` . Roli i Lorechios dhe i “La Nazione Albaneze” në çështjen shqiptare - TV SHENJA

Roli i Lorechios dhe i “La Nazione Albaneze” në çështjen shqiptare

Aktivisti e mendimtari Anselmo Lorekio mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore të shqiptarëve. I dukshëm ishte aktiviteti në Kongresin e dytë arbëresh në 1897. Ai, përveç revistës “La Nazione Albanese” botoi dhe disa libra që vlejtën jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për historinë mbarë ballkanike të asaj periudhe plot trazira.

Shkruan: Denisa TARE, TIRANË

Gazetaria italo-arbëreshe ose arbëreshe ka veçoritë e saj të lindjes dhe zhvillimit, në dallim me gazetarinë shqiptare të zhvilluar në Rumani, Turqi, Bullgari, Egjipt, SHBA, etj. Ajo, në raste e periudha të ndryshme, ka dhënë kontribut në njohjen dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare. Shfaqet si nismë vetjake ose e përbashkët e 2-3 personaliteteve që, për motive atdhetare, shoqërore, kulturore, botojnë një gazetë a revistë. Ndër shumë personalitete të shquara të shtypit arbëresh, si Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Strusi Petka, Rosolina Petrota, Terenc Toçi etj., përmendet dhe Anselmo Lorekio. (Hamit Boriçi, “Albania, shtypi arbëresh mes informimit dhe kulturës”, Jehona, e shtunë 29 janar 2005, f. 21)

Ky themeloi dhe botoi, nga viti 1897 deri kur ndërroi jetë, më 22 mars 1924, revistën politike, letrare dhe kulturore “La Nazione Albanese”. Po cili ishte Lorekio? Çfarë rëndësie pati revista e botuar prej tij? Cili qe kontributi i tij në çështjen kombëtare shqiptare? Anselmo Lorekio lindi më 3 nëntor 1843 në komunën italo-shqiptare të Pologorisë (Katonzaro), Kalabri. U rrit në gjirin e një bashkësie arbëreshe liridashëse, që ruante me ngulm traditat stërgjyshore, së bashku me kujtimet e lavdishme të qëndresës së trimave të Skënderbeut, me dashuri për gjuhën amtare dhe për tërë visarin e bukur kombëtar. Për sa u përket studimeve, mund të themi që, pas shkollës fillore dhe të mesme, ndoqi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Napolit. Në përfundim të studimeve u zgjodh sekretar krahinor i Katanzaros. Që në moshë të re interesohej shumë për çështjen shqiptare, sidomos kur veprimtaria letrare, politike e kulturore po zgjerohej e po dendësohej gjithnjë e më tepër. (Ramadan Sokoli, “Arbëreshi Anselm Lorecchio dhe revista La Nazione Albanese”, Koha, Nr. 52, 16 mars 2011, f. 43) Anselmo Lorekio së bashku me De Radën, Bilotën e me arbëreshë të tjerë, ishin nismëtarët e organizimit të Kongresit të Parë Gjuhësor të Shqipes, që u hap më 1 tetor 1895 në një nga mjediset e gjimnazit Garopoli të Korilanës. Në këtë kongres ishin zgjedhur pjesëmarrës pothuajse nga gjithë vendbanimet arbëreshe. Ishte ftuar arbëreshi Françesko Krispi.

Anselmo Lorekio u përgëzua përmes letrave falënderuese për nismën e marrë. Një e tillë ishte ajo e dërguar nga Faik Konica, drejtor i revistës “Albania” që botohej në Bruksel. Ja çfarë i shkruante: “Jam shumë i kënaqur si shqiptar e si filolog që mund t’ju drejtoj përgëzimet e mia për veprimtarinë që ndërmorët. Shoqata kombëtare shqiptare do t’u ndihmojë jo vetëm përhapjes së idesë madhore, por dhe studimeve shqiptare në veçanti. Në çdo kohë arbëreshët e Italisë janë përpjekur për të qartësuar vëllezërit e tyre që dergjen në padituri përtej Otrantos.” Edhe shqiptarët e shoqatës së Stambollit përgëzuan Lorekion përmes një letre të datës 23 prill 1897: “Përbërja e re e shoqatës suaj kombëtare na i mbush zemrat me gëzim dhe shpresë. Me mirënjohje të madhe ne u detyrohemi vëllezërve tanë të Italisë. Ndonëse ju jetoni prej kaq shekujsh në një vend të huaj, nuk keni munguar asnjëherë të kujtoni mëmëdhenë, duke i sjellë shërbime të mëdha kombësisë sonë. Ju zotërinj jetoni në një vend të lirë e mund të shkruani dhe botoni çfarë t’ju pëlqejë. Shoqata juaj do të jetë pikëmbështetje përmes së cilës mund të nxisim ndjenjat liridashëse të shqiptarëve dhe të bëjmë që të njihen nga Evropa e qytetëruar. Me interes do të lexohen nga shqiptarët botimet tuaja e shumë të rinj do të vijnë atje te ju, të punojnë bashkë me ju, për ringjalljen e atdheut.”. (Ramadan Sokoli, “Arbëreshi Anselm Lorecchio dhe revista La Nazione Albanese”, Koha, Nr. 52, 16 mars 2011, f. 43) Edhe kryesia e shoqatës “Dituria” nga Bukureshti i përshëndeti kongresistët e lartpërmendur, ndërsa një rreth filo-austriak i Shkodrës u orvat ta paraqiste Anselmo Lorekion si armik të fesë katolike, por shumë shpejt iu dha përgjigja e merituar nga vetë shqiptarët e mirëfilltë shkodranë. E përdyjavshmja “La Nazione Albanese”, e cila u botua rregullisht nën drejtimin e Anselmo Lorekios nga 15 janari 1897 deri në 22 mars 1924, bëri gjatë 27 viteve punë të vyer për çështjen shqiptare. Në 1897, kur nisi botimi, pati shumë reagime pozitive dhe përshëndetëse nga opinioni shqiptar. E përjavshmja “Shqipëria” e Bukureshtit, me daljen e numrit të parë të “La Nazione Albanese”, shkruan: “Nuk besojmë të ketë shqiptarë nga ata që duan mëmëdhenë dhe dinë të lexojnë, që të mos i kenë dëgjuar emrin Anselmo Lorekios. Tani së fundmi, ai botoi revistën “La Nazione Albanese” e cila shkruhet me mendjen e një politikani dhe i shërben shumë kombit.” Ajo pasqyron historikun e veprimtarisë politike, letrare, kulturore të asaj kohe, duke i bërë jehonë lëvizjes sonë kombëtare, si dhe duke mbështetur fuqimisht me përkushtim çështjen e pavarësisë kombëtare. Krahas shënimeve letrare, recensioneve, përkujtimoreve, etj., te kjo e përdyjavshme prej 12 deri 16 faqesh, plot me lëndë të pasur, gjenden njoftime për ngjarjet e kohës, korrespondenca nga Shqipëria, memorandume e protesta parashtruar Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare. (Sokolo, “Arbëreshi Anselm Lorecchio dhe revista La Nazione Albanese”, f. 45) Koleksioni i “La Nazione Albanese” është thesar i paçmuar dokumentesh, lajmesh, shkrimesh historike, politike dhe letrare që i përkasin Shqipërisë prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë dhe italo-shqiptarë.

Anselmo Lorekio, shkrimtar dhe poet, mirëpriti në revistën e tij artikuj e poezi edhe të shkrimtarëve të rinj, që rrisnin grupin e vogël të lexuesve të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në të bashkëpunuan De Rada, Z. Skiroi, B. Bilota, Pjetër Komodeka, M. La Piana, T. Toçi, Manilo Beniçi, Luigji Lorekio e shumë të tjerë. (Petrotta Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, f. 411) Anselmo Lorekio e pasqyroi koleksionin e 20 viteve të “La Nazione Albanese” edhe në veprat e tij: Çështja Shqiptare, mendimi politik shqiptar në ndërlidhje me interesat italiane, Shqipëria (Albania) në 4 vëllime, si dhe shumë shkrime të tjera u shfaqën në periodikë të tjerë. Krahas botimeve të artikujve të ndryshëm, poezive dhe njoftimeve të shumta rreth botimeve për Shqipërinë, për gjuhën dhe letërsinë shqipe në faqet e revistës “La Nazione Albanese”, që nga dimri i parë i vitit 1900, filloi të botohej përkthimi italisht i veprës madhore të Marin Barletit rreth jetës dhe bëmave të Skënderbeut dhe, po në atë revistë, mes monografive me vlerë, u botua përkthimi i punimit të Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet” si dhe poema e Gavril Darës së Ri: “Kënga e sprasme e Balës”. (Petrotta Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, f. 411)

Aktivisti e mendimtari Anselmo Lorekio mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore të shqiptarëve. I dukshëm ishte aktiviteti në Kongresin e Dytë Arbëresh në 1897. Ai, përveç revistës “La Nazione Albanese”, botoi dhe disa libra që vlejtën jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për historinë mbarë ballkanike të asaj periudhe plot trazira. Më 1898 Lorekio botoi vëllime me titull “La questione albanese” me përmbledhje shkrimesh të ndryshme, ndërsa më 1904 botoi vëllimin “Il pensiero politico Albanese in rapporto agli interesi Italiani”. Në këtë libër, ku shqyrtohej gjendja ballkanike pas Traktatit të Berlinit, është përfshirë një dokumentacion i rëndësishëm lidhur me veprimtarinë e arbëreshëve në dobi të Shqipërisë. Një ndër veprat më të dëgjuara është “Albania” me 4 vëllime, me përmbledhje aktesh të Rilindjes Shqiptare, memorandumet (1919-1920-1922), si dhe artikuj të zgjedhur nga numrat e revistës “La Nazione Albanese”. Ai përpiqej të çante përpara me realizëm politik në vorbullën e ngatërresave ballkanike, duke ngulmuar në parimin thelbësor “Shqipëria e shqiptarëve”, në një kohë kur tërësia tokësore e vendit tonë kërcënohej nga lakmitë serbe dhe greke, si nga synimet ekspansioniste të Austrisë dhe Rusisë. (Maksim Gjinaj, “Anselmo Lorecchio – Figurë e shquar e qarkut kulturor arbëresh”, Rilindja, 12 prill 1944, f. 11) Në faqet e këtij organi u mbrojtën të drejtat e popullit shqiptar dhe iu bënë të njohura lexuesve shqiptarë e të huaj ngjarje të rëndësishme të lidhura me kombin tonë. Moria e artikujve dhe kronikave përbën një thesar për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Vepra e Anselmo Lorekios nuk mbeti me kaq. E dukshme qe veprimtaria e tij në Kongresin e Parë Arbëresh më 1895, për t`u bërë më e fuqishme në Kongresin e Dytë Arbëresh, më 1897. Ai la pas vetes një pasuri të çmuar letrare e dokumentare me veprën “Çështja shqiptare” botuar më 1898, “Mendimi Politik Shqiptar” më 1904 dhe veprën me disa vëllime “Albania”, e cila përmban dokumente, memorandume, thirrje, peticione, deklarata, raporte dhe artikuj të periudhës 1862-1893, të cilat paraqesin mjaft interes për historinë shqiptare. Anselmo Lorekio u çmua dhe u vlerësua nga personalitetet më të ndritura shqiptare të kohës, si Ismail Qemali, Faik Konica, Luigj Gurakuqi e të tjerë. Ai u vlerësua edhe nga Federata “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës, duke iu dhënë mandate për ta përfaqësuar Lorekion në mbrojtje të të drejtave të kombit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. E mprehtë ka qenë polemika e Lorekios me Konicën në dy organe të njohura, “La Nazione” dhe “Albania”, por i madh ka qenë dhe respekti që ushqyen për njëri-tjetrin, pavarësisht pikëpamjeve herë-herë të kundërta. Më poshtë po sjellim disa nga vlerësimet e kujtimeve të Konicës për Lorekion: “Ja dhe një tjetër nga kapedanët e vjetër të lëvizjes shqiptare u zhduk nga mesi ynë… kohëra të largëta të mbuluara pakëz me mjegull për ata që bënin sehir por jo për ata që merrnin pjesë në lodrën e shtypit. Por këto luftëra mendimesh sado të ashpra nuk linin shije të hidhur në marrëdhëniet e mia personale me Don Anselmon kurdoherë të mira.” (Gjinaj, “Anselmo Lorecchio – Figurë e shquar e qarkut kulturor arbëresh”, f. 11.)

Dihet që marrëdhëniet mes Lorekios dhe Faik Konicës ishin përmirësuar, duke lidhur miqësi të fortë mes tyre. Lorekio ishte një burrë i drejtë që dha prova për ndershmërinë e tij, punoi deri në vdekje për një ideal që pjesërisht e pa të kthehej në realitet. Rrëfeu një besim të pashembullt për rilindjen e kombit të Skënderbeut dhe dëshiroi një bashkëpunim vëllazëror italo-shqiptar. Kjo vihet re në shumë shkrime të tij, si dhe në një letër dërguar gazetës “Secolo” të Milanos, në tetor të vitit 1901, ku shkruante: “Është e padyshimtë se Italia ka interesat e saj jetike dhe të drejtpërdrejta që të marrë masa mbrojtëse e të zhvillohet fort në Adriatik. Është pikërisht në të këtillë interesa që veprimi italian gjen pikëtakimin e tij me çështjen shqiptare, veprim që, i mbajtur në caqet e drejta të tij, është e drejtë legjitime që i takon, pasi Adriatiku është det italian dhe shqiptar dhe kombësitë e tjera që do të donin të luftonin për mbizotërimin e tij janë të huaja dhe të paftuara”.

Ndërsa në vitin 1902, në numrin e 15 shtatorit të “La Nazione Albanese”, në kryeartikull, shkruante: “Mbi flamurin që me nderimin më të madh na besohej nga Jeronim De Rada, flamur i ngjyrosur me ngjyrat e urrejtjes së përligjur dhe të papajtueshme kundër të gjithë armiqve të emrit dhe nderit shqiptar, kemi dy moto: 1-Shqipëria për shqiptarët 2-Adriatiku det italian dhe shqiptar, pa u lëkundur kurrë, pa rënë në ujdi, pa lënë veten të verbohemi nga kompromise të çdo lloji. (La Nazione Albanese, Nr. 1, janar-shkurt,1921)

Ky mendim i Lorekios qe përherë i qartë dhe i palëkundur, i pasqyruar në të gjithë koleksionin e njëzeteshtatë viteve të “La Nazione Albanese”. Rreth pozitës dhe qëndrimeve që mbajti Lorekio për çështjen shqiptare duket sikur vihet në dyshim në çaste të caktuara synimi i tij. Në Fjalorin Enciklopedik shqiptar, botuar në Tiranë në 1985, thuhet shprehimisht se Anselmo Lorekio i paskërka përkrahur përpjekjet e qeverisë italiane për ta vënë atë në shërbim të politikës së saj në Shqipëri dhe se ai qenkërka shprehur për “përforcimin e ndikimit të imperializmit në Shqipëri”. Por, në fakt, kjo nuk është e vërtetë ndonëse në dukje shihet pak i dyshimtë qëndrimi i tij pro Italisë. Për sa i përket politikës në veçanti, Anselmo Lorekio ndoqi dy drejtime që mund të duken të kundërta me synimin përfundimtar. Aty nga mbarimi i shekullit XIX, kur Perandoria Osmane ishte drejt fundit të saj, Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit nga Fuqitë e Mëdha. Si shumë udhëheqës të Rilindjes sonë kombëtare, Anselmo Lorekio mendonte se e keqja më e pakët ishte status quo-ja. Për Shqipërinë ishte më mirë sundimi i Turqisë sesa copëtimi ose zhdukja nga harta politike. Por, nëse me status quo-në ishte e pamundur të ruhej tërësia tokësore shqiptare në kuadrin e Perandorisë Osmane, atëherë kundrejt copëtimit tonë nga Rusia, Serbia e Mali i Zi, arbëreshi Anselmo Lorekio parapëlqente bashkimin e Shqipërisë me Italinë, duke menduar se, ndryshe, copëtimi i vendit do të ishte shkatërrim i mirëfilltë që do ta dëmtonte rëndë identitetin tonë kombëtar. (Sokoli, Arbëreshi Anselmo Lorecchio dhe revista La Nazione Albanese, f. 48.) Për këtë arsye, shoqata arbëreshe e kryesuar nga Lorekioja, hodhi këndvështrimin për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar për liri dhe pavarësi. Shpresat e arbëreshëve dhe Lorekios për një mbështetje nga Italia duket se u zbehën pasi u zhgënjyen nga politika qeveritare italiane.

Por, Lorekioja vazhdoi t`i bënte thirrje opinionit publik që të pajtohej me atë politikë qeveritare. I nderuari profesor Mario Ferrari Vrasagi nga Puhëria e Kalabrisë, duke përkujtuar Anselmo Lorekion, pati thënë: “Ai është luftëtar i madh për pavarësinë e Shqipërisë së asohershme. Shkroi dhe përjetoi për idealet tona, madje prishi pasurinë e vet për t`i përhapur idetë e guximshme, për të mbajtur gjallë famën e madhe të “La Nazione Albanese” që e botonte në Puhëri pastaj në Romë, gjatë viteve 1904-1905. Duhet të jemi fatlumë që jemi bashkëvendës të Lorekios, duhet të krenohemi që quhemi shqiptarë për gjakun tonë fisnik e të zjarrtë. Le ta duam ta studiojmë, ta flasim e t’ua mësojmë vogëlushëve tanë gjuhën shqipe, që na dallon për një theksim veçanërisht të njerëzishëm edhe kur flasim italisht. Le të kërkojmë që rrugës së quajtur “Viktor Emanueli” t`i vihet emri i Anselmo Lorekios, madje ka ardhur koha të mendojmë për një përmendore që të kujtojmë figurën e madhërishme të tij, që u bë zëri titanik i gjithë shqiptarëve duke tërhequr vëmendjen e Italisë si dhe të shteteve të tjera evropiane rreth çështjes së pavarësisë së Shqipërisë. (Sokoli, Arbëreshi Anselmo Lorecchio dhe revista La Nazione Albanese, f. 48.) Ndonëse rreth tij pati dhe gjykime jo pozitive për politikën e dyshimtë pro Italisë, figura e Anselmo Lorekios është dëshmi e ngritjes dhe e vetëdijes etno-kulturore, nderim dhe lavdi për vetë Shqipërinë që e nxori nga gjiri i vet.