` . “Roland Garros”/ Djokovic përmbys Tsitsipas, fiton Grand Slamin e 19-të në karrierë - TV SHENJA

“Roland Garros”/ Djokovic përmbys Tsitsipas, fiton Grand Slamin e 19-të në karrierë

Novak Djokovic fiton edicionin e radhës së “Roland Garros”. Tenisti serbi mundi në Paris Stefanos Tsitsipas në pesë sete (3-2), edhe pse u gjend në disavantazh të dyfishtë. Një përmbysje fantastike e Noles, që siguron turneun e 19 slam në karrierë me rezultatin 6-7, 2-6, 6- 3, 6-2, 6-4 në 4 orë dhe 11 minuta lojë. Ky ishte suksesi i dytë në karrierë në “Roland Garros”, pasi atij të vitit 2016 të arritur kundër skocezit Andy Murray.

Gjatë setit të parë Tsitsipas i anuloi një setpoint serbit në “game”-in e 10-të, por edhe në “tie-break”, duke triumfuar në fund 6-7.

Disavantazhi dhe lodhja e akumuluar pas përballjes maratonë në gjysmëfinale me Nadal, duket se ndikuan në energjitë e serbit, i cili humb edhe setin e dytë, duke u thyer dy herë në shërbim.

Megjithatë, Djokovic reagon, fiton setin e tretë 6-3 dhe të katërtin 6-2, duke barazuar rezultatin 2-2 me sete.

Në setin vendimtar, Tsitsipas u thye në shërbim në “game”-n e tretë, kaq i mjaftoi Noles për ta thyer kundërshtarin 6-4 dhe triumfuan me përmbysje në një finale që pas dy seteve të para u duk e humbur.

Numri një në botë është tenisti i parë në epokën “Open” që ka fituar të katër Grand Slams të paktën dy here. Statistika të pabesueshme për Djokovicin, gjithnjë e më shumë në Olimpin e këtij sporti. Stefanos Tsitsipas mund të ngushëllojë veten me kënaqësinë që ka arritur në finalen e tij të parë në një Grand Slam dhe me renditjen e tij më të mirë: ai do të jetë numri 4 në renditjen ATP. /SS/