` . Rrathët koncentrikë të rebusit shqiptar e ballkanik - TV SHENJA

Rrathët koncentrikë të rebusit shqiptar e ballkanik

SHBA dhe Rusia kanë bërë një rindarje të sferave të influencës në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kaukaz, me ç’rast Mali i Zi i është lënë sërish influencës ruse, duke rikrijuar në Ballkan një masë potenciale tumoroze antiantlantike, bashkë me Serbinë dhe Republika Srpska-n. Kjo masë mund ta rritë presionin më vonë edhe mbi Bosnjën dhe mbi Kosovën.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

E kaluara e kombeve dhe e shteteve të Ballkanit nuk ndihmon aspak asnjë përpjekje që provohet të bëhet për bashkëpunimin ose integrimin miqësor e paqësor të tyre as në shekullin XXI, kur integrimi dhe globalizimi ka përthekuar edhe rajone shumë më problematike sesa ky rajon. Ndonëse ka një pjesë të historisë, e cila do të mund ta ndihmonte atë projekt bashkëpunimi e integrimi, por pikërisht ajo pjesë e historisë injorohet dhe tentohet me çdo kusht që të harrohet. Ajo pjesë e historisë ku banorët e këtij rajoni kanë jetuar kryesisht në paqe e, deri diku, edhe në harmoni, përfshin një periudhë të gjatë të sundimit osman (jo në gjithë periudhën.) Shekujt XVI-XVIII mund të përfshihen në këtë vlerësim, ndërsa nga shekulli XIX, kur fillon formimi i kombeve ballkanike, fillojnë edhe konfliktet dhe kasaphanat, që kulmojnë me luftërat ballkanike, të cilat paraqesin shembuj të lemerishëm të mizorive ndërmjet kombeve të Ballkanit. Faktikisht, në këtë periudhë fillon të përdoret edhe termi Ballkan dhe ballkanizim, për ta shprehur copëtimin e territoreve dhe mizorinë, në emër të kauzave irracionale kombëtare.

 

Europianët e infektuan Ballkanin me mizoritë e veta

 

Po nga edhi ai pasion për mizori, pas disa shekujsh bashkëjetese në një perandori shumëkombëshe, ku të krishterët e Ballkanit e kishin statusin e një mileti (populli) të veçantë, pa asnjë tentim që të osmanizoheshin? Kryeshkakun e këtij shpërthimi barbar të dhunës, studiuesja e famshme Maria Todorova e ka identifikuar te ndikimi i kombeve të mëdha europiane, Fuqive të Mëdha, mbi projektet nacionale të ballkanasve. Kombet e mëdha europiane i kanë nxitur drejt kombformimit, duke ua mësuar përdorimin e dhunës, spastrimin etnik dhe gjenocidin, si mjet për arritjen e qëllimeve kombëtare. Todorova konstaton se në pasionin për shkaktimin e kasaphanave, ballkanasit mbeten joeuropianë në krahasim më europianët: “Me të vërtetë, ka diçka që është qartazi joeuropiane në faktin që Ballkani asnjëherë nuk mundi të arrijë – përmasat e kasaphanave europiane”. Sidoqoftë, të nxitur nga sponsorët e mëdhenj europianë, ballkanasit e filluan Luftën e Parë Ballkanike me mjete gjenocidale, me pretekst të dëbimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani, por esencialisht me synimin që të copëtonin territoret e popujve që nuk bënin pjesë në aleancën ballkanike (malazezët, serbët, bullgarët e grekët.) Nga shikimi më i përciptë në hartë, menjëherë shihet se caku kryesor ishte copëtimi i territoreve ku jetonin shqiptarët. Zbatimi i atij komploti, të katër shteteve ortodokse, rezultoi me gjenocid kundër muslimanëve në Ballkan, me objektivin kryesor kombin shqiptar. Ndërkaq Lufta e Dytë Ballkanike u shndërrua në kasaphane ndërmjet vetë aleatëve të krishterë ortodoksë (serbëve, grekëve dhe rumunëve kundër bullgarëve.)

Nga arroganca e ballkanasve që u farkua në dy luftërat ballkanike, veçmas nga arroganca e serbëve, u provokua edhe Lufta e Parë Botërore (1914-1918), e cila në kasaphanë e përfshiu pastaj mbarë Europën. Në fund të asaj lufte u zhbënë perandoritë habsburge, osmane e ruse, me ç’rast në territoret e dy të parave u formuan një numër shtetesh sllave, të cilat në atë mënyrë e ballkanizuan edhe një pjesë të madhe të Europës Qendrore. Ndërkaq, në Rusi triumfoi bolshevizmi, një ideologji që do të bëhej vrastare për një pjesë të madhe të Europës dhe të Ballkanit.

Ndryshimet e mëdha gjeopolitike e ideologjike, që ndodhën, e përgatitën edhe klimën për Luftën e Dytë Botërore, e cila ishte shumë më gjakatare se sa e para. Pra, virusi i mizorisë që i kishin injektuar kombet e mëdha europiane në kombet e vogla ballkanike, duke ua mësuar spastrimin etnik dhe gjenocidin, u përhap si epidemi shkatërrimtare edhe në vetë kombet e mëdha europiane.

Në kujtesën e kombeve të sotme ballkanike kanë mbetur përvojat e tmerrshme të luftërave ballkanike dhe të luftërave botërore, ndërsa periudhën e jetës në paqe e harmoni nën sundimin osman, praktikisht e kanë injoruar dhe e kanë harruar. Prandaj narracionet e këtyre historive janë të pafuqishme, në ndonjë tentativë për ta jetësuar jetën në paqe dhe integrimin e kombeve dhe shteteve të sotme ballkanike.

 

Paaftësia dhe pafytyrësia e Bashkimit Europian

 

As Bashkimi Europian, me ofertën e vet ekonomike, kulturore e gjeopolitike, nuk po arrin ta shërojë plagën e infektuar para më shumë se një shekulli. Në fakt, Bashkimi Europian ka bërë vetëm përpjekje parciale. Pranimi në Bashkimin Europian i Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë e Kroacisë, faktikisht nuk e ka prekur fare në plagën e infektuar të Ballkanit. Plaga e hapur e të kaluarës është në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Malin e Zi. Kjo është harta që mbartë pasojat e Krizës Lindore, të provokimit të Luftës së Parë Botërore, të zhbërjes së një shteti sovran – Malit të Zi dhe të spastrimit etnik egjenocidit në vitet 1998-1999 në rastin e Kosovës. Bashkimi Europian, përkatësisht kombet e mëdha europiane, francezët, gjermanët, italianët e anglezët, nuk kanë gjetur asnjë formulë se si mund të shërohet plaga të cilën ata e kanë hapur para më shumëse një shekulli në këto hapësira. Prandaj, herë bëjnë njërin sy qorr, herë u rikthehen ideve të vjetra imperialiste, por as kanë brejtje të ndërgjegjes e as aftësi për ta mbyllur krizën. Kjo u pa më së miri në kohën e luftës në Bosnjë (1991-1995) dhe në luftën në Kosovë (1998-1999.) Po të mos ishte vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që imponuan Marrëveshjen e Dejtonit (1995) dhe atë të Kumanovës (1999), Bashkimin Europian do ta mbulonte turpi njësoj si në kohën e luftërave ballkanike, kur jo vetëm që nuk e ndaluan gjenocidin serb kundër shqiptarëve, po në fakt  i fshehën edhe informacionet e konsujve dhe të gazetarëve.

Paaftësia dhe pafytyrësia e Bashkimit Europian u pa edhe kohët e fundit, kur Bullgaria e bllokoi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut. Brukseli i ngriti supet dhe e la mundësinë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të gjejnë zgjidhje në biseda dypalëshe. E lanë që Bullgaria e Maqedonia e Veriut ta kërkojnë zgjidhjen, që po të mos ishte inxhinieringu brutal i Fuqive të Mëdha Europiane do të ishte zgjidhur me kohë, me krijimin e një shtet-kombi bullgar, kur kombi i sotëm maqedonas nuk ekzistonte. Nëse arrihet tash një marrëveshje lidhur me të kaluarën e komplikuar dhe të mjegulluar, pas formimi të kombit maqedonas, do të jetë meritë e vetë këtyre dy shteteve, por aspak e Bashkimit Europian. Zgjidhja është e mundur nëse kryeministri Bojko Borisov i përmbahet asaj që pati deklaruar para një viti lidhur me qëndrimin e Bullgarisë ndaj NATO-s: “Nuk dua të jap kurrfarë komentesh për NATO-n, duke pasur parasysh se në anën e majtë, në Detin e Zi, e kemi Krimenë, në anën e djathtë Stambollin, ndërsa prapa nesh Kosovën”. Pra, Borisovi po thotë se nuk lejohen aventura dhe se nuk ka siguri jashtë NATO-s. Ky është një pragmatizëm, nga i cili duhet të mësojnë edhe liderët e Maqedonisë së Veriut, po edhe të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Bile, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe BeH, janë në pozitë shumë më të keqe sesa Bullgaria, për ç’arsye u duhet edhe më shumë pragmatizëm.

Ombrella e NATO-s u duhet këtyre shteteve veçmas që të shpëtojnë nga komplotet ruse, të cilat alternohen në vazhdimësi, me synim që rajonin ta mbajnë në gjendje jostabiliteti, me çka Rusia mund t’i bëjë më lehtë presion Bashkimit Europian, po edhe NATO-s. Sikundër dihet, në Mal të Zi pati tentativë për grushtet dhe vrasjen e Gjukanoviqit, sikundër që në Maqedoni u tentua të nxitej gjakderdhje dhe kaos më 27 prill 2017. Edhe vizita e këtyre ditëve e ministrit rus të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Llavrov, ishte provokim dhe skandal me efekte polarizuese në shtetin që sapo shënoi njëzetvjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit. Bashkimi Europian prapë vazhdon ta hajë turpin me bukë.

 

Rindarja e sferave të influencës dhe dëmi në Ballkan 

 

Pra, jo vetëm e kaluara, por as e tashmja e shteteve ballkanike, nuk po mundëson bashkëpunim e integrim miqësor e paqësor të këtyre shteteve, ngase nxitja për konflikte e përçarje sërish vjen nga jashtë, nga Rusia në rend të parë, por pa dyshim edhe nga shtete të tjera të mëdha perëndimore. Fjala vjen, në idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë ka indikacione se qenë i involvuar një segment i administratës së SHBA-ve në krye me Xhon Bolltonin. Ndërkaq për Malin e Zi presidenti Tramp, pas sjelljes së tij të pahijshme ndaj ish kryeministrit malazez në një samit të NATO-s, pati deklaruar se NATO nuk do të hynte në luftë për Malin e Zi. Ajo që ndodhi më vonë është restaurimi i ndikimit rus e serb mbi Malin e Zi. Ka zëra që pohojnë se ka ardhur deri te një ndarje e re e sferave të influencës ndërmjet SHBA-së e Rusisë në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kuakaz. Nëse këto parashikime janë të vërteta, ato e bëjnë edhe më të vështirë pozitën e shteteve të brishta të Ballkanit, veçmas atë Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës. Sipas këtyre projeksioneve, SHBA-ja dhe Rusia kanë bërë një rindarje të sferave të influencës në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Kaukaz, me ç’rast Mali i Zi i është lënë sërish influencës ruse, duke rikrijuar në Ballkan një masë potenciale tumoroze antiantlantike, bashkë me Serbinë dhe Republika Srpska-n. Kjo masë mund ta rritë presionin më vonë edhe mbi Bosnjën dhe mbi Kosovën. Ndoshta do të testohet ridizajnimi i Serbisë së Madhe, në të ardhmen si një formacion jodomosdoshmërisht antiatlantik, por gjithsesi rusofil? Me Trampin, ky projekt, bashkë me mini-shengenin ballkanik, që u promovua në Marrëveshjen e Uashingtonit (shtator 2020), do të shtyhej përpara dhe do të shfrytëzohej jo vetëm si partneritet i ri me Rusinë, po edhe si presion kundër Bashkimit Europian. Me Bajdenin tërë ai konstruksion pritet të rishikohet.

Në të gjitha këto përvoja e zhvillime shqiptarët mund të kenë një rol, si subjekt, nëse organizohen dhe nëse dinë çka duan, ose si objekt, nëse vazhdojnë të menaxhojnë shtete e shoqëri të dështuara. Recetat për elitat politike të shqiptarëve janë të padobishme, pasi ende në politikë përdorin receta popullore, thënë figurativisht. Thënë më butë, “nuk janë kërkah”.

Po qe se kthjellohen, do të duhej t’i ndiqnin lëvizjen e rrathëve koncentrikë në hartimin e politikave shtetërore e kombëtare, duke harmonizuar interesat e shteteve ekzistuese (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut.) Pra, jo me subordinim, siç bën Serbia, por me koordinim dhe harmonizim. Por, për të arritur në atë pikë, pjesa pushtetore e elitave të tashme shqiptare në këto tre shtete duhet të pensionohen. Ndërkaq, kjo nuk është e mundur me këto shoqëri të traumatizuara, të frikësuara, të varfëruara e të tjetërsuara. Prandaj ka rrezik që edhe për një kohë do të mbetemi vetëm objekt i lojërave dhe eksperimentimeve.