` . Roli dhe intervenimi ushtarak i Turqisë në Libi - TV SHENJA

Roli dhe intervenimi ushtarak i Turqisë në Libi

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Në një shkrim të mëhershëm botuar po në këtë të përmuajshme, kemi përmendur që Siria është shndërruar në një fushëbetejë të konkurrencës strategjike ndërmjet lojtarëve rajonal e global! Një fat identik e gëzon gjithashtu edhe vendi afrikanoverior, Libia!

Roli dhe ndikimi diplomatik e ushtarak qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë e qoftë në mënyre indirekte përmes mbështetjes së grupeve ndërluftuese në Libi, është dëshmi e interesimit të paparë të aktorëve të ndryshëm mbi të ardhmen dhe fatet e Libisë. Sipas New York Times-it, në Libi zhvillohet lufta më e madhe e tërthortë (Proxy war) në Lindjen e Mesme!

Turqia konsiderohet ndër vendet e cila në mënyrë aktive ushtarakisht e politikisht mbështet qeverinë legjitime – Qeverinë e Marrëveshjes Nacionale (ang. GNA) – në luftën kundër forcave dhe milicive që mbështetin renegatin Halifa Haftar, me qëllim që GNA-ja të konsolidojë pushtetin në mbarë territorin libian!

Ndonëse në janar të këtij viti Turqia e Rusia u përpoqën për të siguruar armëpushim ndërmjet Qeverisë legjitime dhe Ushtrisë Nacionale Libiane- LNA (ushtria e Haftarit),megjithatë, ky i fundit refuzoi që të nënshkruajë armëpushimin dhe si rrjedhojë, Turqia intensifikoi edhe më tepër mbështetjen ushtarake e logjistike për GNA-në. Falë kësaj mbështetje, GNA-ja tashmë arriti fitore të konsiderueshme dhe futi nën kontroll disa pika mjaft strategjike rreth kryeqytet Tripoli.

Me këtë rast shefi i diplomacisë turke Mevlud Çaushogllu deklaroi se; “Duke marrë vijën bregdetare nga Tripoli në Tunizi e duke kapur aeroportet ndërkombëtare, GNA-ja vërtetoi se Haftari nuk mund që ta fiton këtë luftë”. (Al Jezeera).Në të vërtetë, për herë të fundit që ushtarët turq ishin prezentë në Libi, ishte shekull më parë, përkatësisht në luftën italo-osmane e njohur ndryshe edhe si Lufta e Tripolitanos.

Forcat legjitime me mbështetjen e sistemeve turke të mbrojtjes ajrore, dhe dronët luftarak, arritën që ta rikthejnë gati gjithë Libinë perëndimore nga forcat e Haftarit. Andaj, epërsia ajrore e ushtrisë së qeverisë legjitime bën që Haftari në vazhdimësi të pësojë humbje. Këshilli Evropian i Politikës së Jashtme, artikullin e saj kushtuar implikimit të Turqisë në Libi e titulloi “Tashmë Libia është e Turqisë.” (European Council on Foreign Relations).Andaj, Turqia sot konsiderohet si forcë potenciale vendimtare në Libi. (The New York Times)

Mirëpo, për dallim nga vendet tjera qoftë të rajonit apo më gjerë, ndërhyrja ushtarake e Turqisë në Libi është një akt legjitim, nga fakti i thjeshtë se kishte një ftesë zyrtare që në dhjetor të vitit 2019 nga qeveria legjitime për mbështetje ushtarake, kurse në anën tjetër, edhe parlamenti turk miratoi dislokimin e trupave turke atje. Ndërhyrja ushtarake turke në Libi s’do mend që ekuilibroi forcat në dobi të qeverisë legjitime të njohur ndërkombëtarisht.

Por pavarësisht kësaj, cilat  janë arsyet kryesore se pse vallë Turqia është prezentë në Libi (lexo: Afrikën e Veriut) në një kohë kur tashmë dihet që forcat ushtarake të saj, që para disa vitesh janë të pranishme edhe në veriun e Sirisë për të luftuar kundër organizatave terroriste, po ashtu edhe në veriun e Irakut kundër caqeve të PKK-së!?

Mbrojta Qeverisë legjitime

Vendimi i Turqisë për ndërhyrje ushtarake në Libi erdhi në një kohë kur Haftari dhe milicitë e tij avanconin në terren (drejt kryeqytetit libian Tripoli), i cili është e njohur botërisht që ai gëzon mbështetje të fuqishme nga Emiratet e Bashkuara Arabe- EBA, Egjipti, Franca, Rusia etj..

Ky realitet faktik, bëri që qeveria legjitime të kërkojë mbështetjen jo vetëm të Turqisë porse edhe të katër shteteve tjera, (SHBA-së, Algjerisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Italisë). Në letrën drejtuar udhëheqësve të shteteve të lartpërmendura thuhej se qëllimi është që,“të ndihmohet GNA-ja për t’u përballur me agresionin ndaj kryeqytetit libian, nga çdo grup i armatosur që vepron jashtë legjitimitetit të shtetit, dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Libi”. (Asharqal-Awsat).

Sipas Ankarasë zyrtare, përderisa Turqia iu përgjigj ftesës, mbështetja e saj për Libinë nuk përbën shkelje të jashtëligjshme, nga shkaku se përmes saj e mbështet qeverinë (libiane) për vetëmbrojtje por që i mungon aftësia!

Ndër motivet e Turqisë pra, është të parandalohet rënia e qeverisë legjitime e kësisoj të mos bjer nën kontrollin e Egjiptit dhe të EBA-s, të cilët që pas grusht shetit të vitit 2013 në Egjipt, dhe tentim puçit në Turqi vitin 2016, seriozisht kërcënojnë veprimet dhe interesat politike, ushtarake e ekonomike, të Turqisë jo vetëm në Libi, por gjithandej në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor. Establishmenti turk beson që nëpërmjet ndihmës së ofruar për GNA-në, Haftari do të pranojë negociatat dhe zgjidhjen politike për të ardhmen e Libisë. (Crisis Group).

Tanimë që GNA-ja avancon drejt rimarrjes së qyteteve,në rast ulje në tavolinën e bisedimeve, natyrshëm ajo është në pozicione më të favorshme.

Aspekti gjeopolitik

Në nëntor të vitit të kaluar Libia dhe Turqia nënshkruan memorandumin për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar ndërmjet dy vendeve. Këto lëvizje janë pjesë e iniciativës së Turqisë në Mesdheun Lindor.

Duke i përcaktuar kufijtë e saj të Zonës Ekonomike Ekskluzive, e pasi që dërgoi hartën e re në Kombet e Bashkuara, erdhi nënshkrimi i marrëveshjes me Libinë, përmes së cilës Turqia dhe Libia tashmë janë fqinj në det.

Si rezultat i kësaj, Greqia, e Qipro hasën në kundërshtime të shumta, ndërsa me gjasë shqetësimi i fqinjëve të Turqisë është edhe për faktin që ata refuzojnë të drejtën e Turqisëqë të kryej shpime në ujërat e Mesdheut Lindor!

Demarkacioni libiano-turk në Mesdhe pa dyshim që në masë të madhe pengon edhe përpjekjet izraelite-greke-qipriote për ndërtimin e tubacionit East Med (marrëveshja e nënshkruar më 2 janar 2020 në Athinë), që parasheh transportimin e gazit nga Mesdheu në Evropë, por që tanimë duhet të kalojë nëpër juridiksionin libiano-turk. Kjo jep të kuptosh që Turqia është e vendosur që të marrë pjesë në burimet regjionale, dhe duke mos u anashkaluar ndaj çfarëdo lloj përpjekjesh për të ardhmen e Mesdheut. (Daily Sabah).

Aspekti ekonomik

Në raportet e Turqisë më Libinë gjithashtu aspekti ekonomik nuk duhet të anashkalohet. Historiku i marrëdhënieve ekonomike të Turqisë me Libinë daton që nga vitet e 70-ta. Vlen të përmendim që Libia u rendit e dyta pas Gjermanisë për nga numri më i lartë i fuqisë punëtore turke jashtë vendit. Para fillimit të revolucionit në vitin 2011, 12% e kontratave të ndërtimit që kompanitë turke i mbajtën jashtë vendit, ishin pikërisht në Libi. Për periudhën nga viti 1972 e gjer në vitin 2010, Libia zinte vendin e dytë, apo 19% – mbi 26 miliardë $- kur ishin në pyetje bizneset turke të ndërtimit jashtë Turqisë.(TRT World Research Centre, 2019).

Shpërthimi i revolucionit padyshim që ngeci një numër të konsiderueshëm projektesh ekonomike që Turqia dhe kompanitë turke synonin t’i realizonin në Libi. Përmes marrëveshjes së nënshkruar me Libinë, Turqia synon që klima ekonomike që ka mbizotëruar ndërmjet dyja vendeve të rikthehet përsëri.

Shoqata e Pavarur e Biznesmenëve dhe Industrialistëve të Turqisë, pohon që marrëveshja do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet ekonomike e tregtare turko-libiane, me ketë rast vlera e eksporteve turke në Libi të rritet për 50% e kështu të arrihet në 3 miliardë dollarë në vitin 2020. Për Turqinë, Libia është e rëndësishme edhe për faktin pasi që ajo hap rrugë për vendet tjera të rajonit si në Algjeri, Tunizi e Afrikë Qendrore. (Anadolu Agency).

*          *          *

Populli libian ishte ndër të parët që iu bashkua Pranverës Arabe për ndryshim të regjimit dhe demokratizimit të vendit, por edhe pse iu nënshtrua intervenimit ushtarak – rezoluta 1973 e KS të OKB-së- porse ecuria e mëtejme e konfliktit thuajse e fragmentizoi Libinë.

Vendosja e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Libi por gjithandej në botën arabe, kërkon padyshim mbështetjen nga komunitetit ndërkombëtar por mbi të gjitha duke respektuar vullnetin e popullit dhe qytetarëve të vendit përkatës.