Roli i OBI-së në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Roli i OBI-së në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Republika e Kosovës, duke pasur parasysh obligimin kushtetues e politik për përfitimin e njohjeve nga shtetet e tjera deri në anëtarësimin e saj në OKB, ka nevojë detyrimisht të bashkëpunojë ngushtë me shtete mike dhe me organizata të ndryshme ndërkombëtare. Procesi i njohjes është kompleks dhe shumëdimensional, për çka edhe instrumentet duhet të jenë gjithëpërfshirëse e shumëdimensionale.

Shkruan: Abdullah KLINAKU, Vushtrri

Shteti i Kosovës, pa dyshim, është formuar si rezultat i përpjekjes, rezistencës dhe luftës së fundit të armatosur kundër pushtuesit serb. Por, në të njëjtën kohë, në procesin e shtetformimit dhe fuqizimit të njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, ndihmesë të jashtëzakonshme kanë ofruar shtetet mike. Madje, po qe se i vlerësojmë realisht rrethanat politike, ushtarake e diplomatike të Serbisë, nga një anë, dhe ndikimin e politikës, diplomacisë e forcës ushtarake të shqiptarëve, vërtet pavarësia e Kosovës ka qenë e pamundur të arrihet pa mbështetjen e shteteve mike. Prandaj, me të drejtë mund të pohojmë se ndërtimi i shtetit të Kosovës është një proces i njëkohshëm i politikës së brendshme dhe i politikës së jashtme, ku kjo e fundit synon ta konfirmojë dhe legalizojë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Politika e jashtme e Kosovës, në vazhdimësi, ka synuar bashkëpunimin me aleatët strategjikë, si dhe aktorët alternativë, për të arritur komunikimin diplomatik me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Në këtë rrafsh, përveç bashkëpunimit me shtete mike, ka pasur përpjekje për bashkëpunim edhe me organizata të ndryshme ndërkombëtare ose rajonale, siç është rasti i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), përmes së cilës është bërë përpjekje që të arrihet deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të saj.
Republika e Kosovës, sipas “Strategjisë për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka përcaktuar se veprimi për njohje dhe integrim të plotë i Kosovës në sistemin ndërkombëtar do të zhvillohet përmes bashkëpunimit me shtetet individualisht, grup-shtetet dhe rajonet e caktuara, si dhe organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Në pajtim me parimet e vendosura nga kjo strategji, Kosova ka pasur bashkëpunim me organizata të ndryshme ndërkombëtare, kjo me qëllim të përfitimit të njohjes së shtetësisë së saj nga shtetet anëtare të tyre. Republika e Kosovës ka zhvilluar relacione edhe me OBI-në, për bindjet e mia jomjaftueshëm. Megjithatë, raporti i Kosovës me shtetet anëtare të OBI-së dhe me vet OBI-në është pak i publikuar dhe i njohur te ne.

OBI është organizata e dytë më e madhe ndërkombëtare

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) është organizata e dytë më e madhe e karakterit ndërkombëtar pas Kombeve e Bashkuara. Ajo është zëri kolektiv i botës myslimane, që përpiqet t’i ruajë dhe mbrojë interesat e botës myslimane në frymën e promovimit të paqes dhe harmonisë ndërkombëtare midis kombeve të ndryshme të botës.
Organizata u krijua me vendim të samitit historik, i cili u zhvillua në Rabat, Mbretëria e Marokut, më 25 shtator 1969, kjo pas vënies së zjarrit në xhaminë “Al-Aksa” në Jerusalemin e pushtuar. Më 1970 në Xhide u mbajt takimi i parë i Konferencës Islamike të ministrave të Jashtëm (ICFM), i cili vendosi të krijojë një sekretariat të përhershëm në Xhide, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës. Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) më herët është njohur me emrin Organizata e Konferencës Islamike (OKI), kjo deri në ndërrimin e emërtimit në Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), sipas rezolutës nr. 4/38 – ORG.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) i ka 57 shtete anëtare. Prej vendeve europiane është e anëtarësuar vetëm Republika e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit, përkatësisht më 1992.

Bashkëpunimi me shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik

Qasja e Kosovës në OBI është realizuar përmes raporteve të ngushta me shtetet mike, të cilat janë anëtare të po kësaj organizate, por jo vetëm. Mbështetja e pakursyer, që Kosova e ka pasur në vazhdimësi nga disa shtete anëtare të OBI-së, e ka lehtësuar qasjen dhe mundësinë diplomatike të komunikimit me shtetet anëtare të OBI-së për të arritur deri tek njohjet. Vlerësohet se në këtë aspekt roli i fuqishëm i Republikës së Turqisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite ka qenë tepër i madh.
Republika e Turqisë, krahas Arabisë Saudite, është një ndër shtetet më me ndikim brenda OBI-së. Megjithatë, janë disa faktorë që e bëjnë republikën turke shtet me ndikim, duke i pasur parasysh faktet se Republika e Turqisë, për nga numri i popullsisë, si shtet anëtar i OBI-së, është i pesti me radhë. Fuqia e saj ekonomike e tregtare dhe ndikimi që ka te shumë shtete anëtare përmes këtij instrumenti është shumë i madh. Pastaj, të qenët anëtar i NATO-s e bën Republikën e Turqisë ndikuese, por edhe unike, brenda OBI-së, krahas Shqipërisë, në këtë segment. Po ashtu edhe pozita e saj gjeografike, si urë lidhëse midis Lindjes e Perëndimit dhe aktiviteti i saj i fuqishëm në politikën e jashtme, siguron një bazë të mirë për ndikim të Turqisë brenda OBI-së dhe te shtetet anëtare të saj. Madje, Republika e Turqisë është shteti i cili ka ndikuar direkt në sigurimin e njohjeve të disa shteteve, për çka duhet trajtim i veçantë.
Sekretari i OBI-së në atë kohë ishte Ekmeleddin İhsanoğlu, i cili gjatë fjalimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës shprehu gatishmërinë e tij për mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe lidhjen e tij emocionale që e ka me vendin tonë, duke parafrazuar se: “Unë dëshiroj t’ju siguroj se OBI-ja do ta vazhdojë solidaritetin e saj me popullin e Kosovës në të drejtat e tij legjitime. Personalisht, si një mik i përkushtuar për kauzën tuaj dhe si ai që është rritur duke shijuar miqësi shumë të vlefshme me kosovarët, unë gjithmonë do t’i përdor të gjitha përpjekjet për ta mbështetur më tej Kosovën. Do të vazhdoj t’i mobilizoj shtetet anëtare për ta njohur plotësisht Kosovën dhe për ta zgjeruar mbështetjen e nevojshme për kauzën e rivendosjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë, ku njerëzit do të kenë paqe të qëndrueshme dhe do të jetojnë në harmoni.” Si rezultat i lobimit dhe angazhimit të shteteve mike, si dhe vet OBI-së, shtetin e Kosovës deri më tani e kanë njohur 38 shtete anëtare të OBI-së, kjo sipas konstatimit të Rezolutës rr. 20/46 të OBI-së.

Rezolutat e OBI-së për Kosovën

OBI-ja, si organizatë e karakterit ndërkombëtar, duket hapur se në vazhdimësi ka pasur interesim për situatën politike në Kosovë. Mu për këtë duhet vlerësuar fakti se OBI-ja në çdo konferencë vjetore të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare, ka nxjerrë nga një rezolutë për Kosovën. Që nga viti 2009 e deri në vitin 2019 janë nxjerrë rezoluta, në të cilat janë përfshirë elemente që i kanë nxitur shtetet anëtare ta njohin shtetin e Kosovës.
Rezolutat e OBI-së për Kosovën kanë pasur rëndësi të veçantë dhe kanë dhënë efekt pozitiv në tri drejtime: e para, përmes nxjerrjes së këtyre rezolutave është nxitur dhe ka ardhur deri te njohjet e reja të shtetit të Kosovës nga shtetet anëtare të OBI-së; e dyta, përmes këtyre rezolutave shtetet anëtare janë ndërgjegjësuar për të vërtetën e Kosovës, duke ia mbyllur kështu dyert propagandës ruse dhe serbe kundër Kosovës te këto shtete (si rezultat i një diskutimi të brendshëm, lobimit të shteteve mike dhe përmbajtjes së rezolutës, të gjitha shtetet anëtare kanë arritur ta lexojnë drejt çështjen e Kosovës); dhe, efekti i tretë ka qenë zbutja deri te mënjanimi i zërit kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës nga disa shtete anëtare. Duke pasur parasysh luftën dhe propagandën e madhe serbe ndaj Kosovës, shumë shtete të OBI-së fillimisht kanë pasur qëndrim shumë kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës, derisa tani kjo çështje është relativizuar, edhe pse janë disa shtete të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Duke pasur parasysh se OBI-ja çdo vit nxjerrë rezoluta ku bën thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ne do t’i përmendim vetëm veçoritë e tyre. Rezoluta e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është nxjerrë në vitin 2009. Rezoluta nr. 14/36 për situatën në Kosovë është nxjerrë në konferencën e OBI-së, të mbajtur më datën 23 deri më 25 maj në vitin 2009 në Damask të Sirisë. Përmes kësaj rezolute, konstatohet interesimi i fuqishëm i shteteve të OBI-së për myslimanët e Ballkanit dhe për rëndësinë e stabilitetit në të gjithë Ballkanin. Po ashtu theksohet se zhvillimi dhe forcimi i demokracisë në Kosovë i shërben paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin, ndërsa mirëpritet bashkëpunimi i Kosovës me institucionet ekonomike e financiare të OBI-së, si dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar për kontribut të shpejtë në forcimin e ekonomisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë i kërkohet Sekretarit Përgjithshëm të OBI-së që ta ndjekë zbatimin e kësaj rezolute dhe të paraqesë raport në sesionin e radhës.
Rezoluta nr. 17/38 për situatën në Kosovë është nxjerrë në konferencën e OBI-së të mbajtur më 28-30 qershor të vitit 2011 në Astana të Kazakistanit, ku theksohet deklarata për shpalljen e pavarësisë nga Kuvendit i Kosovës më 17 shkurt 2008. Element i veçantë dhe i fuqishëm që përfshihet në këtë rezolutë është pranimi i Opinionin Ligjor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i publikuar më 22 korrik 2010, i cili vlerëson se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka rënë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Ndërkaq në rezolutën e fundit 20/46 për situatën në Kosovë, të nxjerrë nga OBI-ja në konferencën e mbajtur në datat 1-2 mars të vitit 2019 në Abu Dabi (Emiratet e Bashkuara Arabe), konsiderohet fakt se Kosova tashmë është njohur si shtet nga 116 shtete, prej tyre 38 shtete anëtare të OBI-së, si dhe bëhet thirrjë për shtetet anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovës, duke u bazuar në pavarësinë dhe praktikën e tyre shtetërore.
Pasi që Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, dhënien e një mendimi këshillëdhënës në pyetjen nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare apo ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, disa shtete anëtare të OBI-së e mbrojtën me argumente qëndrimin e tyre pro pavarësisë së Kosovës. Ndër shtetet anëtare të OBI-së, të cilat kishin qëndrimet e tyre verbale pro pavarësisë së Kosovës ishin Shqipëria, Arabia Saudite dhe Mbretëria hashimite e Jordanisë.

Përfundim

Republika e Kosovës, duke pasur parasysh obligimin kushtetues e politik për përfitimin e njohjeve nga shtetet e tjera deri në anëtarësimin e saj në OKB, ka nevojë detyrimisht të bashkëpunojë ngushtë me shtete mike dhe me organizata të ndryshme ndërkombëtare. Procesi i njohjes është kompleks dhe shumëdimensional, për çka edhe instrumentet duhet të jenë gjithëpërfshirëse e shumëdimensionale. Bashkëpunimi me shtetet e OBI-së është i detyrueshëm dhe shumë i dobishëm për vendin tonë. Përfitimet nga ky bashkëpunim janë politike, ekonomike, diplomatike e kulturore. Por, për ta arritur këtë, qeveria duhet aktivizuar të gjitha resurset vendore, në veçanti bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës, kryetari i së cilës, myftiu Tërnava, ka raporte të ngushta me shumë prej shteteve anëtare të OBI-së.