtet, që çdo krahasim çalon, sepse Kosova nuk është Ukraina dhe as Serbia nuk është Rusia, por duhet t’i lexojmë me kujdes sinjalet që përçohen nga konflikte që duket sikur ndodhin larg nesh dhe nuk kanë lidhje me ne. Shqiptarët ndodhen në një zonë me intensitet të lartë të lëkundjeve gjeopolitike, që shtrihet nga Adriatiku e Joni e deri në Kaukaz e në Lindjen e Mesme. Turbullirat që ndodhin në këtë zonë na përfshijnë, prandaj nuk është dhe aq paradoksale përfshirja e konfliktit palestinezo-izraelit mbi Jerusalemin në “marrëveshjet” e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Nga këndvështrimi i qendrave të rëndësishme të pushtetit, çështja shqiptare është pjesë e “lojës së madhe të shahut” në Euroazi, siç e përkufizon Zbigniev Brzhezhinski. Të lidhur, siç jemi, me Perëndimin, neve shqiptarëve na intereson që demokracitë perëndimore, të udhëhequra nga boshti Uashington-Bruksel, t’u kundërvihen qartazi forcave autokratike në Evropë, që mbështeten nga Rusia. Por, situata ndërkombëtare nuk është kaq e thjeshtë, për sa kohë që parti të së djathtës radikale në Evropën Perëndimore dhe Qendrore po orientohen për nga Rusia dhe presidenti në ikje Trump nuk e konsideron Moskën një kundërshtar, por një partner. Perëndimi ka tendencë të përçahet për sa i përket qëndrimeve gjeopolitike, për vetë faktin se përbëhet nga shtete kombëtare me interesat e veta, të cilat jo gjithnjë përkojnë, shto këtu edhe ndërrimet demokratike të qeverive që mund të sjellin ndryshime në linjat e politikës së jashtme të këtyre shteteve. Fakti që plani Vuçiq-Thaçi për ndarjen e Kosovës arriti të gjejë dëgjues në Uashington dhe u kundërshtua në Berlin, por edhe zëvendësimi i tij me Zajednicën, siç po kërkon emisari i BE-së për Kosovën, Miroslav Lajçak, duhet të na alarmojë dhe të na bëjë të pyesim:

 

A jemi të zotë të ruajmë veten?

Jo, nuk jemi të zotë për të ruajtur veten, për aq kohë sa pushteti në Shqipëri e Kosovë, në dy shtete të kombit shqiptar, është në shërbim të politikave të shteteve fqinje. Veç një shikim i shpejtë i sjelljes së pushtetarëve në Tiranë dhe Prishtinë në 10-15 vitet e fundit në raport me fqinjët na mjafton për të vërejtur se ata, për hir të pushtetit dhe të pasurimit vetjak, i kanë dorëzuar interesat kombëtare. Pushtetarët në Kosovë nuk e kanë mbrojtur sovranitetin e shtetit në negociatat Serbi-Kosovë. Kjo ka ndodhur me demarkacionin e dëmshëm të Kosovës me Malin e Zi dhe ka ndodhur e po ndodh me demarkacionin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo po ndodh me përfshirjen e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, në “minishengenin ballkanik”, i cili u shërben interesave ekonomike dhe gjeopolitike të Serbisë. Kuvendi i tanishëm Shqipërisë nuk guxon të miratojë një rezolutë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe nuk po merr asnjë nismë ligjore për çështjen çame. Edhe në Maqedoninë e Veriut, BDI-ja dikur e ndante pushtetin me Gruevskin, pavarësisht politikave të tij kundër shqiptarëve, ndërsa tani po qeveris me Zaevin, duke bërë po ato premtime që nuk i ka realizuar më parë. E vetmja shprehje e pavarësisë së shqiptarëve në raport me fqinjët ka qenë qeveria e kryesuar nga Albin Kurti, që vendosi reciprocitetin e plotë me Serbinë dhe që për këtë arsye u rrëzua në mesin e pandemisë.

Edhe pse nuk mund të flasim për demokraci të mirëfillta në shtetet ku jetojnë shqiptarët, fakti se në pushtet rizgjidhen pushtetarët që grabisin e shpërdorojnë pasuritë e përbashkëta dhe që sistematikisht dëmtojnë interesat e kombit, na tregon se problemi është më i thellë, sepse korrupsioni moral ka depërtuar në të gjitha shtresat shoqërore. Një popull me vetëdije të lartë kombëtare kërkon, edhe me një lloj intuite kolektive, pikërisht ata përfaqësues, që mbrojnë jo vetëm interesat e tanishme afatshkurtra, por edhe që dinë të marrin vendime që burojnë nga historia dhe që i shërbejnë ardhmërisë së tij. Një popull që pranon të gënjehet dhe të votojë disa herë radhazi për të njëjtët politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin, nuk ka sesi të mos varfërohet edhe më shumë, të nëpërkëmbet edhe më shumë, të dëshpërohet, derisa shumë pjesëtarë të tij të detyrohen të largohen për fare nga atdheu. Siç e ka thënë saktë Hysamedin Feraj, “përgjatë historisë populli shqiptar ka tradhtuar vetveten… [dhe kjo] ka ndodhur sa herë që populli e ka tradhtuar veten si politik, si sovran: sa herë nuk ka vepruar si sovran për sovranitetin e vet, shtetin e vet, të mirën e vet. Sa herë ka pyetur çka më jep ky apo ai kandidat për deputet, kjo ose ajo qeveri në vend se të pyesë se çka japin bashkërisht për sovranin, domethënë për popullin, shtetin, kombin e njerëzimin” (www.facebook.com/notes/10157240765652000/). Por, duket se të paktën në Kosovë më në fund dhe shumë shpejt vota popullore do ta largojë nga pushteti klikën e korruptuar, kompradore dhe servile. Kjo na jep shpresë se edukimi politik i qytetarëve do të përparojë edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut.

Ruajtja e kombit dhe e atdheut kërkon bashkimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan, pavarësisht procesit paralel të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Bashkimi dhe integrimi nuk mund të jenë kundërvënëse, por plotësuese. Nëse do të sillet si një shtet kombëtar, Republika e Shqipërisë duhet t amarrë përsipër rolin e shtetit amë për shqiptarët jashtë kufijve të saj. Nuk është një rol fakultativ, por detyrë dhe përgjegjësi që ia ka ngarkuar historia. Ruajtja e kombit ka të bëjë me (1) ruajtjen tërësisë territoriale ku shtrihet kombi shqiptar, (2) ruajtjen dhe fuqizimin e identitetit kombëtar kudo ku shtrihet kombi, (3) krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillim ekonomik-shoqëror dhe (4) sigurimin e lirisë për të vetëvendosur e për t’u vetëqeverisur. Për këto qëllime bashkëpunimi strategjik me Kosovën duhet të shtrihet në sa më shumë fusha, sidomos në mbrojtje, energjetikë dhe politikë të jashtme. Në Maqedoni të Veriut duhen synuar instalimi i mekanizmave institucionalë, që barazojnë statusin politik dhe ekonomik të shqiptarëve me atë të maqedonasve, si federalizim i republikës, demokraci konsocionale, investime nga buxheti i shtetit në komuna në raport të drejtë me të ardhurat që sigurojnë ato për buxhetin e shtetit etj.

Për sa i përket zhvillimit, edhe me mundësitë e kufizuara ekonomik që ka, Shqipëria ka kapacitete të angazhohet me periferitë shqiptare, të evidentojë komunitetet që ndodhen nën trysninë e braktisjes së trojeve të tyre ose të humbjes së identitetit kombëtar dhe të vlerësojë nevojat e tyre më urgjente. Këto bashkësi mund të jenë të veçuara dhe me peshë të vogël demografike e financiare për të mbajtur të vetme institucione publike, prandaj u nevojitet ndihmë nga jashtë. Në rend të parë ndodhet Lugina e Preshevës, por në rrethana urgjente janë komunite shqiptare në Mal të Zi, në Mitrovicë e rrethina, në Kërçovë, Kumanovë, Strugë etj. Me Kosovën nevojitet bashkërendim për qëndrimet që mbahen për shqiptarët në shtetet e tjera dhe për çështjet që kanë të bëjnë me diasporën. Diaspora shqiptare ka mbajtur gjallë idenë e bashkimit shqiptar dhe ka treguar se në raste të skajshme, siç ishte lufta për pavarësinë e Kosovës, është e gatshme që të japë ndihmesë thelbësore. Republika e Shqipërisë, në politikën e saj rajonale, duhet të përkrahë fuqishëm tendencën perëndimorizuese të rajonit, por njëkohësisht të udhëhiqet edhe nga parimi se investimi te kombi është investimi më i sigurt për të ardhmen.