` . Roli i teknologjisë për njerëzimin dhe 5G - TV SHENJA

Roli i teknologjisë për njerëzimin dhe 5G

Nëse bisedohet më njerëzit se kjo teknologji do t’i ulte rreziqet eventuale, atëherë bindshëm do të ndryshonte edhe qasja deri tek perceptimi i saj. Në vitin 2019 diku 5 % e të gjitha vdekjeve në tokë janë shkaktuar nga aksidentet në komunikacionin rrugor, ajror e hekurudhor.

Shkruan: Imer DALIPI, Kumanovë

Avancimet teknologjike gjatë periudhave kohore e, sidomos, gjatë 2-3 shekujve të fundit, kanë sjellë rritje të mirëfilltë të kualitetit të jetesës së njerëzve. Si avancim teknologjik nuk mund të llogaritet vetëm shpikja e kompjuterit ose e ndonjë pajisjeje tjetër tejet përparuese medicinale e ushtarake, por ekzistojnë më mijëra zbulime të tjera të cilat për shkak të ritmit të shpejtë të jetesës tashti gati se edhe nuk përmenden fare ose llogariten si shërbime e produkte që ekzistojnë pranë nesh miliona vite. Ne vazhdimisht i përdorim dhe të mirat nga to, thënë ndryshe, i marrim si “for granted”.

 

Teknologjia në shërbim të njeriut

 

Shpikja e “lavatriçes” mjafton të prezantohet si shpikje teknologjike, por që e ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë jetën e qytetarit të thjeshtë. Vlen të theksohet fakti se në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, diku 23% të fuqisë punëtore botërore, kryesisht e gjinisë femërore, kanë qenë të angazhuara drejtpërdrejt në këtë industri, në larjen dhe pastrimin e rrobave. Me shpikjen e lavatriçes tërë ajo fuqi punëtore është ri-fokusuar për prodhim e zhvillim të mëtutjeshëm dhe ka mundësuar rritje të mirëqenies sociale. Ekonomistët mund t’i llogarisin më së miri efektet në BPV-në dhe se çfarë nënkupton kjo për gjendjen ekonomike të atij shteti. Mirëpo, për arsye të tjera ekonomiko-sociale, në bazë të analizave nga Banka Botërore, llogaritet se sot 2 deri 3% nga fuqia punëtore botërore janë ende të angazhuar në këtë veprimtari, kryesisht në vendet me ekonomi në zhvillim si në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Një rast tjetër që e ilustron skepticizmin tek njeriu është edhe shpikja e rrymës elektrike dhe e rrjetit të saj të distribuimit. Sot implementimi i rrjetit të energjisë llogaritet si e drejtë themelore njerëzore e, deri diku, mund të krahasohet edhe me të drejtën e qasjes së lirë deri tek uji e ushqimi.

Sa për ilustrim, fotoja më lart tregon se si njerëzit në shekullin XVIII i perceptonin efektet potenciale negative nga implementimi i rrymës elektrike. Por, implementimi i energjisë elektrike ka sjellë stabilitet dhe të mira materiale të mëtutjeshme. Sot ka më tepër rrezik të vdesë ndonjë njeri nga obeziteti i lartë ose diabeti i shkaktuar nga ushqimet “fast food” sesa nga dëmtimi prej rrymës elektrike.

Transporti modern i mallrave dhe njerëzve në shekullin XVIII ka qenë gati se i pamundur, ose kryesisht është bërë për ekspedita ushtarake, në realizimin e të cilave ka investuar shteti ose mbretëria me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të saj. Ndërkaq sot aq shumë është zhvilluar sistemi i “Supply Chain Management”, saqë çfarëdo malli mund të transportohet prej një skaji të botës në tjetrin për më pak se 24h.

Me zbulimin e internetit, tash një letër elektronike mund t’i sillet tokës anembanë 3 herë me një kohëzgjatje për më pak se 1 sekondë, ndërsa vetëm 50 vjet më parë është dashur të kalojnë 2-3 muaj që të mbërrijë letra prej një shteti në shtet tjetër.

S’do mend se zhvillimet teknologjike kanë ndikuar dukshëm në rritjen e standardit jetësor dhe të mirave të tjera materiale, por ekzistojnë edhe raste të ndryshme kur zhvillimet teknologjike kanë shkaktuar numër të madh vdekjesh, frikë dhe presion te njerëzimi, si ajo e bombës nukleare.

Historikisht, natyra e njeriut është treguar e tillë që inicialisht i percepton avancimet teknologjike me shumë kundërshtime dhe frikë. Si parakushte themelore për t’u bërë zbulime dhe shpikje të reja janë nevoja dhe konkurrenca.

Zbulimi i internetit e kishte zanafillën nga fuzimi i nevojës dhe konkurrencës ushtarake të shteteve te ndryshme. Me kalimin e kohës, nga nevoja e domosdoshme, arriti në qëllim konkurrencën për sundimin e hapësirave të zbrazëta ekonomike. Jo me larg se 15 vjet më herët, qasja në internet ishte e padisponueshme për më shumë se 90% të popullsisë botërore, ndërsa sot gati se secili person në tokë ka qasje tek ai dhe e përdor internetin për arsye të ndryshmet, duke filluar nga ato ekonomike, ushtarake, mjekësore, sociale, e deri tek çështjet e dashurisë. Interneti ne dekadën e fundit ka pasur një zhvillim të përshpejtuar teknologjik, madje aq shumë është zhvilluar, saqë është bërë e pamundur të përcillen të gjitha ndryshimet që çdo ditë i sjell ai.

Njerëzit shpeshherë nga frika e moskuptimit të gjërave fillojnë të spekulojnë për to. Sigurisht se më e lehtë është të refuzosh e të spekulosh sesa t’i qasesh dhe ta kuptosh në thelb problemin. Por, fundja, edhe nuk mund të akuzohen të gjithë për këtë gjë – nuk është punë prioritare e tyre ta kuptojnë se si funksionon çdo teknologji. Mjafton t’i përdorin të mirat që burojnë nga ato teknologji. Për këtë arsye, çdo shtet ka caktuar e deleguar komisione, që merren me vlerësimin e efekteve pozitive, por edhe atyre negative që çdo teknologji i sjell tek ata.

Vlen të theksohet se kohëve të fundit është bërë bujë e madhe jo vetëm në vendin tonë, por edhe në suaza botërore për efektet negative që mund të sjellë teknologjia 5G e internetit. Para se të analizojmë efektet e saj, vlen të sqarohet nga fillimi se çka është ajo dhe prej nga buron. 5G nuk është asgjë më tepër sesa një standard i rrjetëve të komunikimit elektronik. Ky standard është një shkallë më e vonshme e asaj paraprake 2G, 3G dhe e aktuales 4G, që e përdorin operatorët telefonik në çdo vend. Ky standars i definon rregullat se si një prodhues ose fabrikë teknologjike duhet ta krijojë mënyrën që pajisjet e prodhuara të integrohen dhe të komunikojnë mes vete. Këto pajisje mund të jenë: telefonat celular, kompjuterët, pajisjet e amvisërisë, veturat, trenat, aeroplanët etj.

Teknologjia 5G sjell një shpejtësi më të madhe të bartjes së paketave digjitale (informata digjitale) prej dërguesit tek pranuesi. Por, ajo që e dallon këtë nga standardet e mëparshme është se përveç rritjes së shpejtësisë së bartjes së informatave, bart me vete edhe kapacitetin e shkurtimit të vonesave teknologjike komunikuese, që në gjuhën angleze njihet si “latency”. Karakteristika tjetër më e avancuar është se në këta rrjetë do të mund të lidhen dhe të komunikojnë përnjëherë me shpejtësi marramendëse mes vete një numër shumë më i madh i pajisjeve të ndryshme teknike, si: frigorifer, TV, radio, telefona celular, kompjuterë, semaforë në rrugë, shitore, vetura e mjete të tjera transportuese, e deri tek satelitët dhe makinat e tjera me kapacitete shumë të larta përllogaritëse.

Të gjitha këto rezultate pozitive nga kjo teknologji pa dyshim se do ta ndryshonin tërësisht mënyrën e funksionimit të gjërave për dallim nga ajo që jemi mësuar deri tash. Sidoqoftë, për implementimin e tërësishëm të kësaj teknologjie në të gjitha hapësirat banuese të tokës do të duhet kohë prej disa dekadave. Kjo teknologji së pari kërkon një investim shumë të madh krahasuar me teknologjitë e deritanishme. Pastaj do të duhet që në shumë shtete të ndryshohen kornizat ligjore për lejimin e përdorimit të spektrit më të gjerë te frekuencave dhe, në fund, duhet të bëhet ndërrimi i pajisjeve që i përdor konsumatori. Në bazë të disa përllogaritjeve, që ta arrijmë në nivelin e tanishëm te përfshirjes të rrjetit momental, do të duheshin edhe 20 vjet. Mirëpo, në vendet e zhvilluara ekonomike dhe qytetet më frekuentim të lartë të njerëzve e mallrave kjo teknologji brenda disa viteve do të bëhet realitet.

Deri tash ekziston një numër i madh i studimeve shkencore për t’i analizuar efektet negative nga rrezatimi pas implementimit të kësaj teknologjie, por asnjë nga studimet nuk ka hasur në ndonjë faktor risku më të lartë dëmtues sesa ato të tashmet. Andaj mund të përfundojmë se të gjitha zërat që dëgjohen në opinion kohëve të fundit lidhur me 5G, më tepër janë dezinformata dhe zhvendosje e fokusit dhe interesit të njerëzve nga tema të tjera më të rëndësishme jetësore.

Teknologjia 5G nuk është standardi i fundit në këtë fushë, sidomos kur ende pa ia filluar të implementohet vetëm flitet për një avancim edhe më të lartë në atë të daljes në standardin 7G e 8G. Besoj se në këto kohë shumë dinamike për njerëzimin, sidomos tash gjatë shpalljes së pandemisë së virusit COVID 19, implementimi sa më i shpejtë i kësaj teknologjie vetëm do ta përmirësonte gjendjen e qytetarëve.

Nëse bisedohet më njerëzit se kjo teknologji do t’i ulte rreziqet eventuale, atëherë do të ndryshonte bindshëm edhe qasja deri tek perceptimi i saj. Në vitin 2019 diku 5 % e të gjitha vdekjeve në tokë janë të shkaktuara nga aksidentet në komunikacionin rrugor, ajror e hekurudhor. Nëse kjo teknologji do të ishte e implementuar deri tash, ky numër i vdekjeve do ulej gati se ne 0%. Sepse kjo teknologji mundëson komunikimin e gjithhershëm të të gjitha pajisjeve e mjeteve të ndryshme, që do ishin të lidhura me këtë teknologji e me të edhe evitimin në kohë të aksidenteve. Imagjino se çfarë frustracioni është që prej 3 kalimeve në udhëkryq rrugor, mesatarisht çdo udhëtari i bie të pres të paktën 2 herë të ndërrohet ngjyra e kuqe ne at të gjelbër. Ndërkaaq nëse do funksiononte kjo teknologji, asnjëri nuk do të priste, sepse do perfeksionohej lëvizshmëria e të gjithë pjesëmarrësve në atë komunikacion dhe gjithçka do ishte e planifikuar në kohë, ashtu që secili automjet në komunikacion do të kishte mekanizma automatik të vendosur për të parandaluar situatat që do sillnin vdekshmërinë, efikasitetin e kohës dhe vlerësimin më të mirë të kohës së secilit.

Në situata tjera, sikurse në medicinë e shkencë, do të mund të barteshin informatat shumë shpejt dhe në kohe reale nga secili vend i botës. Imagjino një mjek të mund të operonte me dhjetëra pacient përnjëherë nga distanca shumë e largët. Imagjino pritjet nëpër sportele e vende tjera të  minimizoheshin në 0. Imagjino që ndërrimi dhe shpërndarja e informatave të jetë në kohë reale nga çdo cep i botës se çfarë analiza e rezultate ekzakte do të mund të kishim për kohën e gjendjen atmosferike, për ekonominë dhe për shkencën në tërësi. Imagjino se si bujku nga shtëpia të mund ta përpunonte në kohe reale tokën e tij, duke e dirigjuan traktorin e tij nga celulari dhe të mund ta siguronte plasmanin e produkteve të tij më herët se 6 muaj. Imagjino që bizneset në kohe reale të mund t’ua ofronin produktet e tyre më shumë blerësve potencial nga shumë vende të botës të magacionuara në më shumë lokacione. Imagjinoni të gjitha këto ndryshime e shumë të tjera, se çfarë realiteti tjetër njerëzor do të sillnin, sigurisht për të mirën e njerëzimit.

Dikush mund të dyshojë dhe mos të e pranojë këtë realitet me arsyetim se s’ka nevojë njerëzimi të lëvizë me këtë dinamizëm, por kjo s’do mjaftonte, sepse jemi në një kohë shumë dinamike dhe konkurrenca mes njerëzve, bizneseve e interesave shtetërore s’do të lejonte devijim nga kjo rrugë me arsyetimin e vetëm të mbijetesës.